Fillon rinovimi i shtëpisë së poetit Ymer Elshani

Ka filluar implementimi i projektit për rinovimin e shtëpisë së poetit Ymer Elshani. Ky projekt nën drejtim të Ministrisë së Kulturës, është paraparë të zgjasë një vit, duke synuar ta shndërrojë shtëpinë e shkrimtarit Elshani, në një hapësirë të hapur për vizitorë, duke ruajtur kështu trashëgiminë kulturore dhe kujtesën e tij letrare.
Shkrimtari i veprave të njohura për fëmijë ishte masakruar nga forcat serbe në masakrën e Polkekut gjatë luftës në Kosovë, por krijimtaria e tij mbetet e përjetshme.
Shtëpia e tij do të shndërrohet në muze, ku gjeneratat e ardhshme do të njihen me veprimtarinë e tij artistike.
Fillimisht Ministria e Kulturës e ka realizuar inventarizimin e tërësishëmtë shtëpisë, ndërsa para disa ditësh ka filluar renovimin e tërësishëm në vlerë prej 209,089.30 euro.
"Shtëpia e Ymer Elshanit në Korroticë të Ulët si dhe Veprimtaria e Ymer Elshanit - koleksioni i librave, janë asete të Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje të Përkohshme që nga viti 2023. Projekti i konservimit/restaurimit është hartuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Prishtinës së bashku me bashkëpunëtorë të jashtëm dhe parasheh restaurimin e tërësishëm të ndërtesës, ndërsa kohë më parë është bërë edhe inventarizimi i tërë materialit që ndodhej mbrenda shtëpisë së poetit", deklaruan nga Ministria e Kulturës.
E vetmja e mbijetuar e familjes së shkrimtarit, vajza e tij Teuta Elshani, shpjegon rrugëtimin në ruajtjen e krijimtarisë së babait teksa tha se e ka ruajtur shtëpinë në mënyrë që të jetë në mbrojtje si monument historik e shpirtëror, por shpjegoi se dorëshkrimet e babait i ka botuar në libra.
"Për fatin tragjik jo vetëm të familjes sime por për fatin tragjik edhe të popullit tonë dhe në njëfarë mënyre ky Muze që është i karakterizuar edhe si Muze shpirtëror do ta reflektoj krijimtarinë e shkrimtarit, veprimtarinë e tij, fatin e familjes, sakrificën për liri dhe të gjitha këto besoj se do të jenë një pikë simbolike për vizitorët, sidomos për gjeneratat e reja që të mësojmë më shumë dhe të mos harrojmë historinë e vendit tonë", tha Teuta Elshani, e bija.
Teuta rrëfen se çfarë ka mbijetuar nga krijimtaria e shkrimtarit Elshani që do të ekspozohet në këtë shtëpi muze.
"Ka një mori librash nga autorë të ndryshëm dhe besoj se shuma është diku 2000 deri 3000 libra të cilat do të ruhen në atë bibliotekë në njërën nga dhomat e shtëpisë dhe poashtu vizitorët do të kenë qasje që edhe të kërkojnë libra që ndoshta nuk gjenden diku tjetër e që janë libra shumë të vjetër dhe në kuadër të kësaj poashtu edhe krijimtaria ë Ymer Elshanit", shtoi ajo.
Sipas Ministrisë së Kulturës punimet do të fillojnë këtë muaj, ndërsa parashihet të përfundojnë diku në shtator të vitit 2026./RTK
- YouTube youtu.be














































