Site icon Telegrafi

Futbolli kosovar në zi, ndahet nga jeta në moshë të re gjyqtari Rilind Berisha

Opinioni sportiv në Kosovë ka marrë një lajm të kobshëm sot (e hënë) gjatë ditës. 

Gjyqtari i ri dhe me perspektivë Rilind Berisha, është ndarë nga jeta në një moshë shumë të re. 

Për vdekjen e tij ka reaguar edhe Federata e Futbollit të Kosovës si dhe komuniteti sportiv më gjerë, ku në mesin e tyre ishte edhe trajneri i Rilindjes, Faruk Statovci. 

“Lindi na theve shpirtin me ikjen tënde, Allahu të qoftë në lula të xhenetit”, ka shkruar ish-futbollisti i njohur kosovar.   

Për vdekjen e gjyqtarit Berisha reagoi edhe FFK-ja përmes një telegrami ngushëllimi. 

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Rilind Berisha, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”. 

“Ikja e hershme nga kjo botë e një personaliteti të përkushtuar ndaj futbollit, siç ishte Rilindi, ka trishtuar të gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë. Ju si familje duhet të gjeni forcë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe dhe ta kujtoni atë përherë me krenari”. 

“Rilindi ishte një futbollist i përkushtuar, por edhe një gjyqtar premtues, i cili dha kontribut të çmuar në ndarjen e drejtësisë në Ligën e Dytë”, thuhej në telegramin e ngushëllimit nga FFK-ja. 

Telegrafi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, miqve dhe të gjithë komunitetit sportiv./Telegrafi/

Exit mobile version