Galaxy Watch Ultra i Samsungut tani ka diçka të jashtëzakonshme për t'u mburrur.

Me sa duket, ora inteligjente u zgjodh për të qenë pjesë e një studimi të vazhdueshëm, të parin e këtij lloji.


Ora u përdor për të monitoruar efektet shëndetësore që përjetojnë astronautët gjatë udhëtimit në hapësirë.

Në studim, Galaxy Watch Ultra u lidh në kyçin e dorës së gjashtë personave.

Këta individë u izoluan në një strukturë testimi në Tokë për tetë ditë, në një mjedis që është projektuar për të treguar efektet psikologjike dhe fizike të një misioni në hapësirë.

Studimi kryhet nga Agjencia Hapësinore Evropiane (ESA), Qendra Gjermane e Hapësirës Ajrore (DLR) dhe Instituti i Mjekësisë Hapësinore.

Studimi i izolimit, i quajtur SOLIS8, është i pari i këtij lloji studimi me orë inteligjente të përdorura për monitorimin e shëndetit.

Ekipi i studimit po bashkëpunon me Samsung Germany dhe ofruesin e shërbimeve IT Adesso.

Ata kanë zgjedhur Galaxy Watch Ultra si një pajisje të lehtë për t’u përdorur, pa kabllo dhe që është në gjendje të regjistrojë dhe mbledhë shenja shëndetësore dhe jetësore, pa lidhje të dhënash.

Përfaqësuesit e Institutit të Mjekësisë Hapësinore kanë thënë se përdorimi i orëve inteligjente në studimin e tyre zbulon se orët mund të përdoren për monitorimin e shenjave jetësore pa pajisje të ndërmjetme dhe madje edhe në situata sfiduese.

Ekipi gjithashtu thotë se enkriptimi i sigurt dhe lehtësia e përdorimit të orëve inteligjente hapin perspektiva të reja në eksplorimin e hapësirës.

Të dhënat e mbledhura gjatë testit tani po përdoren për të informuar një "Biobazë" të krijuar nga DLR, shkruajnë mediat e huaja.

Kjo Biobazë është e dedikuar për monitorimin e sistemeve të mbështetjes së jetës dhe shenjave jetësore të këtyre "habinautëve", ku astronautët kalojnë më shumë kohë në hapësirë në një mjedis të kontrolluar dhe të izoluar.

Dhe vjen pas një studimi tjetër, përsëri me partneritetin e Samsung, i cili ndihmoi në përcaktimin nëse orët inteligjente të pamodifikuara mund të funksiononin në hapësirë.

Të gjitha rrjedhat e të dhënave të koduara dhe leximet e sensorëve u testuan me sukses.

Gjatë këtij studimi, Galaxy Watch Ultra ishte i lidhur me një rrjet lokal Wi-Fi.

Të gjitha të dhënat e tij u mblodhën, u enkriptuan dhe u përpunuan në nivel lokal, sipas firmës IT Adesso.

Çdo pjesëmarrës duhej ta vishte Galaxy Watch Ultra gjatë gjithë kohës, sigurisht, përveç kohës kur po karikohej.

Pjesëmarrësit nuk ishin thjesht të mbyllur në një dhomë; ata u vendosën në simulime të misioneve reale hapësinore.

Kishte tre burra dhe tre gra në izolim të plotë, pa kontakt të jashtëm dhe pa dritë dite për tetë ditë.

Pjesëmarrësit gjithashtu duhej të ndiqnin një orar të rreptë se kur duhej të hanin, flinin, ushtroheshin dhe madje të bënin dush.

Këto studime izolimi tregojnë dhe i ndihmojnë studiuesit të kuptojnë se si kushtet në hapësirë mund të ndikojnë te astronautët.

Sipas Sarah Piechowski-Worms, e cila drejtonte studimin, të dhënat janë ende të kufizuara.

Studimi SOLIS8 me Galaxy Watch Ultra ishte në gjendje të ofronte të dhëna më të thella mbi efektet e periudhave të gjata të udhëtimit në hapësirë, si dhe mbi mënyrën se si njerëzit funksionojnë në hapësira të mbyllura dhe orare të rrepta.

Aktualisht, të dhënat nga studimi po vlerësohen, kështu që rezultatet e studimit nuk janë publikuar ende.

Por, natyrisht, mund të shohim se ky është vetëm fillimi.

Studimi tjetër, i cili do të quhet SOLIS100, do të fillojë në të ardhmen dhe do të zgjasë 100 ditë.

Do të përfshijë si një ekuipazh kryesor ashtu edhe një ekuipazh rezervë. /Telegrafi/