LAJMI I FUNDIT:

FFK e kënaqur me rrjedhën e garave

FFK e kënaqur me rrjedhën e garave

Garat e këtij kampionati janë duke shkuar mirë, si dhe disiplina e futbollistëve është në nivelin e duhur, por reagimet e disa trajnerëve janë shqetësuese.

Kështu mendon Federata e Futbollit të Kosovës. Komiteti Ekzekutiv i FFK-së sot ka mbajtur mbledhjen e radhës nën drejtimin e Fadil Vokrrit kryetar, ku është debatuar për shumë çështje me rëndësi në futbollin e Kosovës.

“KE shqyrtoi dhe analizoi rrjedhën e deritashme të kampionatit dhe konstatoi se garat në të gjitha rangjet janë duke shkuar sipas dinamikës. Po ashtu në bazë të parametrave u konstatua një disiplinë e mirë e futbollistëve, por KE shpreh shqetësimin për sjellje jo sportive dhe reagimet pa asnjë bazë të disa trajnerëve që pastaj po reflekton tek i gjithë ekipi. Duke u nisur nga fakti se FFK-ja është në prag të pranimit në mekanizmat ndërkombëtar dhe e vetëdijshme se monitorimi nga ana e tyre është i shtuar në këtë kohë, u kërkon të gjithëve që të kenë kujdes dhe të sillen në nivelin që kërkon detyra dhe roli i të gjithëve. KE mbështet gjyqtarët e futbollit të Kosovës në punën e tyre që po e kryejnë në mënyrë profesionale duke i ftuar të vazhdojnë të kontribuojnë në mbarëvajtjen”, është thënë në njoftimin e FFK-së.

Sipas këtij njoftimi, KE shqyrtoi edhe raportin e vizitës ës kryetari të FFK-së Fadil Vokrri dhe sekretarit të përgjithshëm Eroll Salihu në Maltë.


FFK thotë se Kryetari Vokrri i njohu anëtarët e KE për këtë vizitë dhe për kontaktet e shumta që kanë pasur gjatë qëndrimit atje si mysafirë të UEFA-s.

“Për herë të parë krerët e FFK-së ishin bashkë me krerët e federatave evropiane të futbollit që flet shumë për një qasje të re ndaj FFK-së. Sigurisht se FFK-ja është e kënaqur me mbështetjen dhe vullnetin që ka treguar kryetari i UEFA-s Michel Platini bashkë me KE, të cilët morën vendim që çështja e pranimit të Kosovës të vihet në rend të ditës në kongresin e ardhshëm të UEFA-s që do të mbahet në mars të vitit 2016”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Po ashtu KE analizoi përgatitjet për zhvillimin e ndeshjes miqësore ndërkombëtare me Përfaqësuesen e Guinesë Ekuatoriale për të cilat u tha se po shkojnë sipas programit.