Gërvalla i kundërpërgjigjet Gjuriqit: Po e shfaq ADN-në e tij politike, ishte kryesori në instalimin e sistemit ‘proxy’ të Vuçiqit

Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla i është përgjigjur ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, i cili sot në orët e mëngjesit ka shkruar lidhur me shpërthimin në kanalin e ujit në Ibër Lepenc.
Gërvalla në një postim në Twitter shkruan se Gjuriq më në fund po e nxjerr ADN-në e tij politike, duke përdorur gjuhën e urrejtjes dhe duke fajësuar viktimën për sulmin e Serbisë në infrastrukturën kryesore të Kosovës.
“Gjuriq më në fund ka shfaqur hapur ADN-në e tij politike, duke përdorur fjalor urrejtje dhe fajësuar viktimën për sulmin e Serbisë ndaj infrastrukturës kryesore të Kosovës.
Nga viti 2013 deri në 2020, Gjuriq ishte kryesori në instalimin e sistemit ‘proxy’ të Vuçiqit, duke përfshirë terroristë si Radojçiq, të cilin e takoi pas sulmit të 23 shtatorit. Turp”, shkruan Gërvalla.
Ndryshe, sot, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq tha se Serbia dënon sulmin ndaj kanalit të ujit në Ibër Lepenc. /Telegrafi/











































