Fëmijët hijeshia e Ditës së Flamurit: Sa bukur e të ëmbël duken me veshje kuq e zi
Me trupa të vegjël e zemër të madhe, fëmijët me veshje kombëtare të bëjnë të duash më shumë këtë festë të shqiptarëve
28 Nëntori për fëmijët është një nga ditët më të dashura, të gjithë e presim me padurim e sidomos fëmijët. Vogëlushët nuk fshehin emocionet në këtë ditë tejet të rëndësishme.
Në këtë ditë fëmijët bëhen qendra e vëmendjes me shumë aktivitete. Në familjet tona dhe sheshet e mbushura, festohet me shumë gëzim, dashuri dhe përkushtim.
Flamuri me fushën e kuqe e shqiponjën dy krenare në mes është simboli më i shenjtë për çdo shqiptar. Fëmijë e të rritur recitojnë, këndojnë e vallëzojnë së bashku me dashuri e respekt Himnin e Flamurit tonë Kombëtar.
Gëzim por dhe shumë emocion për ta sot, pasi do të tregojnë para prindërve, gjyshërve dhe të tjerëve se sa u pëlqen veshja, andaj edhe emocionet që përjetojnë në këtë ditë janë lehtësisht të qarta.
Adari, dy vjeç, tashmë i veshur në rrobat tradicionale dhe me qifteli, është sinkronizuar nën hijen e ngjyrave kuqezi në një atmosferë shumë të ngrohtë. Gjithashtu, me pasion i pëlqen t’i shohë të gjithë fëmijët tjerë të veshur në këto rroba të veçanta.
Rëndësia e kësaj feste është njohja e së kaluarës sonë si popull dhe ruajtja e traditave mbetet një nga misionet themelore të familjeve tona.
Prindërit dhe gjithë ne, duhet të kultivojmë atdhedashurinë dhe dëshirën për të ruajtur vlerat kombëtare tek brezat e rinj. Andaj, kjo festë mbetet ndër më të rëndësishmet e vitit!
Të dashur fëmijë, faleminderit për energjinë pozitive dhe fytyrat tuaja të buzëqeshura. Me ju çdo festë merr kuptim të duhur! /Telegrafi/
































