Site icon Telegrafi

Gjergj Kastriot Skënderbeu në botën gjermanike

Dorian Koçi

Epopeja e madhe e Gjergj Kastriot Skënderbeut, përveçse ndikimeve gjeopolitike që pati në rajon ka meritën se solli në vëmendje të Perëndimit sërish Arbërinë, nëpërmjet thirrjeve për ndihmë krijimin e aleancave dhe mobilizimin kulturor, moral dhe fetar ndaj osmanëve që po mundoheshin nëpërmjet pushtimeve të ashpra të asimilonin brenda perandorisë së tyre këto territore.

Në Arbëri, ku bëhet rezistencë zbarkojnë vullnetarë dhe trupa ushtarake napolitanë, katalanë, gjermanë dhe anglezë të gjithë të përbetuar për të luftuar osmanët dhe për të mbrojtur Evropën dhe krishterimin. Edhe pse numri i tyre nuk është i përfillshëm për të ndaluar valën e pushtimit otoman, letrat dhe kancelaritë që përfaqësojnë, idetë dhe kulturën që sjellin bëjnë të mundur që ideja e Evropës në Arbëri dhe të një territori kontinuiteti me Evropën të konkretizohet nëpërmjet aleancave të ndryshme që ata i kërkojnë Papës së Romës për të udhëhequr luftën kundër osmanëve.

Vetë, udhëheqësi shqiptar, Skënderbeu është i ndërgjegjshëm se vepron në mbrojte të Evropës në gjithë korrespodencën që ai ka me princat evropianë, por dhe ata vetë nuk mënojnë ta njohin kontributin e tij në këtë përpjekje fatale. Papa i Romës e shpall atë Atlet të Krishtit, kurse i dërguari special i Papës, kalorësi anglez John of Newport do t’i shkruajë atij se e vetmja rezistencë serioze ndaj osmanëve ishin shqiptarët dhe se po të binte kjo fortesë, atëherë shumë shpejt ata do të ishin në Itali. Pikërisht në këtë vetëdije të Skënderbeut por edhe të njohjes së aksionit të tij politik nga Evropa shërbeu dhe vepra e Marin Barletit për jetën dhe bëmat e heroit shqiptar.

Një rol thelbësor në këtë drejtim sidomos në diasporat e mërguara jashtë, por dhe në shtresën e stratiotëve që ishin ushtarët mercenarë në shërbim të fuqive evropiane, kryesisht nga Dalmacia, Shqipëria dhe Greqia, ka luajtur vepra e Marin Barletit “Historia e Skënderbeut” (1508-1510). Në veprën e tij Barleti tregon se zotëron një kulturë të gjerë dhe humaniste. Libri i tij është i rëndësishëm jo vetëm për të lexuar jetën dhe aktivitetin e Skënderbeut por edhe pse jep një vizion të qartë të idesë së Evropës, nëpërmjet pangjirikëve për shpëtimin e Evropës apo përshkrimin e gjallë të territorit të osmanëve dhe zakoneve të tyre. Çdo qytet apo ngjarje në libër trajtohet njëherë nëpërmjet traditës greko-latine por dhe i bëhet jehonë kërkesës për një unitet evropian kundër forcës shkatërruese të osmanëve. Kjo traditë humaniste mundi të vazhdojë të zhvillohet në pjesën veriore të Ballkanit, Kroaci dhe Slloveni të cilat nuk ranë nën sundimin otoman dhe si pjesë integrale të Perandorisë së Shenjtë Austriake zhvilluan një profil të qenësishëm evropian së bashku me kombësitë e tjera të Evropës Qendrore.

“Historia e Skënderbeut” e shkruar nga Marin Barlet në gjuhën latine u përkthye më pas edhe në shumë gjuhë të botës. Historia e Skënderbeut e Barletit u botua përgjatë viteve 1508-1510. Botimi i parë u bë në Romë ndërmjet vitit 1508 dhe 1510 (botimi i dytë: Strasburg, 1537, botimi i tretë: Frankfurt am Main 1578, botimi i katërt: Zagreb, 1743) dhe u përkthye në gjermanisht (1533), italisht (1554), portugalisht (1567), polonisht (1569), frëngjisht (1576), spanjisht (1588) dhe anglisht (1596).

Në gjuhën gjermane kjo vepër u përkthye nga Johann Pinicianus (1478 – 1542) dhe pati dy botime në 1537 dhe në 1578. Skënderbeu paraqitej në botën gjermanike pas një kontrasti të madh kulturor që kishte formuar ndarja e Evropës në dy pjesë pas invadimit osman. Në vitin e largët të 1450, kur Johanes Gutenberg shpiku shtypshkronjën, Kruja, kryeqyteti i Shqipërisë në kohën e Skënderbeut po vuante rrethimin e saj të parë nga Sulltan Murat II. Ishte koha kur Skënderbeu me fitoret e tij mbi osmanët filloi të kthehej në shpresën dhe vullnetin e Evropës. Skënderbeu mbrojti me sukses Krujën kundër tre rrethimeve të organizuara nga Murat II dhe Mehmet II, dy nga pushtuesit më të tmerrshëm të asaj periudhe, që udhëhoqën ushtritë më të fuqishme në botë. Por, në të vërtetë, Skënderbeu ishte më shumë se sa thjesht një komandant i talentuar ushtarak; ai ishte gjithashtu një njeri i Rilindjes Evropiane dhe Humanizmit që po niste të shfaqej në atë kohë në Evropë. Veprimet e tij ushtarake kundër osmanëve ishin njëkohësisht edhe veprime kulturore dhe politike.

Ilustruesi i “Historisë së Skënderbeut” të Marin Barletit, botimit të dytë në gjermanisht është miniaturisti dhe piktori gjerman Jost Amman, (1539-1591). Amman lindi në Cyrih të Zvicrës në një familje intelektuale me prejardhje gjermane. Më 1560 u shpërngul në Nuremberg të Gjermanisë ku jetoi deri në fund të jetës së tij. Studioi në Francë, bashkëpunoi me piktorë të dëgjuar dhe bëri piktura në qelq për familjet e shquara. Tërhoqi vëmendjen e tipografëve të Nurembergut për gdhendjen e gravurave në dru. Ai realizoi mjaft portrete të personaliteteve të mbretërve të Francës. Amman përdori inicialet e tij në gravurë për identifikim vetjak.

Një gravurë e rrallë e Ammanit lidhet me episodin e dyluftimit të Skënderbeut me një sfidonjës. Gravura të tjera informojnë ardhjen e Skënderbeut në atdhe, dhe gjithashtu trajtohen betejat e lavdishme të Skënderbeut kundër turqve si dhe momentet e fundit të jetës së tij. Në një nga këto gravura kemi pasqyrimin e qytetit të Krujës si një qytet mesjetar evropian ku në sfond dallohen disa kisha, arkitektura antike, tempuj me kolonada, ndërtesa monumentale me harqe dhe stil gotik, muret me kontraforte, porta e madhe e hyrjes, në pjesën kulmore të kompozimit gravuror mbi një tjetër kullë të rrumbullakët ngrihet pak i anuar në shtizë një flamur i madh me shqiponjën dykrenare, flamuri heraldik i Skënderbeut.(Moikom Zeqo. Gravuristi Jost Amman, Skënderbeiada e artit. Drita. – 1 prill, 2007).

Amman portetizon një Skënderbe si një hero evropian, të veshur si një fisnik evropian të kohës krejt të ndryshëm nga sa jemi mësuar ta shikojmë në portret e shekullit të XIX. Ajo që e dalloi Skënderbeun nga të gjithë udhëheqësit e tjerë të Ballkanit ishte vullneti i tij i pakushtëzuar për të luftuar. Në krahasim me fqinjët e tij, ai jo vetëm përpiqej të siguronte mbijetesën e tij politike duke manovruar midis fuqive të mëdha, por ishte gjithashtu i vendosur të sillte fundin e sundimit osman në Evropë. Synimi i tij ishte kërkimi i lirisë dhe një ideal i këtij koncepti të Evropës, i cili pas veprimit të tij ushtarak dhe politik filloi të merrte formë dhe dimension. Ky synim ishte me rëndësi vendimtare dhe shërben për të shpjeguar këmbënguljen e tij, refuzimin absolut të tij për kompromis me sulltanin, siç kishin bërë krerët e tjerë të Ballkanit. Kështu kryengritja e tij, e cila së shpejti do të kishte ndikim mbi të gjithë historinë evropiane, u kthye në një synim të vetë historisë evropiane.

Jost Amman nuk ka qenë në Arbëri por nëpërmjet imagjinatës së vet përmes leximit të veprës së Barletit pikturon një qytet të tipologjisë evropiane të kohës. Sot nuk kemi shumë të dhëna për Krujën mesjetare sesi ka qenë qyteti në brendësi të tij por kemi vetëm një objekt muzeal që i përket Muzeut të Krujës. Kjo është një kambanë e një kishe të Krujës e datuar nga viti 1462. Këtë të dhënë e kemi nga konsulli francez i Shkodrës, A. Degrand. Në vitin 1901 ai botoi një udhëpërshkrim, ku tregonte dhe per dy kambana, që ishin të lëna në mëshirën e fatit në rrënojat e kishës brenda mureve rrethuese të kështjellës së Krujës. Njëra nga këto ishte bashkëkohëse me epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit, e derdhur në bronz në vitin 1462 (MCCCCLXII), me përzierje metalesh të çmuara.

Menjëherë u vunë në lëvizje tregtarët e relikeve e antikuareve, por fatmirësisht këtë relike të çmuar që iu trashëgua shqiptarëve si shenjë i epokës së lavdishme të tyre e bleu i mirinformuari Shtjefën Gjeçovi, i cili më pas e skicoi vizatim në dy pamjet, që ruhet në AQSH, Tiranë ku ruhet fondi i tij arkivor). Pas peripecish të shumta kjo kambanë gjendet në Muzeun e Krujës dhe është ndër objektet më me vlerë të këtij Muzeu. Këtë kambanë e ka dëgjuar dhe Skënderbeu (pasi është e asaj kohe) dhe mendohet se ajo i përkiste Kishës së Shën Andreas (Fondi Muzeor i Muzeut Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Krujë). Nuk është fort e qartë nëse Shën Andrea ishte shenjti mbrojtës i Krujës siç dinë për Shkodrën që është Shën Stefani, por me siguri ka qenë një nga kishat kryesore të Krujës.

Pikërisht në këto gravura shikojmë këtë vullnet dhe dëshirë për të luftuar çka e dalloi atë nga prijësit e tjerë evropianë të kohës. Ishte mendimi evropian, i cili rimishëroi figurën e Skënderbeut si një personalitet evropian, humanist dhe udhëheqës ushtarak për të projektuar imazhin e një Evrope të unifikuar dhe luftuese kundër osmanëve. Figura e Skënderbeut do të shfaqet në mendimet e monarkëve evropianë me veprimet e tij dhe vendosmërinë për të luftuar kundër pushtuesve osmanë që kërcënuan Evropën. Mbretëresha e Anglisë, Elizabeth I, shkroi në librin e saj të lutjeve në 1559: “17 janar. Sot shënohet përvjetori i vdekjes së princit të mirë, Skënderbeut, mbretit të Epirit, i cili asgjësoi turqit”. Ishte kulmi i pushtetit otoman nën sundimin e Sulejmanit të Madhërishëm që kërcënoi të gjithë Evropën dhe figura e Skënderbeut frymëzoi monarkët e Evropës për rezistencë kundër osmanëve. Në shekullin XVI, mbrojtja kundër osmanëve ishte bërë temë qendrore në Evropën Qendrore dhe Juglindore dhe figura e Skënderbeut frymëzoi të gjitha rrjedhat e shoqërisë evropiane.

Bibliografi:
Eqrem Zenelaj. Album Historik. Prishtinë, 2006
Moikom Zeqo. Gravuristi Jost Amman, Skënderbeiada e artit. 1 prill, 2007
Fondi Muzeor i Muzeut Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Krujë

Exit mobile version