Frederik Ndoci, Donald Trump dhe Iluminati!
Nga: Ben Blushi
Frederik Ndocin e gjeta në një kafe. Po fliste me gruan në “Skype”.
- Ja, më tha, - kjo është gruaja ime e fundit.
- Është e pesta, - thashë unë.
- Është e fundit, - tha Frederiku.
- E beson që je e fundit, - pyeta gruan.
- Se merr njeri Rikun pas meje, - tha gruaja.
- Pse të thotë Rik, - pyeta Frederikun.
- Edhe Rri dhe Ik, - tha Frederiku, d.m.th. bëj ç’të duash.
- Kur ke ardhur, - i thashë.
- Kam 70 ditë në Tiranë, - tha.
- Ç’bën këtu?
- Po pres të më japin një dekoratë, - tha Riku, - më thanë hajde urgjent.
- Po ç’është kjo urgjencë 70 ditë, - e pyeta.
Procedurat, - tha Riku, - kam bërë një dosje të plotë ja shife.
- Nuk me duhet dosja, a ke bërë ndonjë këngë?
- Kam bërë, - tha Riku.
- Si quhet, - i thashë.
- Kënga e Pijes.
Ma këndo, - i thashë.
- Dikush pin për me kthye shnetin
Dikush pin se asht mësu
Dikush pin me çel bisedën
Dikush pak me e provu.
- Po ti për çfarë pi, - e pyeta.
- Unë pi për të çel bisedën, - tha Riku.
- Sa këngë ke bërë gjithsej?
- 400 janë të orkestruara.
- Kush ka më shumë këngë se ty?
- Askush, - tha Riku, - a e di ç’a më thoshte Robert Radoja?
- Ma thuaj, - i thashë.
- Berti më thoshte që kur të vdesësh do harrohesh shpejt, sepse askush nuk i këndon dot këngët e tua pasi zëri yt është i pazëvendësueshëm.
- Po ti je fetar, - a beson te jeta pas vdekjes?
- Besoj sigurisht, - tha Riku.
- Po ty kush të ka krijuar prindërit apo Zoti?
- Materien, d.m.th. trupin, ma kanë krijuar prindërit, kurse shpirtin ma ka dhënë Zoti, - tha Riku
- Ku jeton në Amerikë, - e pyeta.
- Në Tampa Bej, - tha Riku.
- Herën e fundit që jemi takuar jetoje në Nju-Jork.
- Nju-Jorku u bë i pajetueshëm nga kovidi.
- Pse, të zuri kovidi? - e pyeta.
- Kovidi nuk ekziston, - tha Riku.
- Mua më kanë vdekur shokë nga kovidi, - thashë unë.
- Është sajesë e Iluminatit, - tha Riku, - më beso.
- Po pse e sajoi Iluminati, kovidin, ç’a thua kështu, - i thashë.
- Për të zvogëluar botën. Plani i tyre është që bota të ketë 600 milionë banorë.
- D.m.th. do vdesin nja tetë miliard të tjerë po thua?
- Po tha Riku, pas kovidit do kontaminojnë ujin, do shofësh çfarë do ndodhë.
- Po çfarë interesi ka Iluminati që vret njerëz, a nuk i duhet fuqi punëtore bizneseve të tyre?
- Kanë shpikur robotët që zëvendësojnë njerëzit dhe nuk kanë pse paguajnë pensione dhe mbajnë miliarda me ushqime. Ata duan t’i zhdukin të varfrit.
- Kush janë Iluminati, - pyeta.
- Janë të majtët, Morgan, Rokfeler, Rothshild, këta janë ata që kërkojnë Rendin e Ri.
- Unë nuk i besoj këto gjëra, - i thashë, - por ndoshta bota ka nevojë për një Rendin e Ri, për një resetim.
- Ja dhe ti je si këta, - tha Riku, - dikur kam pasur besim te ty, bëre dhe një parti shumë të mirë pastaj shkove prapë me këta.
- Po si mund të besoj se kovidi u sajua për të vrarë njerëz? - i thashë.
- Po - tha Riku, - kovidi shpërndahet me dron nga ajri.
- Ku janë këta dron, s’kam parë gjë?
- Dalin natën, - tha Riku, - hedhin pluhur mbi qytete.
- Rik a ka njeri që frenon Iluminatin?
- Vetëm një njeri mund ti frenojë, - tha RIku.
- Kush, pyeta unë
- Donald Trump, - tha Riku.
- Trump i humbi zgjedhjet, - thashë unë.
- Ia vodhën, 82 për qind e Amerikës votoi për të.
- Ç’a thua, - i thashë, - edhe ti beson që zgjedhjet në Amerikë vidhen?
- Unë kam fakte, - tha Riku, - unë jam Trump Team, ata ndryshuan fletët e votimit në shumicën e shteteve.
- E ti më thua pse e le partinë, kur i vjedhin votat Trumpit po mua si nuk mi vjedhin?
- A e di kush ia vodhi votat Donaldit?
- Kush? - e pyeta.
- Vatikani, - tha Riku.
- Rik, - i thashë, - je dhe katolik si mund të thuash që Vatikani vjedh vota.
- Po, sepse Papa është me Iluminatin dhe hakerat e Vatikanit vodhën votat në Amerikë, po ju këtu në Evropë nuk keni informacion.
- Sipas teje fiton prapë Trump?
- Qind për qind, - tha Riku.
- E çfarë ndodh nëse fiton?
- Do ketë luftë, tha Riku.
- Prapë luftë, e pyeta unë.
- Do jetë ndeshja finale mes Iluminatit dhe Templarëve, të majtët janë Iluminati, Trumpi përfaqëson Templarët.
- Akoma me këto histori prej një mijë vitesh, ça thua kështu Rik?
- Është betejë e madhe, - tha Riku, - a e di që këta luftojnë për sekretet e Mbretit Solomon?
- Çfarë sekretesh kishte Mbreti Solomon?
- Solomoni kishte sekretin e pavdekësisë, - tha Riku.
- Edhe ti beson që dikush e ka formulën e pavdekësisë?
- Ore, shif Soros nuk po vdes akoma, është kthyer në dinozaur.
- A je vaksinuar? - e pyeta.
- Unë jam antivaks, - tha Riku.
- Si mund të jesh kundër vaksinës, atë e provon shkenca, - thashë unë.
- Ma jep numrin e vaksinës të të them nga çfarë sëmundje do vuash, sepse bashkë me vaksinën të kanë futur sëmundje në trup.
- Kur do ikësh në Amerikë? - e pyeta.
- Këto ditë, - tha Riku.
- Nuk do e presësh dekoratën e Presidentit?
- Nuk e di a do ma japin, edhe këtu drejton Iluminati.
- Po ç’i duhemi ne Iluminatit, Shqipëria është shumë e vogël, - thashë unë.
- A e ke parë flamurin tonë, - tha Riku.
- Natyrisht që e kam parë.
- Ato dy kokat e shqiponjës me gjuhë jashtë janë gjarpërinj, është simbol i Iluminatit.
- Po pse Iluminati e vuri simbolin e vet te flamuri jonë dhe nuk e vuri te flamuri italian apo francez, ç’a thua kështu, ai është simbol bizantin, - thashë unë.
- E ke gabim, - tha Riku, - edhe Perandoria Osmane ishte krijesë e Iluminatit.
- Do bëjmë ca fotografi, - e pyeta.
- Bëjmë, - tha Riku, - por do nxjerrësh dy simbolet e mia.
- Kush janë simbolet e tua? - e pyeta.
- Kryqi në vesh dhe kapela në kokë, - tha Riku, - njëra më bën katolik tjetra xhentëlmen.
- Do ti nxjerr, - thashë unë.
- Mos harro të më çosh numrin e vaksinës të të them nga se do vdesësh, - tha Riku.
- Nuk dua ta di, - thashë unë.
- Mirë tha Riku, nëse ndonjëherë bëhesh kurioz, më merr në telefon …






























