Site icon Telegrafi

Fondi Monetar Ndërkombëtar synon rritjen e rezervave financiare të emergjencës

Rritja e rezervave të emergjencës tek Fondi Monetar Ndërkombëtar me 650 miliardë dollarë mund të rrisë besimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë botërore nga pandemia COVID-19.

Shefja e FMN-së, Kristalina Georgieva lajmëroi planet për t’i prezantuar bordit një propozim formal për një shtesë prej 650 miliardë dollarë deri në muajin qershor, duke rritur likuiditetin e anëtarëve, pa shtuar barrën e borxhit.

Emetimi i fundit i Fondit prej 250 miliardë dollarë në vitin 2009 gjatë krizës botërore financiare, ndihmoi në nxitjen e rimëkëmbjes.

Sipas Georgieva, kjo do të ofrojë gjithashtu burime për vendet anëtare që të luftojnë pandeminë, mbështesin programin e vaksinave dhe masat e emergjencës.

Drejtoresha e FMN-së pritet që javën e ardhshme të prezantojë raportin e ri mbi “Perspektivën Ekonomike Botërore”, ku do të ketë projeksionet e fundit mbi ekonominë.

Nëse miratohen, rezervat shtesë, që mund të kthehen në valutë nga vendet anëtare apo të ndahen me shtetet në nevojë, do të disponohen më vonë gjatë vitit. /Telegrafi/

Exit mobile version