Site icon Telegrafi

FLORI Diamonds ia dhuron Presidencës së Kosovës një brosh me numër 1133, të stolisur me 109 diamante në kujtim të fëmijëve të zhdukur nga lufta

Kompania vendore, FLORI Diamonds ia ka dhuruar Presidencës së Kosovës një borsh të kuruar me shumë kujdes, i cili është i stolisur me 109 gurë të çmueshëm në kujtim të fëmijëve të zhdukur nga lufta.

Kjo dhuratë u dorëzua nga përfaqësuesi i kompanisë, Trim Gjota, i cili gjatë javës së kaluar, për nder të 1 qershorit, Ditës së Fëmijëve, vizitoi presidenten Vjosa Osmani bashkë me një grup të baletit të fëmijëve, me performancë artistike nga koreografja Rreze Qerreti, si dhe Ilda Nuhiu e Arta Haiziri.

“Kjo ditë iu dedikua 1133 fëmijëve të pafajshëm që u vranë në mënyrën më makabre nga regjimi gjenocidal serb gjatë luftës së viteve 1998-1999, ndërkaq numri i fëmijëve të vrarë përgjatë gjithë viteve të 90-ta është edhe më i madh”, thuhet në njoftimin për media të Presidencës.

“Kujtesa për ta do të jetë e gdhendur përjetësisht në një brosh të kuruar me shumë kujdes nga FLORI Diamonds, i cili është i stolisur me 109 gurë të çmueshëm në kujtim të 109 fëmijëve ende të zhdukur”.

Osmani ka thënë se ky brosh do të mbetet në Presidencë si rikujtim i çdoditshëm dhe përmes tij do të jehojë anembanë botës në mënyrën e vet të heshtur, por kumbuese, historia e secilit nga fëmijët./Telegrafi/

Exit mobile version