LAJMI I FUNDIT:

Fotografia më e mirë e Sherrie Nickolit

Fotografia më e mirë e Sherrie Nickolit
Sherrie Nickol (foto: David Katzenstein)

Gazetarja Amy Fleming në bashkëbisedim me fotografen Sherrie Nickol / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur shkoj në ndonjë vend të ri, me vete gjithmonë e marr fotoaparatin. Vëzhgoj se si njerëzit lidhen me njëri-tjetrin – qoftë nëse janë mes të huajve, qoftë me familjet apo me miqtë. Jam duke e vëzhguar gjuhën e trupit, duke pritur momentet emocionuese dhe të sinqerta njerëzore, atë prekje apo puthje të veçantë.

Ky imazh i të dashuruarve të rinj – një moment vërtet i bukur – u fotografua në Piza të Italisë, në vitin 1999. Gjithë këto çifte të të rinjve u shpërndanë mbi bar. Ishte pamje përrallore. Kënaqeshin me njëri-tjetrin dhe as që më vunë re teksa vrapoja për t’i bërë fotot e tyre.


Foto: Sherrie Nickol

Më pëlqen të fiksoj disponimin. Kërkoj momentet e pazakonta të përditshme. Ishte një vajzë e vogël me një fustan të bardhë të bukur në Kopshtin botanik [Jardin des Plantes] në Paris. E shikoja duke luajtur, kur ra në një pellg me baltë. Ishte aq e mërzitur. Të gjithë rreth saj përpiqeshin ta ngushëllonin dhe të pastronin fustanin e saj, por në të njëjtën kohë po qeshnin. E dija se do të bëhej një foto e mrekullueshme. Dy vjet më vonë, kur u ktheva në Paris, kontaktova nënën dhe rregullova takimin me të dhe me vajzën e saj. Kur ua dhashë shtypin e atij momenti, që të dyja nisën të qeshin.

Kur djali im hynte në adoleshencë, e nisa serinë time Mes tinejxherëve [Between-Teen]. Ishte rreth vitit 2000 dhe fotografoja atë dhe miqtë e tij. Më pas iu drejtova fëmijëve të miqve të mi, para se të mbushnin 14 vjet – që është koha kur bëhen më të vetëdijshëm. Fillimisht isha veçse nëna e shokut të tyre duke bërë foto. Në përgjithësi më injoruan, gjë që më lejoi të jem e pavërejtur.

Puna ime është përzierje e fotove të sinqerta dhe pozave. Ndonjëherë fotografoj një grup në publik dhe them: “Më lejoni të bëj një fotografi në grup”. Dhe, ata bëhen gati. Pastaj them: “Në rregull, bëhuni të natyrshëm”. Shumica e njerëzve janë pozitivë dhe të përgjegjshëm – kam pasur vetëm një përvojë të keqe në publik. Kur fotografoja një skenë me shumë njerëz, në një plazh publik në Mejn, një person i moshuar u ngrit në këmbë dhe më bërtiti që të ndaloja, pastaj nisi të më përndiqte. Për fat të mirë, isha më e re dhe më e shpejtë!

Kam studiuar fotografinë në Universitetin e Sinsinatit. Kur fillova të bëja fotografi, ndjeja se e kisha gjetur profesionin tim. Më vonë u transferova në Nju-Jork, gjë që ishte shumë e frikshme, duke qenë e vetme në një vend të madh e të çuditshëm. Por, më pas mora mësime në Qendrën Ndërkombëtare të Fotografisë [International Center of Photography.]. Shumë shpejt nisa të gjeja rrugën time. Për një kohë kam punuar si asistente e fotografisë, më pas kam filluar të punoj si e pavarur. Përfundimisht, u bëra fotografe e stafit në një revistë biznesi në Nju-Jork, një pozicion i rrallë në këtë fushë. Aty punova për gjashtë vjet dhe ata ma dhanë gjithë lirinë që doja. Pasi u largova, hapa studion time duke punuar me klientë komercialë, por bëj edhe punë artistike.

Më pëlqejnë projektet e gjata dhe të vazhdueshme. Seria ime Fytyra ime përball [My Face to Face] eksploron bukurinë dhe dinjitetin e grave. “Merreni grimin tuaj me vete”, ju them atyre. “Vishni diçka në të cilën ndiheni për mrekulli”. Më pëlqen ajo që bëj.

***

Sherrie Nickol: CV

Vendlindja: Oskeola, Arkanzas.
Trajnimi: Universiteti i Sinsinatit dhe Qendra Ndërkombëtare e Fotografisë.
Ndikimi: Henri Cartier-Bresson, Lillian Bassman.
Suksesi: Publikimi i librit tim të ardhshëm.
Dështimi: Shpërngulja në Nju-Jork pa e njohur askënd në profesionin e fotografisë.
Këshilla: Ndiqe zemrën dhe interesat personale. Dhe, vazhdoni kështu.

/Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Nga ishin Kastriotët?!

Nga ishin Kastriotët?!

Kulture
Koreja e Veriut u shndërrua në një ferr në tokë - falë vetëm një njeriu

Koreja e Veriut u shndërrua në një ferr në tokë - falë vetëm një njeriu

Kulture
RUBAIRAT

RUBAIRAT

Poezi
RACIZËM

RACIZËM

Poezi
Poeti që kalëron me kohën

Poeti që kalëron me kohën

Kulture
“Hitleri në Ferr”

“Hitleri në Ferr”

Kalo në kategori