Enis Osmani është emëruar Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, duke marrë një rol të ri udhëheqës në qeverisjen lokale. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Osmani përmes një postimi në Facebook, ku ka theksuar përgjegjësinë dhe angazhimin e tij për shërbim ndaj qytetarëve.

“Me ndjenjë të lartë të përgjegjësisë, ju njoftoj se jam emëruar Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut. Ky emërim përfaqëson nderin më të madh të jetës sime dhe njëkohësisht obligimin për t’i shërbyer interesit publik, duke ofruar qeverisje të mirë të bazuar në transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarit”, ka shkruar Osmani.


Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, për besimin e dhënë. “Në mënyrë të veçantë, shpreh mirënjohjen time të madhe për mikun tim, Kryetarin e Komunës, Faton Peci, për besimin e dhënë dhe për mundësinë që të punojmë së bashku për realizimin e projekteve zhvillimore për Mitrovicën”, ka theksuar ai.

Osmani ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me kryetarin Peci, duke nënvizuar se ky partneritet është ndërtuar mbi korrektësi dhe sinqeritet për më shumë se një dekadë. Ai ka shprehur bindjen se “vizoni, përvoja dhe lidershipi i tij janë një garancë e fortë për zhvillimin e madh të qytetit”.

Në mesazhin e tij, Nënkryetari i ri ka theksuar se qeverisja e mirë është një kontratë me qytetarët. “Unë besoj se qeverisja e mirë nuk është vetëm përgjegjësi institucionale, por një kontratë me qytetarët për shërbime cilësore komunale dhe për realizimin e projekteve që përmirësojnë mirëqenien e të gjithë qytetarëve”, ka deklaruar Osmani.

Ai ka shtuar se çdo veprim i tij do të udhëhiqet nga interesi publik dhe përgjegjësia për vendimmarrje në dobi të qytetarëve, duke falënderuar njëkohësisht për mbështetjen dhe besimin e treguar. /Telegrafi/