Site icon Telegrafi

Fishta arkitekt – mit a realitet?

Nga: Frano Kulli

Një syth monografik i Fishtës, përmendur më rrallë prej biografëve të tij, është edhe dimensioni projektues i tij. Vetëm, tani së fundi, ka zënë vend në një projekt kulturor: “Itinerari kulturor – gjurmët fishtiane”. Nën hijen e rëndë të veprës së vet madhore letrare në të gjitha gjinitë e krijimtarisë; epikë, lirikë, dramatikë, satirë, publicistikë, thua ka qenë e arsyeshme të ndodhte kështu ?

Opera Omnia

Sipërmarrja e parë dhe më serioze për botimin e veprës së plotë letrare të Fishtës u ndërmor, siç dihet, nga Instituti i Studimeve shqiptare, kryetar i të cilit qe Ernest Koliqi. Nisma zë fill pak ditë para datës 10 tetor 1942, datë, të cilën mban në krye letra që nga ky Institut i drejtohet provinçialit të Françeskanëve, në Shkodër, At Anton Harapi. Letra fillon me: “I dashuni shok” – dhe vijon “Sikurse kemi nda në mbledhjen e pergjithëshme mbajtun me 21 shtatuer k. v [të këtij viti], në të cilën more pjesë edhe Ti, do të ja nisim veprimit për botim të “Opera Omnia [vepra e plotë]” të të ndjerit At Gjergj Fishta, shok i jueji rregulltarie dhe Antar i Institutit tonë. ” Në korespondencën e mëpasme priten e përcillen propozimet, e përballen idetë rreth botimit. At Antoni, në emër të “grupit që do të kurojë botimin”, i gjegjë: të botohen të gjitha veprat e auktorit, tue perfshi edhe artikujt e letrat e botueme. Më pas theksohet rendi kronologjik, veprat të dallohen mbas gjinish: satirika, epika, lirika, dramatika, proza. Proza të rregullohet simbas planit që ka lanë vetë auktori:I-Sociologji, II-Polemikë, III-Ligjirata, IV-Miscellanea [të përzjera]. Në mbarim do të shtohet epistolari …

Siç shihet, ideuesit e botimit të “Opera Omnia”, pra veprës së plotë kanë arsyetuar të përfshihet e gjithë vepra e tij e të gjitha gjinive. Edhe publicistika e epistolari, letërkëmbimi pra, një “gjini” përtej krijimtarisë së mirëfilltë letrare. Ndërsa, as nuk përmendet në këtë rast arkitektura. Qoftë vetëm si një produkt i krijimtarisë së tij intelektuale a artistike. Gjë që nuk ka ndodhë me teatrin, bie fjala. Ashtu siç është botuar si gjini më vehte krijimtaria dramturgjike, mjaft e begatë, janë bërë edhe studime e botime të thella për veprimtarinë teatrore të Fishtës. Madje janë sjellë e publikuar përfundime se Fishta është edhe themelues i teatrit kombëtar, aty në Kuvendin e shkollën “Illyricum” të Shkodrës. Po a mund të zinin disa prej skicave më të zgjedhura, qoftë edhe ndonjë fashikull të “Opera Omnia” ?

Pasë parasysh se jemi , jo më shumë se një vit e do muaj mbasi Fishta ka ndërruar jetë e ka kaluar në amshim e, gjithçka e lënë prej tij është e paprekur, e e ruajtur me kujdes e sqimë të posaçme. Jemi gjithashtu, dy vite e do muaj para se me zbritë pushteti i “të ardhunve prej malit”, kur nis ai çasti i anatemës e rroposjes “shtatë pash nen dhé” të autorit e veprës së tij.

 …  dhe Arkitektura

Simbas të dhënave të derisotme, rezulton se janë njëmbëdhjetë objekte, kryesisht kishtare në Shqipëri ku, në mënyrë tërësore apo të pjesëshme, ato janë edhe produkt i vizatuar prej dorës së tij, çka ndërkohë paraqesin edhe një profil të tij në këtë gjini të krijimtarisë. Kisha e Shëlbuemit Rubik, Kuvendi Françeskan “Zoja Nunciatë” Lezhë, Kuvendi i Troshanit Lezhë, Kuvendi i Motrave Karmelitane – Ipeshkëvia e Sapës Nënshat-Shkodër, Kuvendi Françeskan Gjuhadol Shkodër, Kisha e Zojës Rruzare “Arra e Madhe” Shkodër , Kisha e Shen Kollit Rus-Shkodër , Kisha e Motrave Stigmatine Gjuhadol-Shkodër, Kisha e Shën Mhillit Laç-Kurbin, Kisha e Prekalit-Postribë, Shkolla “Illyricum” Gjuhadol-Shkodër. Po, a e “diplomon” ky produkt projektues arkitekturor, Fishtën edhe si arkitekt ?

At Leon Kabashi [1] (25. 03. 1906-11. 11. 1998), nxënës e mandej edhe koleg mësuesie i Fishtës në liceun “Illyricum”, i vetmi ndër françeskanët e kohës, i cili, përposë studimeve teologjike në Siena-Itali, kryen më pas atje edhe ciklin e plotë të studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura, shkruan: Tue njoftë cillsít e tija artistike, Provinçja françiskane shqyptare e Arqipeshkvija e Shkodres e Dioçezi i Dukagjinit e zgjodhen A. Fishten si arkitekt zyrtar, por pse kû nevojët financiare, kû pamundsija e realizimeve prej anës së kryepuntorëve, arkitektit tonë iu desht sa herë me u kufizue në të endun të pjaneve … ” Për Kishën e Rubikut, ai përmend si vizatime (projekte) të Fishtës “balli i guri s’dhenun i Kishës Monumentale të Rrbigut”, për Kuvendin e Lezhë shkruan “ndertesa e bukur qela[Kuvendi] e Lezhës, ku dritore të mdha të hiejshme grishin udhtarin … ”. Për kishën e Prekalit (Dukagjin), “A. Fishta në bashkëpunim me xansin e mikun e vet Z. Ingjinier L. [Ludovik] Zojsi sajuen, rrealizuen pjanin e ri … në vjetin 1938.

Kurse për Kishën e Motrave stigmatine ajo që vjen e shkruar është kumt më i prerë: “arkitekturë e Fishtës, vjeti 1927”.

Nga kjo dëshmi që na vjen e shkruar prej një bashkëpunëtori krejt të afërt të Fishtës, i vetmi në fushë të arteve të bukura, ku përngjitas me to, han arsye të shënojmë edhe arkitekturën, dy kumtet e fundit na e hapin horizontin e arsyetimit për me arrit në një përfundim përreth definicionit nëse Fishta, përpos se gjithçka tjetër, aq i madh sa ishte, qe edhe arkitekt. Marrim të parin; bashkëpunimin me inxhinierin Ludovik Zojsi, “xansi [nxënësi] dhe miku i vet … Ludovik Zojsi, inxhinier i zoti, mjaft i njohur asokohe në Shkodër e më përtej, projektuesi i Kishë-kapelës në varrezat e Rr’majit, në formën e një akropoli, e cila u inaugurua e bekua në vitin 1937 nga Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gasper Thaçi. [2] Unike dhe e pangjashme me ndonjë tjetër vepër në Shqipëri. Ftesa për bashkëpunim me inxhinierin, që mendja ta thotë se vjen nga vetë Fishta, pa mëdyshje është shprehje e egzigjencës (kërkesës) së tij të lartë, e dallueshme në rendin e punëve që ai merr përsipër. Dhe shembujt ilustrues këtu janë të shumtë. Pa u hallakatë shumë, por vetëm në fushë të arteve po të rrimë, na vjen të kujtojmë ofertën bashkëpunuese që e dëshmon piktori Simon Rrota (1887-1961) [3] në kujtimet e veta. I pari piktor shqiptar i lauruar në Akademinë “Brera”. I ri, para se të nisej për studime, Fishta e fton për të bashkëpunuar në skenografinë e shfaqjeve që përgatiste aty në teatrin e françeskanëve. Sigurisht, mbasi kishte pikasë talentin e djaloshit ëndërrimtar. Një përvojë kjo që lë gjurmë te artisti i ardhshëm e që ai i përkujton me veneracion … Punë të përvetçme, pra këto, por edhe bashkëpunuese, me mjeshtra që i çmonte, si konfermë për sipërmarrjen e për produktin e saj.

Siç është e ditur, Fishta nuk kishte formim skolastik(shkollor) për arkitekturën, përveçse dijeve të përgjithshme për kulturën e artin klasik, që i kishte marrë në ciklet e studimeve të veta teologjike, të filluara që në bankat e mësojtoreve të para të mirëformuara të Shkodres, simotra me ato të Europës e deri në përfundimin e tyre në Livno të Bosnjes. E gjithë ajo çfarë ai intelektualisht prodhoi në këtë fushë është rrjedhë e përftimit autodidakt, të një personi, profili i begatë i të cilit do të shpërfaqej në vijim, shkon në hullinë e cilsive e dallesave që shfaqen, kryesisht te gjenitë. “Ndiqëshe kursin e III t’Akademís së pikturës në vjetë 1933- kujton prap At Leoni [4] – kur rá rasa me vizitue muzejt e disa pinakoteka t’Italis’ bashkë me tê; jam bindë si me dijtë ai, pa ndjekë Akademí, me dhanë gjyqe[gjykime], me bâ krahasime aq t’imta ndermjet shkollave të ndryshme, me shijue bukurít e shprehjet e mbrendshme t’artit … Blète libra, riprodukcione arkitekturet e pikturet autorësh me famë … e, nuk e lëshoi kurr doret traktatin e arkitekturëVignola [5]”. Këmbëngulja e tij në sipërmarrjen krijuese, sikurse edhe në krejt veprimin e vet publik e atdhetar do të shfaqej me të njëjtin temp e nerv edhe këtu. Përposë projekteve konkrete të hartuara e aplikuara prej tij, ai mori përsipër dhe hartoi edhe tekste mësimore të kësaj fushe. Njëri prej tyre është edhe “Permbi pêsë rende t’arkitekturës marë” [6], projekt tekstor i përgatitur për kurset e shkollës “Ilyricum” ku si bazë për këtë punë, autori shërbehet prej botimeve më serioze të shkollës europiane të arkitekturës, “duke mos e lëshuar asnjiherë doret traktatin Vignola”, vlera dhe rëndësia e të cilit është e njohur mirë prej shkollës së arkitekturës edhe sot. Kurse në kreun e dytë të punimit (Leksikologjië Arkitekturet, kryy i Dytë), radhiten disa terma profesionalë të arkeologjisë, për të cilat sillet kuptimi dhe shqiptimi i tyre në dy gjuhët, shqip dhe italisht. Shembull: Lpizë-cornicione( Lpizë quhet sergjia, qi asht njajo drrasë të shumen e herës e dhenun e qi tuj u endë krees s’murit t’odës, del jashta penit të murit. Cornicione, godië gursh, qi buzës s’pullazit a strehës del jashta pênit t’murit). Ose Kryyth- capitello; Krytraa- architráve; Cirkë-goccia, etj.

E bën këtë, siç edhe vetë pohon nga nevoja për të njësuar kërkesën teorike të njohjes së kësaj terminologjie, por edhe me kuptimin e përdorimin praktik të tyre. Duke ruajt e shfaq atë merakun e tij të gjithhershëm për gjuhën, për shqipen.

Udobisht [kollaj, lehtësisht] mundet me ndollë qi êmnat e fjalët teknike n’ket veperz, nuk i pergjigjen krykput natyrës s’gjuhës shqype, por megjith kta nuk do t’qiten poshtë e do t’perdorohen dersa nevoja me kohë t’mos ketë xjerrë prej palcit të gjuhës fjalë kryekput shqyptare. [7] E përkitas me shpjegimin vjen krahasimi elegant, nëpërmjet të cilit del në krye “meraku” për gjuhen shqipe: “Deti, të gjitha njato sende qi nuk bahen nji me natyrë t’tij, a i l’shon n’fund a se, tallaz mbas tallazit, me kohë i qet n’breg. Kshtu asht edhe gjuha; t’tana fjalët, qi nuk pelqejnë me natyrë t’sajë, me kohë i len mas doret … ” [8]

Kurse, Kisha e Motrave Stigmatine, “arkitekturë e Fishtës, vjeti 1927”, pra projekt autentik, fillim e mbarim i tij, është joshëse edhe sot, pas gati një shekulli, jo vetëm për fasadën, por edhe për elementë të tjerë funksionalë-utilitarë, të detajuar si prej një profesionisti të shkallës së epërme. E kam dëgjuar vite më parë dhe, më vjen për mbarë ta rikujtoj, konsideratën e muzikantit të njohur shkodran Gjon Shllaku se: salla e atyshme ka akustikën më të mirë prej sallave që gjinden sot në Shkodër e ndoshta edhe në Shqipëri.

_________

[1]  Leon Kabashi: At Gjergj Fishta në arte. ”At Gjergj Fishta, numer perkujtimuer, botue neper kujdes t’At Benedikt Dema ofm. ”, Shkodër 1941, fq. 54

[2]  Stefan Çapaliku: “Një antologji e vogël e vdekjes”, Botimet Fishta, 2020, fq 40

[3]  Simon Rrota: “Po shkruej për vedi e për Shkodren”, Botimet Fishta, 2018

[4]  Leon Kabashi, Po aty.

[5]  Giacomo da Vignola, (1507-1573), arkitekt i stilit barok, arkitekti kryesor në Romë, pas Mikelanxhelos, hartues i atij që quhet:Traktati Vignola me Pesë urdhërat e arkitekturës.

[6]  Arkivi i shtetit, F. 17(Gjergj Fishta), D. 2-7, Projekte shkollash e kishash, hartuar prej vetë Gjergj Fishtës(dorshkrime)

[7]  Arkivi i shtetit, F. 17(Gjergj Fishta), D. 2-7, ”Permii pêsë rende t’arkitekturës marë”

[8]  Po aty.

Exit mobile version