Foshnja e porsalindur në Mitrovicë diagnostikohet me problem në zemër, sigurohen fondet për trajtim

Në Spitalin e Përgjithshëm i Mitrovicës më 20 shkurt 2026, ka lindur një foshnje, e cila pas lindjes është diagnostikuar me një problem serioz në zemër.
Zëdhënësi i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Shpend Fazliu, ka konfirmuar rastin për Telegrafi.
“Ju konfirmojmë se foshnja për të cilën keni shprehur interesim ka lindur në Spitalin e Mitrovicës më 20 shkurt 2026. Pas lindjes, foshnja është konsultuar nga mjeku neonatolog i Spitalit të Mitrovicës, i cili gjatë ekzaminimit ka vërejtur praninë e një zhurme në zemër. Prindërve u është bërë fletëlëshimi me rekomandim për konsultë të mëtejshme te mjeku kardiolog”, ka deklaruar Fazliu.
Lidhur me trajtimin e mëtejmë, ka folur edhe drejtori i Klinikës së Neonatologjisë në Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Luan Morina, i cili ka theksuar se institucionet publike veprojnë sipas procedurave në fuqi për rastet që kërkojnë trajtim jashtë vendit.
“Ne si institucion, çdo patologji apo problem shëndetësor që nuk trajtohet brenda institucioneve tona publike në Kosovë, udhëzohet për trajtim jashtë vendit. Të gjitha shpenzimet i mbulon Fondi për Trajtim jashtë vendit që është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Njëjtë kemi vepruar edhe me foshnjën, të cilës i është rregulluar dokumentacioni për të aplikuar në Fond dhe për të siguruar mjetet për trajtimin e saj”, ka thënë Morina.
Ndërkaq, sot është bërë thirrje nga famijarët e foshnjës për mbledhjen e fondeve për shërimin e saj.
Babi i foshnjës, Besmir Azemi përmes njëpostimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se shuma e nevojitur është mbledhur për shërimin e vajzës.
“Mbulueshmëria e Qeverisë së Kosovës dhe transporti me aeroplan është 30.000 euro, kurse pjesa e transportit dhe akomodimi me Ndihme Aeroplan është 15.000 euro. Shuma momentale e dorëzuar nga ana juaj na mbulon këto shpenzime. Ju falenderoj secilin nga zemra për çdo kontribut tuaj. Do j’ua përcjelli dhe shumën e mbledhur për trajtimin e vajzës time. Çdo donacion që është jashta shpenzimeve të juaja do të dergohet në shoqata për ndihmë për persona tjerë të prekur”, ka shkruar babai i foshnjës, Besmir Azemi. /Telegrafi/




















































