Hysen Gecaj, ish-ushtarak, ka thënë se Kosova nuk është më target i lehtë për kundërshtarët e saj, sidomos pas pranimit të fajësisë së agjentit të BIA-s serbe, Aleksandar Vlajiq, i cili është dënuar sot me 5 vite burgim.

Ai ka thënë se arrestimi e deri te vendimi dënuese i agjentit të BIA-s serbe është mesazh tejet i rëndësishëm.


Sipas tij, ky rast tregon se Kosova nuk është më ajo që ka qenë dikur, pasi që kapacitetet e saj të sigurisë janë ngritur lart në aspektin profesional.

“Institucionet e sigurisë së Kosovës kanë arritur në një nivel të lartë të zhvillimit në kuptimin e mbrojtjes dhe parandalimit të mundshëm të ndërhyrjeve të huaja inteligjente në çfarëdo forme qofshin ato,” ka thënë ai, në FIVE të RTV Dukagjini.

Më tej, Gecaj ka thënë se Serbia, që nga viti 1999, është munduar që të ndërtojë një bazament në Republikën e Kosovës ku do të ndërhynte me lehtësi.

Ndërsa, avokati Arbër Jashari, ka folur lidhur me pranimin e fajësisë së agjentit të BIA-s serbe, Aleksandër Vlajiq i cili u dënua sot me 5 vite burgim.

Jashari ka thënë se pranimi i fajësisë është një vendim strategjik i mbrojtjes, i cili ka përfitime si për të pandehurin, ashtu edhe për prokurorin, por edhe për gjykatën.

“Ky është një vendim historik, pavarësisht nëse është me pranimin e fajësisë apo në çfarëdo forme tjetër do të ishte, duke qenë se për herë të parë, ndoshta në këtë formë, po dënohet një person i cili është vërtetuar në instancën e shkallës së parë se ka kryer veprën penale të spiunazhit. Dihet që këto vepra penale hyjnë ndër veprat penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, me një rrezikshmëri të lartë ndaj rendit dhe sigurisë publike”, ka thënë ai.

Avokati Jashari ka shtuar se deri më tani është supozuar, dhe është menduar, se në Kosovë kanë vepruar apo po veprojnë shërbimet e huaja, por nga sot, sipas tij, kemi një vendim gjykate dhe një person të dënuar për një vepër të tillë me rrezikshmëri të lartë.

Ai tutje ka thënë se vendimi i sotëm gjyqësor ndaj agjentit serb të BIA-së serbe tregon mbi të gjitha për punën e mirë të AKI-së dhe institucioneve të tjera të sigurisë në vend por edhe institucioneve të drejtësisë./Dukagjini/