Komuna e Kaçanikut ka shpërndarë 60 pajisje bujqësore për bujqit dhe fermerët lokalë, duke përmbyllur ciklin e investimeve për vitin 2025 në kuadër të skemës së subvencioneve të Drejtorisë së Bujqësisë.

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, tha se kjo mbështetje synon lehtësimin e punëve bujqësore dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese të fermerëve.


“Me shpërndarjen e 60 pajisjeve bujqësore për bujqit dhe fermerët e Kaçanikut, po e përmbyllim ciklin e investimeve dhe mbështetjes për këtë vit përmes skemës së subvencioneve të Drejtorisë së Bujqësisë”, deklaroi Vishi.

Ai theksoi se pajisjet e ndara janë moderne dhe do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të punës në sektorin e bujqësisë.

“Këto pajisje do t’u lehtësojnë ndjeshëm punët bujqësore fermerëve tanë dhe do të rrisin efikasitetin në prodhim”, u shpreh ai.

Sipas kryetarit të komunës, investimet në bujqësi kanë tejkaluar pritjet dhe premtimet e dhëna për këtë fushë.

“Investimet në bujqësi kanë shkuar përtej asaj që kemi premtuar dhe kjo dëshmon përkushtimin tonë ndaj fermerëve”, tha Vishi.

Ai bëri të ditur se përkrahja për bujqit do të vazhdojë edhe në vitet në vijim. “Do të vazhdojmë me subvencione dhe mbështetje për fermerët edhe në vitet e ardhshme, sepse bujqësia është sektor kyç për zhvillimin ekonomik të Kaçanikut”, përfundoi ai.

Në ceremoninë e shpërndarjes së pajisjeve ishte i pranishëm edhe drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Suhad Dullovi, i cili bashkë me kryetarin ndau pajisjet për përfituesit e kësaj skeme. /Telegrafi/