LAJMI I FUNDIT:

Everett, darkë në shtëpinë e Enverit

Everett, darkë në shtëpinë e Enverit

Aktori hollivudian, Rupert Everett, është në krye të një grupi anglez, që po realizon një dokumentar mbi rrugën që ndoqi Lord Bajroni. Për nder të Everett-it është shtruar një darkë në shtëpinë e Enver Hoxhës.

Itinerari nëpër të cilin Lord Bajroni vizitoi Greqinë, Shqipërinë e Turqinë, 200 vjet më parë do të jetë tashmë në një dokumentar televiziv.

Aktori hollivudian Rupert Everett është në krye të grupit anglez, që do ta mundësojë këtë dokumentar, i cili po shkon drejt kristalizimit tashmë.

Pasi kanë përshkuar Greqinë, të shoqëruar nga Auron Tare, pjesëtarë e grupit, ku përveç aktorit të njohur bëjnë pjesë producentë, regjisorë e kameramanë, janë ndalur së fundmi në rrethin e Gjirokastrës.


Paraditja e djeshme ka kaluar në qytetin e Libohovës, ku qyteti është vizituar, por pa munguar as guidat me kuaj, të cilat do të jenë sigurisht pjesë e dokumentarit.

"Dokumentari është konceptuar në dy pjesë dhe në qendër të tij ka biografinë e poetit tonë të famshëm, Lord Bajronit. Është shkruar dhe prezantohet nga vetë aktori Rupert Everet, që është një adhurues i figurës së Bajronit dhe do të transmetohet për televizionet britanike. Ideja e këtij dokumentari është të ndjekësh rrugën e Bajronit në Greqi, Shqipëri e Turqi dhe ta zbulosh atë si njeri e si poet dhe sesi ai influencoi", -shprehet Matthew Hill, njëri prej producentëve të dokumentarit.

Ndërsa të shoqëruar nga Auron Tare, pasditja e grupit anglez ka kaluar me vizita në qytetin e Gjirokastrës, i cili duket se i ka mrekulluar të ardhurit.

"Gjirokastra është absolutisht e bukur. Ishte një surprizë e këndshme ardhja në Shqipëri dhe në qytetin tuaj, pasi këtu njohëm gjërat tuaja më të mira. Më kanë pëlqyer aq shumë ndërtimet, sa kam vendosur të blej një shtëpi këtu në Gjirokastër. Por mendoj se është turp që të tilla mrekulli lihen në këtë gjendje. Edhe aktorit Everett i la një përshtypje të jashtëzakonshme arkitektura e qytetarit",- shpjegon më tej Hill.

Ndërkaq, mbrëmja ka ofruar momentet më interesante për të ardhurit nga Britania. Një darkë e shtruar në shtëpinë e lindjes së Enver Hoxhës, e konceptuar ashtu sikurse dikur Ali Pasha priti Lord Bajronin i ka mrekulluar.

Gjithçka në sofër, me gatimet më të veçanta të zonës, shoqëruar nga një tjetër mrekulli e Shqipërisë, isopolifonia që ka ardhur nëpërmjet grupit të famshëm "Ergjëria". Gjithçka e përjetuar bëhet pjesë e dokumentarit, që zbulon vise të panjohura për britanikët, por që u kanë bërë përshtypje tepër të madhe.

"Jemi ndierë shumë mirë këtu, veçanërisht me njerëzit që janë shumë miqësorë dhe të gatshëm për të të ndihmuar në çdo aspekt",- është shprehur më tej Hill.

Vizita do të vijojë më tej me Tepelenën, qyteti ku lindi Ali Pasha dhe emrin e së cilës e mbajti përgjithmonë, për të fiksuar në dokumentar kështjellën e ngritur prej tij dhe gjithçka që lidhet me të.

Megjithëse dokumentari ende nuk është "pagëzuar", duket se do të jetë mjaft interesant, veçanërisht në detajet e vogla të pritjes që nxjerrin në pah traditat dhe zakonet e shqiptarëve.

Vetëm një vit më parë, një lord dhe shkrimtar i famshëm anglez, lord Hurbury Tenisson ishte i pari që së bashku me bashkëshorten e tij, përshkuan me kuaj për rreth një muaj gjithë itinerarin e Bajronit, për t’i fiksuar impresionet në një libër të veçantë.

Duket se vazhdimisht prej bashkëkombësve të tij, ky itinerar po kthehet në një aventurë të këndshme e mjaft të pëlqyeshme. /Shekulli/