LAJMI I FUNDIT:

Gjetjet e Gjykatës së Apelit lidhur me prishjen e vendimit dënues në rastin e Pal Lekajt dhe të tjerëve

Gjetjet e Gjykatës së Apelit lidhur me prishjen e vendimit dënues në rastin e Pal Lekajt dhe të tjerëve

Rasti i 53-milionëshit, ku të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar janë ish-ministri Pal Lekaj, si dhe Nebih Shatri, Besim Tahiri dhe Eset Berisha, do të gjykohet përsëri në Gjykatën e shkallës së parë, atë të Prishtinës.

Katërshja e akuzuar dhe dënuar nga Gjykata e shkallës e parë për rastin e pagesës së 53-milionë eurove kompanisë “Bechtel & Enka” kishin kundërshtuar aktgjykimin dënues të Gjykatës së Prishtinës.

Palët e kishin atakuar aktgjykimin në katër bazat e tij, duke kërkuar që të anulohet ky aktgjykim.


Sipas Gjykatës së Apelit, aktgjykimi dënues i Gjykatës Themelore të Prishtinës është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Sipas Apelit, aktgjykimi që është atakuar nuk ka arsye mbi faktet vendimtare sa i përket rrethanave që janë kushte mbi elementet që e përbëjnë figurën e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar për të cilën akuzohen katërshja.

Sipas Apelit, nuk arsye të dhënë se cilat dispozita saktë të Ligjit të prokurimit publik janë shkelur që do të bënin tejkalim të kompetencave nga ana e të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.

Sipas aktgjykimit të Themelores ishte konstatuar se Lekaj dhe Eset Berisha me dashje dhe me dijeni kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe autoritetin zyetar duke tejkaluar kompetencat me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Kosovës kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin e prokurimit publik.

Tutje Apeli ka thënë se Themelorja askund në aktgjykim nuk kishte theksuar cilat ishin kompetencat e të pandehurve që si persona zyrtarë veprimet e tyre kanë përbërë tejkalim të autorizimeve që i kishin, ose cilën dispozitë të statusit dhe Kodit të Mirësjelljes kanë rëndë ndesh me veprimet e tyre për t’u konsideruar si tejkalim i kompetencave që kishin të akuzuarit si persona zyrtarë.

Apeli ka thënë se tejkalimi i kompetencave duhet të jetë brenda autorizimeve që i përcaktohen si detyra të punës personit zyrtar me ligje apo akte nënligjore e nuk mund të thuhet se ka pasur tejkalim të kompetencave në mënyrë të përgjithshme pa e specifikuar cilën kompetencë e kanë tejkaluar.

Tutje Apeli ka thënë se Themelorja nuk e ka trajtuar fare pjesën nëse Pal Lekaj ka mundur të bëjë delegimin e detyrës Eset Berishës për të zhvilluar negociatat me kompaninë “Bechtel & Enka”.

Kjo, sipas Apelit, përfshihet në shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Konstatimi i Apelit është se në arsyetimin e aktgjykimit rezulton se nuk janë dhënë arsye se cilat ishin kompetencat e këshilltarit politik Eset Berisha dhe nëse ka pasur autorizim nga Pal Lekaj për të marrë pjesë në negociata, ose për ta konstatuar se me çfarë akti ligjor apo vendim i ndalohej pjesëmarrja në negociata Berishës për t’u konsideruar si tejkalim i kompetencës nga ana e tij për t’u bërë veprim inkriminues.

Kolegji i Gjykatës së Apelit (i përbërë nga gjyqtarët Mentor Bajraktari, Burim Ademi dhe Ferit Osmani) ka vërejtur se Gjykata Themelore nuk ka dhënë ndonjë arsye lidhur me faktet vendimtare kur ka konstuar se në drejtim të realizimit të qëllimit të pandehurit Pal Lekaj dhe Eset Berisha kanë injoruar opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”, dhe Gjykata nuk ka sqaruar se opinioni a ishte këshillëdhënës për Ministrinë apo ishte detyrues.

Tutje në vendim thuhet se konkretisht Gjykata nuk arsyeton se nga i lind një bazë e tillë që kompania mbikëqyrëse ka pasur një kompetencë të tillë dhe se vetëm ajo mund të jepte këshillën për lartësinë e kostos financiare për shtyrjen e punimeve, gjegjësisht se cilat ishin dispozitat e kontratës për realizimin e projektit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, a ishin ato të përcaktuara me negociata ndërmjet palëve apo vetëm me procedura gjyqësore.

Pasi sipas vendimit të Apelit këto fakte janë vendimtare që duhet të arsyetohen për t’u vlerësuar se opinioni i dhënë a kishte bazë që parashihej në kontratën e lidhur ndërmjet autoritetit kompetent dhe kompanisë “Hill International” për këshilla të pagesave financiare në situatat e shtyrjes së punimeve.

Gjykata e Apelit sa u përket pretendimeve të mbrojtjes së të pandehurve ka vërejtur se janë të bazuara ankesat se aktgjykimi i ankimuar rezulton se dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me vetveten e tij dhe po ashtu me arsyet e dhëna sa u përket provave.

Kolegji i Apelit ka vërejtur se në dispozitiv në pikën I përfshihen të pandehurit Pal Lekaj, Nebih Shatri, Besim Tahiri dhe Eset Berisha, ndërsa për këtë pjesë të dispozitivit nuk konstatohet se çfarë vepre penale kanë kryer të pandehurit që Gjykata konstaton se janë fajtorë, ndërsa në pikën II të dispozitivit përfshihen të pandehurit Lekaj dhe Berisha për gjithsej 9 veprime të përshkruara në rrethanat faktike dhe si përfundim Gjykata ka konstatuar se Lekaj në bashkëkryerje me të pandehurit Shatri dhe Tahiri, si dhe në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi me të pandehurin Berisha kishin kryer veprën penale – eqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

“Nga arsyetimi për këtë çështje juridike që ndërlidhet me kauzalitetin e veprës penale, gjykata ka dhënë arsye ne aktgjykim ne faqe 153 pasuesi i fundit, por jo për kauzalitetin gjegjësisht nuk ka dhënë arsye se mbi cilin veprim konkret ishte shkaktuar pasoja, pra a ishte shkaktuar pasoja e dëmtimit te buxhetit për shkak te vendimit te Qeverise apo ishte shkaktuar pasoja për shkak te zhvillimit te negociatave nga i pandehuri P.. dhe E…, gjithnjë duke pasur parasysh se neni 20 i Kodit penal ka përcaktuar se, “ Personi nuk është penalisht përgjegjës kur midis veprimit ose mosveprimit të tij dhe pasojës mungon lidhja shkakore”, rrjedhimisht nga aktgjykimi i ankimuar gjykata i referohet veprimeve te ndodhura ne negociata por abstrahon faktin e ekzistimit te një vendimi te Qeverise që rrjedhe se vetëm pas marrjes se këtij vendimi kemi edhe demin e buxhetit që theksohet në dispozitiv, ne anenë tjetër gjykata nuk arsyeton fare lidhjen shkakore ndërmjet veprimeve të të pandehurve dhe pasojës, duke qene se vetëm me vendimin e marr nga Qeveria ishin bërë pagesat ndaj operatorit ekonomik”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Për këtë rast ishin gjykuar dhe dënuar nga Gjykata e Prishtinës ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, me 3 vjet e 8 muaj burgim dhe me dënim plotësues 3 vjet e 6 muaj ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike.

Eset Berisha është dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim dhe dënim plotësues 3 vjet ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës për kohën kur ishte ngritur aktakuza, Nebih Shatri dhe drejtori i Prokurimit Publik në këtë Ministri, Besim Tahiri, janë dënuar secili me nga një vit e tetë muaj burgim dhe me dënim plotësues 2 vjet ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike.

Aktakuza

Prokuroria Speciale më 4 shkurt 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, këshilltarit të tij politik, Eset Berisha, dhe sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, si dhe Besim Tahirit, lidhur me ekzekutimin e pagesës prej 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka”, e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.

Sipas Aktakuzës, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare më 29 shtator 2017.

Sipas Prokurorisë, keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera për autostradën “Arbën Xhaferi” apo e njohur si R6.

Përfundimi i autostradës me kontratën bazë, e cila ishte lidhur në vitin 2014, parashihej të përfundonte më 18 janar 2018, kurse me marrëveshjen e re të lidhur nga të pandehurit, kontrata tashmë do të përfundonte në fund të muajit dhjetor 2018.

Kjo marrëveshje, sipas Prokurorisë, nga të pandehurit ishte lidhur pa kostot financiare, që ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe me Statutin dhe Kodin e Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror. Duke mos përcaktuar koston në marrëveshje, Prokuroria thot që të pandehurit i kanë lënë rrugën hapur kompanisë “Bechtel & Enka” që të paraqesë kërkesë për pagesë.

Tutje, aktakuza thot se Pal Lekaj kishte angazhuar këshilltarin e tij politik, Eset Berishën, që të merret me negociatat me kompaninë “Bechtel & Enka”, për ta caktuar vlerën e marrëveshjes, të cilën e kishin lënë të hapur.

Sipas pretendimeve të organit të akuzës, Pal Lekaj këtë veprim e ka bërë pa pasur pëlqimin e Komitetit Drejtues Ndërministror.

Kjo kërkesë, në vlerë prej 63 milionë euro, ishte paraqitur më 27 nëntor 2017. Pastaj, sipas Prokurorisë, ishte zbritur në vlerë prej 53 milionë euro, pas bisedimeve që kishte zhvilluar Berisha me kompaninë ndërtuese. Me rekomandim të Komitetit Drejtues Ndërministror, Qeveria e Kosovës e kishte aprovuar kërkesën në qershor 2018, raporton Kallxo.

Në trend Lajme

Më shumë
Analistët: Votat nga diaspora mund të përcaktojnë formimin e institucioneve

Analistët: Votat nga diaspora mund të përcaktojnë formimin e institucioneve

Lajme
Fetoshi nga OCTOPUS: Nëse Kurti do sa më shpejt ta formojë qeverinë, e ka gati Limajn

Fetoshi nga OCTOPUS: Nëse Kurti do sa më shpejt ta formojë qeverinë, e ka gati Limajn

Lajme

"Sikurse ajo e Muzeut Kombëtar në Gdansk të Polonisë", dizajneri Komoni konteston origjinalitetin e logos fituese të Muzeut të Artit Bashkëkohor

Lajme
A i ra pishman AAK-ja për koalicionin me Nismën, Gjini: Nuk duhet ndryshuar fjalët e fushatës

A i ra pishman AAK-ja për koalicionin me Nismën, Gjini: Nuk duhet ndryshuar fjalët e fushatës

Politikë
Gjetjet e Gjykatës së Apelit lidhur me prishjen e vendimit dënues në rastin e Pal Lekajt dhe të tjerëve

Gjetjet e Gjykatës së Apelit lidhur me prishjen e vendimit dënues në rastin e Pal Lekajt dhe të tjerëve

Drejtësi
Mbajti të ngujuar me forcë dhe nën kërcënimin e armës gruan dhe vëllain e saj – arrestohet gjakovari, pritet t'i caktohet masa e paraburgimit

Mbajti të ngujuar me forcë dhe nën kërcënimin e armës gruan dhe vëllain e saj – arrestohet gjakovari, pritet t'i caktohet masa e paraburgimit

Kronika e Zezë
Kalo në kategori