Site icon Telegrafi

Fati tragjik i intelektualit Gaqo Peci, të birit të patriotit Sotir Peci: U spiunua për shije estetike, nga “intelektuali” që i besonte!

40 vjet më parë, në qytetin e Korçës, luhej një nga tragjikomeditë më të errëta të kohës së diktaturës. Gjykoheshin për veprimtari kundër pushtetit popullor dhe dënoheshin me dënime të rënda piktori Vangjush Tushi, gjuhëtari Gaqo Peci, muzikanti Kiço Venetiku dhe motra e tij Krisanthi. Të tre të parët intelektualë të klasit më të lartë. Të tre kishte kohë që i kishin kaluar të pesëdhjetat.

Gaqo Peci ishte një nga njerëzit më të nderuar në qytet. Gjuhëtar dhe mësues i frëngjishtes, i gjuhës dhe letërsisë, gëzonte respektin jo vetëm të nxënësve, por edhe të gjithë njerëzve të arsimit dhe të kulturës. Ishte një burrë i pashëm, i shtruar, me një ballë të madh që dëshmonte urtësi. Në fytyrë i dallohej edhe një nishan i madh, që të ndihmonte të mos e harroje portretin e tij të veçantë.

Respektohej për gjithçka që kishte arritur vetë edhe pse ishte djali i madh i njërit prej patriotëve më të shquar shqiptarë, Sotir Pecit. Nuk shoqërohej me këdo dhe nuk ishte i ngutur në të folur. Nuk kishte dëshirë të rrinte tribunave dhe partiakëve, kur e kalonin masën ja u tregonte vendin.

I ndershëm dhe plot dinjitet, Gaqo Peci, edhe pasi doli në pension studionte dhe shkruante rreth gjuhës shqipe dhe sigurisht që vuante kur shihte se si ishte Shqipëria për të cilën kishte shkrirë jetën i ati dhe kishte luftuar edhe vetë.

E patën arrestuar për të shtuar terrorin dhe për t’ju treguar të gjithëve që asnjë nuk mund t’i shpëtonte “tehut të mprehtë të shpatës së Diktaturës së Proletariatit”, e as mësuesi i shquar gati 60-vjeçar – pjesëmarrës në Luftën e Dytë në anën e fituesve, pasardhësi i atyre që kishin bërë Shqipërinë.

Korça e atyre viteve ishte nën terror, pas një vale të madhe arrestimesh dhe internimesh. Njerëzit nuk dinin më kujt t’i besonin dhe me kë mund të flisnin, qoftë edhe për të komentuar një libër apo një film të huaj. Arrestimi i këtyre intelektualëve të nderuar i kishte bërë të ndjeheshin të gjithë të trembur. Njerëzit prisnin me ankth gjyqin e tyre.

Muzikantin Venetiku (bashkë me të motrën e moshuar) e kishin mbajtur nën tortura për një vit e gjysmë; piktorin Tushi nuk e kishin kursyer edhe pse shumë i sëmurë; ndërsa, gjuhëtari Peci kishte arritur ta përballte më mirë hetuesinë edhe pse si dëshmon në librin e tij “Në panxhat e Sigurimit”, kishte tentuar të vriste veten në qeli.

Farsa e gjyqit ishte kurdisur në një bashkëpunim të Sigurimit me Komitetin e Partisë, ku veç dëshmitarëve (njerëz të degjeneruar ose nën presionin e Sigurimit), ishin detyruar të komentonin në fund edhe njerëz të artit e të kulturës për të demaskuar idetë liberale të të pandehurve dhe për të mbrojtur “metodën e realizmit socialist”. Ideja ishte e partiakut më të pamoralshëm që ka njohur Korça, Enver Halilit, e sinkronizuar me sigurimin e shokut të tij të ngushtë, Feçor Shehut.

Aq absurd ishte teatri i kurdisur, sa një nga të pranishmit, aktori dhe poeti Aleko Skali, nuk duroi dot po u ngrit dhe tha që “qytetari luajal Gaqo Peci nuk e ka vendin në bankën e të akuzuarve”!

Të katër të akuzuarit morën dënime të rënda dhe vetëm Gaqoja doli i gjallë nga burgu.

Dëshmia që kushtëzoi dënimin e tij ishte një nga letrat që i kishte dërguar Nasho Jorgaqit, ku fliste me përçmim për gjendjen e letërsisë shqiptare dhe metodën e Realizmit Socialist. Kishte besuar tek studiuesi Jorgaqi, i cili i kërkonte vazhdimisht materiale nga kontaktet dhe letërkëmbimet e Sotir Pecit me Nolin. Besimin e tepruar e pa në formën e “provës së shkruar” në tavolinën e trupit gjykues. Megjithatë, nuk pranoi asnjë nga akuzat dhe u mbrojt edhe për ato që kishte shkruar kundër Realizmit Socialist në letrën drejtuar Jorgaqit.

Gaqo Peci ka vite që është larguar nga Korça dhe më pas edhe nga jeta. Sot, asnjë gjurmë të tij nuk ka në Universitetin “Fan Noli” të Korçës, edhe pse veç kontributit në lëmin e gjuhës, ai ka ndihmuar në zbulimin e plotë të figurës së Nolit të madh. Për ironi të fatit, Universiteti i Korçës, i dha disa muaj më parë, çmimin “Honoris Causa” atij që e “dërgoi” në burg duke depozituar në hetuesi letrën e tij, studiuesit Nasho Jorgaqi. /Telegrafi/

Exit mobile version