Pas suksesit të madh të vitit të kaluar, Gjakova rikthen festivalin “Ditët e Shqiptarit”, një ngjarje kulturore që do të shpaloset përgjatë katër fundjavave të verës: më 18-19 dhe 25-26 korrik, si dhe më 1-2 dhe 8-10 gusht.

Ky edicion i dytë synon të jetë më shumë se një festë – është një manifestim gjithëkombëtar, që bashkon shqiptarët nga të gjitha trevat në emër të artit, kulturës dhe identitetit kombëtar.


Nga muzika live te piktura, filmi, diskutimet intelektuale dhe teatrot, festivali krijon një platformë që ndërthur traditën me kreativitetin modern.

Në zemër të Gjakovës, përgjatë Çarshisë së Madhe, në parkun kulturor “Ali Podrimja”, Çarshinë e Jupave dhe Lumin Krena, do të organizohen aktivitete të shumta që do t’i japin jetë qytetit.

Çfarë ofron festivali?

22 koncerte madhështore me emra të njohur të muzikës shqiptare si: Marigona (në rikthim pas shumë kohësh), Jericho, Blla Blla Blla, Elina Duni, Eda Zari, Eugent Bushpepa, Nezafete Shala, Don’t Listen to Your Neighbours, Vlashent Sata, Suad Mehmeti & Djemtë e Ulqinit, Offchestra dhe të tjerë.

Debate dhe diskutime publike me personalitete si: Ermal Hasimja, Kim Mehmeti, Ermonela Jaho, Jeta Xharra, që do të flasin mbi artin, identitetin, kulturën dhe sfidat bashkëkohore.

Ekspozita arti nga kolonia e piktorëve shqiptarë, që do të japin ngjyrë Çarshisë së Vjetër me frymëzimin dhe krijimtarinë e tyre.

Aktivitete interaktive dhe argëtuese, si: kërcime nga Ura e Fshajt, performanca ndërkombëtare me hulahop, origami, si dhe paradë me makina e motorë klasikë.

Më shumë se festival: Një bashkim shpirtëror

“Ditët e Shqiptarit” përfaqëson më shumë se një event kulturor – është një urë shpirtërore dhe identitare që lidh brezat përmes artit dhe trashëgimisë. Të shkuarës i jepet vlerë me sy modern, ndërsa e ardhmja ndërtohet mbi bashkëpunim, kreativitet dhe kulturë.

Ky edicion është mbështetur nga: Komuna e Gjakovës, BPB Bank, Automita, Prishtina Ticket, Asgeto, si dhe shumë sponsorë të tjerë.

Për më shumë informacion dhe agjendën e plotë, ndiqni festivalin në rrjetet sociale ose vizitoni faqen zyrtare të Fondacionit për Gjakovën.

Kultura shqiptare më së miri festohet në Gjakovë!