Gazetari serb Predrag Popoviq ka komentuar daljen e fundit të nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili ishte parë në Manastirin e Banjskës, pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës.
Popoviq thekson se Radoiçiqin mund të pret përgjigjja e njëjtë sikurse e kriminelit serb i luftës, Milan Martiq që i kishte dhënë kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
“Vrite veten! Tani Milan Radoiçiqin mund ta presë të njëjtën përgjigje nga shefi i tij Aleksandar Vuçiq”, ka shkruar Popoviq.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar një video nga sulmi i terroristëve ndaj Policisë së Kosovës, në të cilin shihet Radoiçiq.
“Kryekrimineli Radoiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, ka njoftuar Sveçla.
Kujtojmë se në mëngjesin e së dielës, ora 02:34, zyrtarë të Policisë së Kosovës janë sulmuar në fshatin Banjskë, ku si pasojë ka mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe një është plagosur.
Në shkëmbimin e zjarrit mes policisë dhe terroristëve serbë, kanë mbetur të vrarë tre sulmues. /Telegrafi/