Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, informoi sot se në takimin e rregullt me koordinatorët e grupeve parlamentare, u konkludua se Projektvendimi për krijimin e një komisioni hetimor për ngjarjen tragjike në Koçani, i paraqitur nga "E Majta" dhe LSDM, nuk është në rregull sepse ata po kërkojnë të kenë shumicën në Komision, dhe kanë edhe një kryetar.

Gashi shpjegoi në konferencën informative me gazetarët se partitë opozitare po kërkojnë një shumicë që nuk është në përputhje me Rregulloren e Punës, duke iu referuar nenit 124 të saj, dhe për këtë arsye iniciativa për krijimin e një komisioni hetimor është kthyer për shqyrtim të mëtejshëm.


LSDM dhe "E Majta" kërkojnë që, përveç kryetarit, LSDM dhe BDI të kenë nga katër deputetë, OBRM-PDUKM tre, VLEN dy dhe ZNAM një.

Gashi informoi se në Kuvend nuk është paraqitur asnjë propozim për anëtarë të rinj të Qeverisë dhe se nuk mund të thotë se kur do të paraqiten, por kur kjo të ndodhë, mund të thirret menjëherë një seancë.

Lidhur me Kodin Zgjedhor, Kuvendi duhet të informohet nga Ministria e Drejtësisë nëse po punohet mbi një tekst të ri, përpara se të vendosë nëse do të formojë një grup pune me deputetë për të punuar mbi ndryshimet e tij./Telegrafi/