Policia e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in, ka sekuestruar dje dhjetë detonatorë ndezës me fitila në afërsi të fshatit Gnjezhdan në Leposaviq.

Lidhur me këtë ka reaguar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka paralajmëruar se institucionet e sigurisë janë të vendosura të luftojnë çdo kërcënim ndaj qytetarëve.


"Serbia përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës Shtrirja e Policisë së Kosovës, prania e institucioneve tona të sigurisë, ka bërë të mundur që të tilla mjete që do të përktheheshin në sulme të rrezikshme terroriste, të kapen e të shmangen apo minimizohen raste të sulmeve të rënda që për qëllim kanë shkaktimin e dëmit, krijimin e pasigurisë dhe kësisoj frikësimin e qytetarëve”, ka shkruar Sveçla.

Ai shtoi se Policia e Kosovës, institucionet e sigurisë e mbi të gjitha Republika e Kosovës është e vendosur në luftën përballë bandave kriminale, të cilave do t’i përgjigjet ashtu siç e meritojnë.

“Kushtetutshmëria, ligjshmëria, rendi dhe drejtësia do të ngadhënjejnë mbi çdo celulë terroriste, mafioze e kriminale", u shpreh Sveçla.

Ndryshe ky rast u raportua sot në raportin 24 orësh të policisë, ku thuhet se është kontaktuar edhe prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Armëmbajtje pa leje”. /Telegrafi/