Sot ka filluar edicioni i parë i festivalit “Promovimi i traditave dhe kulturës mitrovicase” në Mitrovicë. Ky festival do të zgjasë shtatë ditë dhe do të jetë i lokalizuar tek sheshi “Adem Jashari”.

Në ditën e parë të festivalit u prezantuan ushqime e veshje tradicionale, por edhe pasuritë nëntokësore të qytetit siç janë kristalet dhe mineralet, shkruan Telegrafi.


Valbona Sadiku, drejtoresha ekzekutive e organizatës jo-qeveritare “CECD-FRIENDS”, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se qëllimi i këtij festivali është promovimi i traditave përmes ushqimeve dhe veshjeve tradicionale.

Sadiku ka thënë se gratë ndërmarrëse në Mitrovicë janë pjesë pjesë e prodhimeve të ndryshme vendore.

Ajo ka thënë se të gjitha organizatat jo-qeveritare “kanë bashkuar forcat” për të treguar më shumë rreth traditës, kulturës e ushqimeve tradicionale.

464475848 122129571650384448 244899111004165251 n Pamje nga festivali. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Siç është shprehur Sadiku, brenda këtij festivali ka gra ndërmarrëse që krijojnë veshje kombëtare, punojnë punë-dore, merren me prodhimin e ushqimeve e perimeve e të tjerë.

“Në këtë festival janë duke marrë pjesë të gjitha komunitetet që jetojnë në qytet, komuniteti shqiptar, turk e boshnjak”, ka shtuar ajo.

Sadiku ka bërë të ditur se janë 38 gra që janë pjesëmarrëse në këtë festival, e që të gjitha janë prezente me prodhimet e tyre.

“Sot po e shohim që qyteti dhe Mitrovica është më ndryshe, pse e kemi zgjedhur sheshin ‘Adem Jashari’, është sepse është në qendër, kemi frekuentim të njerëzve më shumë dhe ka mundësi që qytetarët të njoftohen me aktivitetet tona”, ka përfunduar Sadiku.

464410787 122129571686384448 6054234073762164997 n Ëmbëlsirat tradicionale të prezantuara në këtë festival. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Drejtoresha e organizatës jo-qeveritare “Business Women Mitrovica”, Melihate Beshiri, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ky është edicioni i parë i këtij festivali.

“Jemi përkrahur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës”, ka thënë Beshiri.

Ajo ka thënë se presin nga gratë ndërmarrëse të punojnë sa më shumë dhe traditën të mos e harrojnë.

Ndërsa, gruaja ndërmarrëse dhe pjesëmarrëse në këtë festival, Rukie Hajdari, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se do të prezantojë punime dore dhe punime me gjilpërë, të cilat i ka realizuar vetë ajo.

Hajdari ka thënë këto produkte i prezanton vetëm në festivale dhe panaire të tilla.

Në festivalin “Promovimi i traditave dhe kulturës mitrovicase” ajo ka vendosur të shpalos para qytetarëve prodhime të sezonit dimëror, përfshirë këtu qorapet, bluzat dhe këmishat.

Pjesë e këtij festivali ishte dhe pasuria nëntokësore e Mitrovicës, e cila prezantohet denjësisht nga miniera dhe minatorët e “Trepçës”, transmeton Telegrafi.

464386643 122129571656384448 5151924941532089937 n Kristalet e minierës së "Trepçës". Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Ish-minatori, Aziz Neziri, sot ka dalur në festival për t’iu treguar qytetarëve më shumë rreth rolit dhe rëndësisë së kristaleve dhe mineraleve.

Neziri në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ishte minator për 40 vjet.

Ish-minatori ka thënë se puna në minierë para dhe pas lufte ka shumë diferencë.

“Kam punuar 40 vite në minerën “Trepça”, dallimet janë të mëdha, atëherë gjithqka ishte ndryshe, ndërsa pas lufte minerën e kemi gjetur në një gjendje të vështirë”, ka treguar Neziri.

Ai ka potencuar se janë të pranishëm në këtë festival për të treguar pasurinë nëntokësore të Mitrovicës.

“Në këtë festival jena për krejt, fillimisht për kristalet që i kena prej kristalit të galenit, kfarcë, ky kristali tjetër është krejt dukat, krejt këto kristale janë nxjerrë pas luftës”, ka deklaruar ish-minatori, Aziz Neziri. /Telegrafi/