Gareth Bale paraqet një ofertë të përmirësuar për të blerë Cardiff Cityn

Ish-sulmuesi i Real Madridit dhe Uellsit, Gareth Bale, i cili u pensionua në vitin 2023 në moshën 33 vjeçare, po drejton një konsorcium për të blerë Cardiff Cityn, një klub i League One me seli në qytetin e tij të lindjes.
Sipas mediumit The Times, grupi i Bale ka bërë një ofertë të dytë, që tejkalon 40 milionë funte (46 milionë euro) për të blerë Cardiff Cityn.
“Ne jemi të interesuar për Cardiffin. Është klubi i qytetit tim të lindjes, ku jam rritur. Xhaxhai im, Chris Pike, ka luajtur atje”.
“Të jesh pjesë e grupit të pronarëve është një ëndërr. Do të doja shumë ta ndihmoja klubin të rritet dhe të kthehet në Ligën Premier, aty ku i takon", deklaroi Bale.
Vincent Tan, pronari aktual i klubit, është i hapur për shitje pas rënies së Cardiff nga Championship në League One.
Ndërsa oferta e parë e Bale u refuzua, diskutimet me Tan janë duke vazhduar dhe palët mund të jenë më afër një marrëveshje. /Telegrafi/














































