LAJMI I FUNDIT:

A është Kosova vend tërheqës për investime nga diaspora?

A është Kosova vend tërheqës për investime nga diaspora?

Pas 35 vjetëve në Zvicër, Zekrija Ramushi vendosi të kthehej në Kosovë për më shumë sesa vetëm një pushim disaditor.

Në vitin 2021, ai investoi në hapjen e një kompanie të taksive në Prishtinë dhe thotë se as që e kishte paramenduar se me çfarë lloj barrierash mund të përballej në biznesin e tij.

Pasi investoi rreth pesë milionë euro në kompaninë me vetura elektrike të llojit Tesla – ku thotë se janë të punësuar rreth 150 punëtorë me pagë mesatare prej 800 eurosh në muaj – ai planifikoi ta zgjerojë biznesin e tij edhe në Ferizaj.


Por, tash e dy vjet ai thotë se nuk ka arritur ta finalizojë këtë plan, me gjithë takimet me zyrtarë komunalë për mundësi të investimit.

Në maj të këtij viti – pasi thotë se investoi mbi 1.5 milion euro për 12 vetura elektrike dhe punësimin e 40 punëtorëve – ai kërkoi të pajiset me leje për ta nisur punën edhe në Ferizaj.

“Për të marrë leje të punës, duhet të presësh me muaj. Duhet me të njohur. Ky është korrupsion pasiv. Kjo është dekurajuese, unë e kam vullnetin, e kam dëshirën [të investoj në Kosovë]. Por, dikur lodhem. Nuk është mirë gjithmonë të ketë barriera”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Në komunën e Ferizajt janë në dijeni lidhur me rastin e Ramushit. Në një deklaratë për REL-in, nga kjo komunë thonë se i kanë pezulluar të gjitha kërkesat për leje të funksionimit si taksi.

“Komuna është në fazën përfundimtare të fizibilitetit dhe modalitetit të taksive pasi që ka numër të madh të tyre. Gjithashtu, jemi në përfundim të procedurave të transportit publik urban, i cili është duke u bërë për herë të parë në komunën e Ferizajt”, thonë nga Komuna e Ferizajt.

Ramushi shprehet i zhgënjyer për barrierat që ka pasur deri më tani në investimet në Kosovë.

Por, një tjetër biznesmen, i cili vendosi ta lërë Zvicrën për të investuar në Kosovë, Nazmi Mehmetaj, thotë se ka pasur përvojë më pozitive.

Pasi jetoi në Zvicër që nga viti 1992, Mehmetaj u kthye në Pejë në vitin 2015 për ta themeluar kompaninë GreenHouse, që merret me përpunimin e drurit për shtëpi të parafabrikuara.

Tani ai po planifikon ta zgjerojë biznesin e tij dhe e cilëson Kosovën si vend të mirë për investime.

“Unë nuk kam pasur probleme. Ia vlen të investohet [në Kosovë]. E ftoj diasporën të hapë biznese sepse është lehtë të operohet dhe ia vlen meqë ka përfitime materiale”, thotë Mehmetaj për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, Mehmetaj shton se përvoja e tij mund të mos jetë e njëjtë si e bizneseve të tjera ku qytetarë nga diaspora kanë investuar.

“Po flas për rastin tonë. Ne eksportojmë, për të tjerët nuk e di. Kompania jonë prodhon dhe eksporton. Nuk kemi shumë punë me institucionet tjera”, thotë ai.

Mehmetaj thotë se prodhimet i shet në shtete evropiane, si Gjermani, Francë, Zvicër, Holandë e Austri.

Lirim Krasniqi, nga organizata Germin që merret me çështje të diasporës, beson se Kosova nuk është vend shumë tërheqës për investime nga diaspora.

“Legjislacioni në Kosovë i trajton [investitorët nga diaspora] në mënyrë të barabartë dhe të njëjtë sikur çdo investitor tjetër të huaj. Pra, nuk ka një qasje preferenciale karshi investitorëve dhe komunitetit të biznesit të diasporës”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Më 16 korrik të këtij viti, Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore dhe Agjencinë e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), i bëri thirrje diasporës të investojë në Kosovë përmes projektit “Dritarja për Investime të Diasporës”.

Përmes këtij projekti, që do të zgjasë pesë vjet, mërgata do ta ketë më të lehtë aplikimin për kredi për investime në Kosovë.

Ndërmarrjet e reja nga diaspora dhe ato që janë themeluar deri në tre vjet më parë mund të aplikojnë për kredi deri në tre milionë euro në bankat komerciale në Kosovë. Aplikimet janë të hapura nga 9 gusht i këtij viti deri më 31 korrik të vitit të ardhshëm.

Investitorët parashihet ta mbulojnë 20 për qind të investimit, kurse Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të ofrojë garanci deri në dy milionë euro, thuhet në faqen zyrtare të Ministrisë se Financave dhe Transfereve.

Për promovimin dhe mbështetjen e investimeve në Kosovë luajnë rol kyç Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA).

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të KIESA-s, Zef Dedaj, thotë se ata nuk kanë të dhëna specifike për investimet nga diaspora.

Të dhënat që ata posedojnë, nga Banka Qendrore e Kosovës, tregojnë vetëm për sektorët në të cilat investohet dhe nga cili vend vjen investitori.

Krasniqi nga organizata Germin këtë e quan absurde.

“Politikat dhe mekanizmat që janë ndërmarrë nga Qeveria nuk janë bazuar në evidencë dhe fakte. As nisma e fundit nuk është rezultat i një analize të të dhënave se sa janë investimet, përfitimet, cilët janë sektorët dhe preferencat e diasporës”, thekson ai.

Megjithatë, Krasniqi tregon se, në bazë të një hulumtimi të publikuar vitin e kaluar, 500 biznese nga diaspora janë shprehur të gatshme që në të ardhmen të investojnë në Kosovë. Ndër sfidat që ata kanë theksuar, është mungesa e informacionit për potencialin e investimeve në Kosovë.

Por, Dedaj thotë se KIESA ka realizuar forume në disa vende, si Gjermani, Belgjikë, Angli, Kanada, Austri, Luksemburg dhe Zvicër, me qëllim të informimit rreth mundësive, procedurave teknike, si dhe me legjislacionin në fuqi.

Në kuadër të këtyre forumeve, thekson ai, janë realizuar takime me bizneset e diasporës që kanë shprehur interesim për sektorin e përpunimit të metaleve, turizmit, teknologjisë së informacionit, energjisë së ripërtërishme etj.

Sipas të dhënave preliminare nga regjistrimi i sivjetmë i popullsisë në Kosovë, rreth 600 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë jashtë vendit. Numri i saktë pritet të bëhet publik nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në fund të këtij viti.

Diaspora e Kosovës luan rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit përmes remitencave, investimeve në patundshmëri dhe shpenzimeve që bën gjatë pushimeve në Kosovë.

Patundshmëria – sektori më i kërkuar për investime nga jashtë

Në katër muajt e parë të këtij viti, numri më i madh i investimeve të huaja direkte në Kosovë është bërë në patundshmëri. Investuesit më të mëdhenj në këtë sektor janë qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

Nga muaji janar deri në qershor të këtij viti, remitencat e mërgimtarëve në Kosovë arritën vlerën mbi 632 milionë euro.

Dërgesat financiare kaluan shifrën prej 1.3 miliard eurosh vitin e kaluar, kur i gjithë buxheti i Kosovës ishte 3.2 miliardë euro.

Vlera e investimeve të huaja në Kosovë, që përfshin edhe investimet e diasporës, në periudhën janar-maj të këtij viti ka arritur në 350 milionë euro, derisa vitin e kaluar kjo shifër ishte rreth 850 milionë euro.

Pjesa më e madhe e investimeve janë nga Gjermania, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.