Fillojnë punimet për përmirësimin e rrugëve rurale në Gjakovë

Në fshatrat Rezine, Doblibare dhe Berdosane kanë nisur punimet për rikonstruksionin e rrugëve rurale, një hap i rëndësishëm për lidhjen më të mirë të komuniteteve në këtë rajon.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini në njoftimin e tij tha se në Rezine, Doblibare dhe Berdosane sot u ndezën motorët e makinerive për një tjetër kapitull të rëndësishëm në infrastrukturën rurale të Gjakovës.
Ai bëri me dije se janë planifikuar të përfundojnë 8 akse rrugore me gjatësi prej 1.7 kilometrash, që do të lidhen për të përmirësuar qasjen mes shtëpive dhe fshatrave për banorët.
Gjini theksoi edhe rëndësinë e këtij investimi, duke thënë se “me një investim prej 150,000 €, po sjellim standardin e rrugëve të denja për këta banorë që vazhdojnë të mbajnë gjallë jetën në fshat.”
Ai përmbylli mesazhin me optimizëm për zhvillimin e mëtejshëm të zonës. “Gjakova po ecën përpara, gur për gur, rrugë pas rruge". /Telegrafi/


















































