Komuna e Mitrovicës, përmes Drejtorisë së Administratës, ka bërë funksionalizimin e shërbimeve të Gjendjes Civile brenda Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, me qëllim të lehtësimit të procedurave administrative për qytetarët.

Me këtë rast, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Enis Osmani, së bashku me drejtorin e Administratës, Alban Fejzullahu, kanë vizituar sot këtë zyrë për t’u informuar nga afër rreth shërbimeve që ofrohen dhe kushteve në të cilat operon ajo.


Sipas njoftimit, për disa muaj kjo zyrë kishte qenë jashtë funksionit, duke i detyruar nënat lehona që për regjistrimin e fëmijëve dhe kryerjen e procedurave të tjera administrative të shkonin në objektin e komunës.

Me rikthimin e shërbimeve të Gjendjes Civile në ambientet e spitalit, qytetarëve u ofrohet mundësia që këto procedura t’i kryejnë më lehtë dhe më shpejt, pa pasur nevojë për udhëtime të panevojshme, duke rritur kështu efikasitetin dhe komoditetin e shërbimeve publike. /Telegrafi/