Trajneri i Përfaqësueses së Spanjës, Luis Enrique ka dhënë një deklaratë tejet interesante dhe qesharake.
Ish-tekniku i Barcelonës dhe Romës ka bërë shaka duke thënë se e ka patjetër të ftojë Ferran Torresin, pasi në të kundërtën do të ketë punë me vajzën e tij.
22-vjeçari njoftoi lidhjen e tij me vajzën e Enriques, Sira Martinez në fillim të këtij viti, përpara se të transferohej nga Manchester City te Barcelona.
Enrique u pyet se cilin lojtar e vendos të parin në formacion, derisa ai me shaka u përgjigj se Ferran Torres.
“Kjo pyetje është shumë e lehtë. Është Ferran Torres, përndryshe vajza ime do të vijë pas meje dhe do të më heqë kokën”, deklaroi Enrique duke qeshur.
Ndërkohë vet sulmuesi i Barcelonës foli për lidhjen që ka me bukuroshen katalunase dhe trajnerin Luis Enrique.
“Mendoj se unë dhe trajneri dimë të dallojmë kur është familja dhe kur jemi trajner dhe lojtar”, tha Torres.
Deklarata e Enriques është bërë virale dhe është shpërndarë gjithkah, por ishte një shaka e bukur nga trajneri i Barcelonës.
Kujtojmë që Enrique edhe më parë e ka pasur Torresin një nga lojtarët e preferuar të tij, ende pa filluar lidhja e sulmuesit me vajzën e tij.
Anësori spanjoll ka bërë debutimin në Kombëtaren A të Spanjës pikërisht nën urdhrat e Luis Enriques më 3 shtator të vitit 2020 me 20 vite.
Torres deri më tani ka zhvilluar 31 ndeshje me Spanjën ku ka shënuar 13 gola dhe ka asistuar në dy të tjerë. /Telegrafi/