Gjakova Trail 2025 – gara që bashkon sportin, natyrën dhe komunitetin

Më 14 shtator 2025, qyteti i Gjakovës do të mirëpresë edicionin e tretë të garës Gjakova Trail, një ngjarje që tashmë është bërë pjesë e kalendarit sportiv në Gjakovë.
Gara do të mbledhë vrapues nga Kosova dhe rajoni, duke ofruar jo vetëm sfida sportive, por edhe një përvojë të veçantë në natyrë dhe kulturë.
Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit gara do të nisë dhe përfundojë në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës, duke sjellë një atmosferë unike në zemër të qytetit. Staza (traka) e garës do të shtrihet nga çarshia deri në natyrën e bukur të Shkugëzës, për të kthyer pjesëmarrësit sërish në sheshin e vjetër historik.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të zgjedhin mes disa distancave 10km dhe 21km. Përveç sportit, Gjakova Trail synon të promovojë turizmin, trashëgiminë kulturore dhe natyrën e qytetit, duke e kthyer Gjakovën në një pikëtakim të vrapuesve dhe dashamirëve të sportit në përgjithësi.
Organizatorët theksojnë se përgatitjet janë drejt fundit dhe interesimi për regjistrime është gjithnjë në rritje. Gara mbështetet nga Komuna e Gjakovës dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, si dhe nga partnerë e mbështetës të rajonal dhe lokal.
“Mos e humbisni mundësinë të bëheni pjesë e kësaj aventure unike, ku sporti, natyra dhe kultura bashkohen në një garë të paharrueshme!”
Regjistrimet janë të hapura në: https://syncrace.com/events/ /Telegrafi/















































