Pas shpalljes së zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, subjektet politike kanë nisur të zyrtarizojnë kandidatët që do të garojnë për të marrë drejtimin e komunave për katër vitet e ardhshme. Megjithatë, ambiciet për postin e kryetarit shpeshherë po sjellin përplasje edhe brenda vetë partive politike.

Një garë e nxehtë pritet të zhvillohet në Komunën e Drenasit, e cila aktualisht udhëhiqet nga PDK me Ramiz Lladrovcin në krye. Sipas të gjitha gjasave, Lladrovci do të përballet jo vetëm me kundërshtarët politikë, por edhe me bashkëpartiakët e tij, të cilët kanë shprehur haptazi synimin për të kandiduar për këtë post, transmeton Telegrafi.


Deri më tani, Petrit Hajdari ka konfirmuar gatishmërinë për të hyrë në garë, duke kërkuar ndryshime në qeverisjen lokale të Drenasit. Kjo e bën garën brenda PDK-së edhe më interesante dhe të paparashikueshme.

Ndërsa, Sejdi Hoxha po ashtu në një postim në Facebook, ka kritikuar qeverisjen në Drenas, ku edhe sipas shkrimit të tij, nënkuptohet se edhe ai mund të jetë kandidat i mundshëm për kryetar të Drenasit.

Derisa, kandidatët shprehin ambiciet e tyre, nga Partia Demokratike e Kosovës para dy ditësh njoftuan se kanë nisur zyrtarisht procesin e shqyrtimit të kandidaturave për kryetarë komunash, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Ky vendim vjen menjëherë pas mbajtjes së Konventës së Përgjithshme të PDK-së më 21 qershor, ku Memli Krasniqi u rizgjodh në krye të partisë.

Nga PDK deklaruan se të gjitha kandidaturat do të përmbyllen deri në mesin e muajit korrik, në mënyrë që kandidatët të kenë kohë të mjaftueshme për përgatitje.

Çfarë deklaruan kandidatët për zgjedhjet e 12 tetorit?

Ramiz Lladrovci

"Qytetarë dhe media të nderuara, pas shumë thirrjeve tuaja dhe pyetjeve nga mediat, rreth kandidaturës time për kreun e komunës së Drenasit, theksoj si vijon: Kam qenë dhe mbetem kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Drenasit, i përkushtuar për të vijuar me projektet dhe punën që po e bëjmë në pajtim me mandatin dhe mundësitë që i lejon ligji".

Petrit Hajdari

"Të dashur qytetarë të Komunës së Drenasit. Ju keni folur, unë ju kam dëgjuar: PO, DO TË KANDIDOJ PËR KRYETAR KOMUNE. Rrugëtimit tim politik me Partinë Demokratike të Kosovës, të nisur me strukturat rinore dhe me vizionin e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, po ia shtoj një kapitull të ri. Ky kapitull buron drejtpërdrejt nga kërkesa e madhe qytetare, nga dialogjet e panumërta me secilin prej jush dhe nga vota e fuqishme, masive dhe e papërsëritshme që mora në Drenas më 9 shkurt".

Sejdi Hoxha 

"Bazuar në vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së të datës 4 qershor 2025, konkretisht në pikat 2 dhe 4, sot është vetëm dita e parë e hapjes së mundësisë për kandidim për Kryetar të Komunës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, afat do të ketë mjaftueshëm deri më 15 korrik.  Situata politike në Drenas është e lënduar, veçanërisht në proceset zgjedhore lokale, si pasojë e pakënaqësive dhe hatërmbetjeve të grumbulluara ndër vite. Kjo gjendje kërkon kujdes të veçantë dhe trajtim serioz. Unë besoj fort se ndryshimi për të mirë është i mundur. Ai mund të ndodhë përmes një qasjeje të re, të bazuar në respekt të ndërsjellë, bashkëpunim të sinqertë dhe energji pozitive".

Ndryshe, Ramiz Lladrovci është duke udhëhequr me Komunën e Drenasit që nga viti 2016. Në zgjedhjet e 12 tetorit, ai po tenton ta marrë timonin e Drenasit edhe për një mandat të katërt./Telegrafi/