Klubi i mirënjohur turk e ka fituar “Kupën e Republikës”, pasi e fitoi ndeshjen 2:0. Sivasi ka dominuar gjatë tërë lojës, në të cilën, megjithatë, rezultati ishte në plan të dytë, pasi primar ishte vëllazërimi dhe marrëdhëniet e forta në mes të këtyre dy klubeve.


Vendësit kanë kaluar në epërsi në minutën e 17-të përmes Orhan Gylle, ndërsa golin e dytë e realizoi pikërisht zëvendësuesi i tij, Beykan Simsek, në minutën e 80-të. Në anën tjetër, prishtinasit kishin disa gjysmëraste, të cilat megjithatë nuk i shfrytëzuan.
“Në 15-20 minutat e parë kishim një lloj treme, por më pas gjithçka u normalizua dhe në pjesën e dytë luajtëm shumë më mirë.


Jam i kënaqur me lojtarët e mi, kjo është forca jonë, dhe në ndërkohë, kjo ishte forca e Sivassporit. Sidoqoftë, rezultati në këtë ndeshje nuk ishte shumë i rëndësishëm”, u shpreh pas ndeshjes trajneri Ramiz Krasniqi, i cili ua dha rastin thuajse të gjithë futbollistëve që i kishte në bankë, në pjesën e dytë.


Ndeshja u zhvillua në stadiumin aktual të Sivassporit, ‘4 Eylul Stadium’, pasi stadiumi i ri kishte probleme teknike dhe nuk u bë hapja e tij zyrtare, siç ishte paralajmëruar. Tifozët turq nga Sivasi e kanë konfirmuar miqësinë e mirë me kosovarët, duke brohoritur shpesh “Kosova, Kosova”, por edhe “Prishtina, Prishtina. Në fund, trofeun e këtij turneu e mori klubi turk, i cili i bëri pritje madhështore klubit më të madh kosovar.


Presidentët shkëmbejnë dhurata
Ndeshjen Sivasspor – FC Prishtina e kanë ndjekur bashkë, presidenti i FC Prishtina, Remzi Ejupi dhe ai i Sivassporit, Mecnun Otyakmaz, të cilët kanë shkëmbyer dhurata, bashkë me drejtuesit tjerë të dy klubeve. /Zëri/ 

telegrafi sport app