Site icon Telegrafi

Frati i sarajeve të myslimanëve

Historia e At Erazmit nga Balneo, bazuar në kujtesën e rrallë të At Zef Pllumit-

Arta Marku

“Lexues i dashtun, e kupton mirë se të shumtën e herës, në pleqni, kujtesa ligshtohet, kështu do të kesh falje nëse ktu nuk ka data t’sakta historike, por paraqitet një fenomen i veçantë në të gjithë saktësinë e tij… Fakti asht se në historinë e popullit shqiptar, tashma të kthyem në islamizëm, fenomeni i pashallarëve Bushatlli të Shkodrës ose bashkëpunimi mes myslimanëve shqiptarë dhe kristianëve, kje e para shkëndijë e pavarësisë së Shqipnisë nga pushtimi osman. Asokohe sundojshin në trojet e shqiptarëve dy pashallëqe të mëdha: Pashallëku i Shkodrës, drejtue nga dera e Bushatllive dhe pak ma vonë, në rend të dytë, ishte personi i Ali Pashë Tepelenës në Jug, si Vezir i Janinës…”, ia nis rrëfimit të tij At Zef Pllumi në hymjen e librit, duke na futur sakaq, njëherazi në kohën për të cilën shkruan dhe në kohën në të cilën shkruan.

Koha për të cilën shkruan është e largët, koha në të cilën shkruan është e vonët. Edhe pse duket e papërfytyrueshme lidhja me hyrjen e mësipërme, por edhe brenda vetë fjalisë, titulli i librit është “Frati i pashallarëve Bushatlli të Shkodrës”, të cilin autori e quan “kronikë e gojdhanë” kurse protagonist i tij është një prift katolik, figurë interesante e mbërritur nga errësira e gjysmës së dytë të viteve 1700. Jemi në Shkodër dhe rrotull saj…

***

Erazmo Balneo ishte një misionar katolik i asaj ane e asaj kohe që mbërrin nga përtej detit. Në fund le kronikën e vet për kohën që jetoi sepse, siç duket, kishte gjëra që ia vlente të mbeteshin, pa u zhdukur humbellave të harresës. Harresa në fakt i punoi rrengje kronikës origjinale, por historia mbeti gjithsesi e bashkë me emrin e Balneos mbërriti deri në kohën tonë, duke i sfiduar 230 vjetët midis.

Në krye të herës, siç dhe ishte e natyrshme, kronika balnjojane ruhej në bibliotekën françeskane. Ndoshta nuk binte fort në sy ama ishte aty. Aty e pat gjetur dhe lexuar At Zef Pllumi, ende i ri, kur At’ Anton Harapi e mori si ndihmës në bibliotekë, ende larg kohës së mbërritjes së komunizmit. Gjysmë shekulli më pas, veç kur mundi të rikthehej në bibliotekën françeskane, e kërkoi më kot librin e Balneos. Atëherë vendosi: do ta rishkruante historinë, mbështetur në kujtesën e vet. Dhe kujtesa, sado ai ia kishte frikën duke besuar se n’pleqni ajo ligshtohet, gjithsesi, nuk e la në baltë…

***

Ja si e përshkruan At zef Pllumi “takimin” e parë me Balneon:

“Dy herë në javë, në një orar të caktuem shkojshem n’arkivë. E para punë më duhej me fshi pluhnat. Nuk di si hijshin aty, raftat ishin të mbyllun e të punuem mirë, por shpesh më duhej me i shpuplu dosjet e bardha. At Anton Harapi pat ble dosje kartoni, asokohe moderne, në të cilat vendoste dosjet e vjetra, që në shumë raste kishin të shkruar sipër vitin. Në kto raste, tuj kqyr çfarë kishin brenda, gjeta një regjistër të vogël, të lidhur me lëkurë të butë, ngjyrë kafe t’errët me letër të vrazhdë, sikur të librave të vjetër. E hapa dhe në faqen e parë kishte të shkruar si frontespic:

Un, fra Erazmi nga Balneo,
i Urdhnit të fretënve reformatorë,
Misionar apostolik në Shqipni.

Ndërsa në faqen e dytë ishte titulli:

Si u bana mjek personal i Mahmud Pashës në Shkodër.
E nxora atë regjistër të vogël nga dosja dhe e mora në dhomën time me e lexu…”

***

Historia e rrallë e At Zef Pllumit zë fill në fund të viteve ’40 të shekullit XX. Ai do ta zbulonte ditarin e Balneos në Arkivin Françeskan pikërisht në kohën kur këtij i kanosej rreziku i zhdukjes. Komunistët donin ta fshinin me gomë, si të mos kish qenë, këtë thesar. E netët ishin shndërruar për Pllumin, në orë të gjata leximesh e seleksionimesh. Kontakti me kronikën e Balneos ishte një zbulim për Pllumin e ri. Dhe si të tillë s’mund ta shpërfillte. Ishte një copëz historie e parë nga një dritare tjetër, kësaj here edhe më bindëse edhe më e besueshme për saktësinë e saj, pasi shihej nga dritarja përkundruall. A thua se do t’a kish ditur se “regjistri i vogël, i lidhun me lëkurë të butë, ngjyrë kafje t’errtë, me letër të vrazhdë, sikur të librave të vjetër”, do t’i hupte faqes së dheut, Fra Zefi do ta lexonte e rilexonte tri herë brenda javës. Derisa ta njihte përmbajtjen e paraqitur me një kaligrafi të bukur e të qartë, njëlloj sikur të kish qenë pjesë e jetës së tij. Sikur t’a kish ditur se një nga misionet e tij, caktuar nga lart, ishte rinxjerrja në dritë e kronikës së humbur të Balneos.

Pastaj erdhi një kohë tjetër. Për një periudhë të gjatë, rreth 60 vjet, At Zef Pllumi s’do të mund të bënte më shumë sesa ta ruante në kujtesë atë lexim. Nuk ndodh përditë që një françeskan të shkruajë për një Pasha mysliman. E si një ngjarje e rrallë, edhe kujtesa i kish bërë një vend të mirë për ta ruajtur. Koha s’e cënoi, as mosha, asgjë, veç ndoshta iu lëmua ndonjë cep që nuk i bën dëm figurës së tërë.

Pastaj, siç ndodh gjithnjë me kohën që rrjedh, sërish mbërriti një kohë tjetër dhe At Zef Pllumi e rinxorri nga kujtesa për t’ia dorëzuar bibliotekës thesarin që e kish mbajtur me kujdes, për t’ia dorëzuar kujtesës me K të madhe kësaj here.

***

Historia e rrallë e At Erazmo Balneos zë fill pak kohë pasi mbërriti si misionar françeskan në Shqipërinë e viteve 1700, nën sundimin osman. Ishte koha kur nuk qe aspak e lehtë, madje qe e rrezikshme të ishte katolik në Shqipëri. Por, një mrekulli mbërrin siç mbërrijnë mrekullitë për t’i sprapsur rreziqet, për të ndryshuar tërësisht, veç të tjerash edhe kushtet në të cilat jetonte një prift katolik i asaj kohe, i sapombërritur nga përtej detit për të ndihmuar në mbajtjen gjallë të krishterimit:

…Balneo, së bashku me shoqëruesin e tij Vukën, tek kalonin buzë rrethimit të varrezave të myslimanëve, pasi kish rënë nata, për të mos u diktuar, dëgjojnë një zë të mbytur, një si vaj që dilte si nga fundi i dheut. Njohuritë mjekësore që Balneo kishte, e orientojnë sakaq. Nuk ishte çfarë mendonte Vuka, nuk ishin zërat e turqve të munduar nga Juda: dikë e kishin shtënë të gjallë nën dhé… Prifti dhe shoqëruesi i tij e zhvarrosin dhe e rikthejnë në jetë të voglën e Hajdar Rusit dhe ja çojnë t’atit në shtëpi…

Një mrekulli e pashpresuar, apo jo? Prifti, siç duket, lëvizte natën se ditën ishte i rrezikuar. Lëvizte i shoqëruar sepse rreziqet nuk dihej se nga vinin. Sidoqoftë, ky duhet të ishte rrugëtimi i fundit i rrezikuar i tij. Prej këtij çasti ja nis kthesa për Balneon dhe gjithë komunitetit katolik në Shkodër. Pas këtij çasti, fillon e ngjizet, për t’u bërë e pazgjidhshme, miqësia e Balneos me Mehmet Beg Bushatin (më pas Pasha), ndërsa afëria qysh në vitet e para të jetës me të birin, Mahmut Pashën e mëvonshëm, e lejuan priftin katolik mes të tjerash, të bëhej kronikan i një epoke të rëndësishme.

***

Kronika zbulon jo vetëm një figurë dimensionale siç ishte Mahmud Pashë Bushati, apo i ati, por bën një panoramë tejet mbresëlënëse të Shkodrës së shekullit XVIII, të veprave social –fetare apo infrastrukturore të ngritura atë kohë, zakoneve, mënyrës së të jetuarit, mentalitetit apo luftrave qytetare të herëpasherëshme, e shumëçka tjetër zhvilluar midis viteve 1756-1788, gjatë të cilave Balneo qëndroi në Shqipëri.

Interesante janë imtësitë mbi edukimin e Mahmud Bushatit, mësimet e italishtes, latinishtes, të historisë së Skënderbeut (të adhuruar prej Pashait), figurave të tjera me prirje perëndimore apo që mbërrinin prej perëndimit, që do të ndikonin jo pak në konceptin e tij të mëpasëm për të qenë “një mbret i lirë”… “E ç’i duhen Mahmud Begut gjuhët e dhenave të ltinit?” Asaj kohe në fakt një pyetje e tillë që bëhej shpesh nga myslimanët, ishte krejt e përligjur. Por Erazmo Balneo e dinte se për çfarë i duheshin të riut që do të bëhej pashë. E dinte i ati, Mehmet Pasha gjithashtu dhe shumë shpejt e kuptoi edhe Karamahmut Pasha i ardhshëm.

***

“Kur djali i Mehmet pashës, i gjatë si lisi u ba 18 vjeç, i gatshëm për martesë, me brente dyshimi se ndoshta sëmundja e fminisë nuk do t’i ishte shërue krejtësisht e mendova me e dërgue jashtë, në Raguzë, që ta shifshin një herë doktorat ma të mirë që ishin atje. Këtë ia thashë Mehmetit: djali duhej të bante një udhëtim në Raguzë. Mehmeti hapi sytë, më kqyri i pakënaqun e gati nervoz më tha: Heqim efendi, gjithkush e din se ti je prift i krishtenë… me ty kam pas deri tash marrdhanie të mira, të kjarta si drita e diellit e tepër miqsore. Por ndigjo: në rast se ty të shkon mendja me ma ba djalin kaurr, ta dish mirë se këtu nuk të la me hi. Këtu, nuk të la…”, rishkruan bazuar në kujtesë At Zef Pllumi. Sidoqoftë Mehmet pasha iu bind Erazmo Balneos edhe kësaj here. Kuptohet, jo për konvertim besimi. Absolutish jo. Por e la të birin, në shoqërinë e priftit që të shkonte e takonte doktorët e Raguzës, ashtu sikurse e kishte lënë më parë, mendjehapur, të mësonte prej priftit latinisht, italisht, greqisht e plot mësime të tjera të programeve perëndimore…

***

At Zef Pllumi e ka quajtur Kronikë e gojdhanë rrëfenjën e vet të cilën do ta shkruante doemos pasi do të zbulonte se Balneo nuk gjendej as në Arkivin e Shtetit e as në Bibliotekën Kombëtare. Kronikë e gojdhanë, pasi kujtimet e veta do t’i plotësonte apo verifikonte me rrëfenja që kishin udhëtuar përgjatë 200 vjetëve gojë më gojë.

Është një kronikë e rrëfyer ëmbël, me tonet e një gjysmë përralle e gjysmë të vërtete që vjen nga një penë e stërvitur në këso shkrimesh.

Një gegnishte e butë e me një pasuri leksiku, e shoqëruar aty këtu me turqizma të pashmangshme në rastin kur protagonistë janë myslimanët, i jep prirjen ekuilibruese librit edhe në një mënyrë tjetër. E megjithatë, një vlerë e tillë, e domosdoshme gjithsesi për t’a bërë të këndshëm aktin e leximit, vjen pas vlerës dokumentare. Kronika e një italiani për Shqipërinë nën sundimin otoman, pra kronika dikujt që s’është as shqiptar e as turk, e shkarkuar nga emocionet nacionaliste, i ka të gjitha shanset për t’u bërë më e besueshme dhe e pranueshme nga të gjithë. Një i krishterë flet për një mysliman, një i krishterë di të vërejë vlerat e një myslimani dhe të ndërtojë portretin e tij pa tendenca apo shtrembërime. Dhe kjo më mirë se kudo mund të thuhet në Shkodër, më mirë se kurdo në kohën e pushtimit osman, më mirë se nga kushdo prej një të huaji, mbërritur prej “dheut të ltinit”. Nga Erazmo Balneo, misionari apostolik, frati i pashallarëve Bushatllinj gjithashtu.

Exit mobile version