Simptomat e diabetit ndonjëherë mund të jenë të vështira për t’u detektuar, por është e rëndësishme t’i dini shenjat paralajmëruese pasi që, nëse nuk trajtohen, sëmundja mund të shpie në komplikime serioze shëndetësore
Përveç problemeve me këmbë e sy, komplikimet serioze përfshijnë edhe sulmet e zemrës e të trurit, problemet me veshka dhe dëmtimet e nervave.
Por hulumtimet e reja, të publikuara në revistën ‘Diabetologia’, kanë zbuluar se femrat janë 13% më të rrezikuara të zhvillojnë kancer oral nëse kanë diabet.
Në përgjithësi femrat ballafaqohen me një rrezik 27% më të lartë për të zhvilluar çdo formë të kancerit nëse kanë diabet, ndërkaq meshkujt janë 19% më të rrezikuar nga kanceri, transmeton Telegrafi.
Ndonëse edhe më herët hulumtimet kanë dëshmuar për një lidhje mes diabetit dhe zhvillimit të kancerit oral, tani Fondacioni i Shëndetit Oral është duke iu bërë thirrje personave me diabet të kenë kujdes.
Dr. Nigel Cater, drejtor i këtij fondacioni, thotë se hulumtimet e reja tregojnë për një rrezik të shtuar të femrave për të zhvilluar kancer oral nëse vuajnë nga diabeti.
Ai sugjeron që nëse e dini se jeni me diabet gjithsesi të bëni vizita të rregullta te dentisti.
Përndryshe, simptomat e kancerit oral përfshijnë ulcerat në gojë të cilat nuk shërohen brenda tri javëve, plagët e kuqe dhe të bardha në gojë, si dhe gjëndrat apo ënjtjet e pazakonshme në kokë dhe në zonën e qafës. /Telegrafi/