Milani po tregon ndeshje shumë të mira në fazën përgatitore që po e zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rossonerët kanë mposhtur fillimisht Manchester Cityn me rezultat 3-2, derisa mbrëmë pas mesnate kanë triumfuar ndaj Real Madridit me rezultat 1-0.
Trajneri portugez i Milanit, Paulo Fonseca ka thënë se tre javët e para të tij në krye të kuqezinjve i konsideron shumë të suksesshme.
“Jam i lumtur për kurajën me të cilën luajtën të gjithë djemtë. Kam ndjesi shumë të mira. Sigurisht që rezultati nuk është gjëja më e rëndësishme, por fitorja sjell vetëm të mira”.
“Kemi shumë gjëra për të mësuar, por tre javët e para te Milani i cilësoj pozitive. Po punojmë fort dhe me mendje të hapur. Duelet ndaj Cityt dhe Realit të mbushin plot besim”.
Krejt në fund tekniku portugez foli edhe për dyshen amerikane Christian Pulisic dhe Ahmed Musah të cilët i lavdëroi për cilësitë që kanë.
“Pulisic është fantastik. Cilësia e tij është e pabesueshme, do të jetë shumë i rëndësishëm për ne”.
Sa i përket Musah, unë jam 200% i bindur se do të jetë një lojtar tepër i vlefshëm për Milanin. Sigurisht që duhet të mësojë ende shumë, por ai ka karakteristikat e duhura për të luajtur në skemën me dy mesfushorë përpara mbrojtjes”, deklaroi Fonseca. /Telegrafi/