Dikur një nga mesfushorët më të kërkuar në futbollin evropian, Naby Keita po përpiqet të rindërtojë karrierën e tij larg reflektorëve të mëdhenj – në Hungari, me Ferencvarosin.

Pas viteve të vështira te Liverpool, të shënuara nga dëmtime të shpeshta dhe mungesë vazhdimësie, Keita iu bashkua Werder Bremenit në verën e vitit 2023 si lojtar i lirë. Megjithatë, edhe në Gjermani gjërat nuk shkuan sipas planit.


Ai zhvilloi vetëm pesë paraqitje dhe pati një përplasje të hapur me klubin, që kulmoi me përjashtimin e tij nga skuadra pas një episodi disiplinor.

Në janar 2025, mesfushori nga Guinea gjeti një mundësi të re – këtë herë në Hungari. Ferencvarosi e mori në formë huazimi, me një opsion blerjeje të përhershme. Edhe pse transferimi nuk bëri shumë zhurmë në arenën ndërkombëtare, për Keita ishte një mundësi e artë për të rifilluar. Dhe ai nuk ka zhgënjyer.

Me të mbërritur, ndodhi edhe një tjetër zhvillim interesant: në krye të skuadrës hungareze u vendos ish-sulmuesi i Liverpoolit, Robbie Keane. Një lidhje simbolike për Keitan, i cili më në fund gjeti një ambient ku i besohet roli në fushë.

Pas disa javësh përgatitje fizike, Keita bëri debutimin e tij zyrtar në fund të shkurtit. Që atëherë, ai është kthyer në një titullar të rregullt, duke luajtur gjashtë ndeshje radhazi dhe ndihmuar Ferencvarosin të ngjitet në krye të tabelës. Pavarësisht se nuk ka shënuar ende, ndikimi i tij është ndjerë në organizimin e lojës, ritmin dhe përvojën që i sjell skuadrës.

Për më tepër, Ferencvarosi është tashmë në finalen e Kupës së Hungarisë dhe është favorit për ta fituar trofeun për herë të 25-të në histori. Keita ka qenë një element kyç në këtë rrugëtim dhe për herë të parë pas shumë kohësh, ai po gjen stabilitet – dhe mbi të gjitha, besim.

Pas një periudhe të gjatë paqartësie dhe dëshpërimi, duket se 30-vjeçari po rifiton vetveten. Dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, një marrëveshje e përhershme me klubin hungarez nuk është e pamundur.

Për një lojtar që dikur i kushtoi Liverpoolit mbi 50 milionë funte (rreth 58 milionë euro), është një rrugë e gjatë nga Anfield në Budapest – por për Naby Keitan, ky mund të jetë fillimi i një rikthimi të vonuar. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app