LAJMI I FUNDIT:

English Lessons

English Lessons

Arratisen banorët e fshatrave tanë. Braktisin vatrat, arat, lenë ca pleq e plaka mbi mangall, dhe zbresin në qytet. Qef i madh me ardh në Shkodër, Durrës, Tiranë, apo Romë, Milano, Torino, me la pjata dhe tasa boshatisur nga barkderra. Për këtë problem që po boshatis Shqipërinë nuk mund të merret mësim nga Gjermania e cila tashmë e ka pushtuar Europën pa Hitler dhe pa Gestapo, por vetëm nga Anglia që u tkurr, erdhi në vatrën e vet, bëri brexit.

Me femra nëpër kafenera me kërthiza përjashta, me pantallona xhinsa më të vogla se breçkat, liberalizmi, ky helm i ëmbël për varfanjakë, po bën hatanë, madje, ngaqë duke ngrënë vjen oreksi, sa më tepër shtohet aq më i mangët bëhet. Për t’i vënë fre kësaj murtaje që pas pak do na marri frymën, e bëjmë si e bëri Anglia. Kthejmë fytyrën nga Zotnia i vrërët, Murgu i zi, konservatorizmi jo fort i qeshur.

Shumë mirë bëjnë që mbarojnë universitetet e Perëndimit çunat dhe çikat tona. Por kur vijnë këtu, sesi janë, sesi duken, si të hutuar, si të çorientuar, si bosh, si të zbrazur, si thasë mielli, si tela korenti, si tuba uji. Kanë përvetësuar disa shprehi qytetare, dinë ç’janë, rregullat e jetesës në komunitet, disiplina, orari i punës, bankat. taksat, dhe i kudondodhuri seksi, por asgjë më tepër, as e ardhme, familje, sakrificë, humanizëm, asgjë. Për këta vetë Anglia hëpërhë s’ka gjetur ndonjë zgjidhje. Të presim të shohim pas tërheqjes në ishull si do veprojë. Derisa Anglia tu gjejë të vetëve një derman, tanët e tillë i fusim nëpër call centera. Po s’u pëlqeu, u themi të presin nëpër kafenera.


Na janë mërzitur biçikleta, furgoni, autobuzi. Kemi shpikur makinën. Na janë bërë bythët njësh me sediljen e makinës. Perandorakët që njëdizanj bënë hatanë, kur ndonjëherë vijnë këtu, ja therin më këmbë mespërmes maleve, nga Polisi në Valamarë, nga Martaneshi në Mirditë, nga Berati në Këlcyrë. Të nisim tu ngjajmë ishullorëve të papërtuar. Ta largojmë sedentarizmi duke flakur benzat, tojotat, suzukat.

Po vrasim mendjen duke pyetur veten ku i gjejnë vallë paret radiot pa dëgjuesa, televizionet pa shikuesa, gazetat pa lexuesa. Këtë ekuacion me shumë të panjohura të cilit edhe Amerika nuk i ka dhënë dum, Anglia e ka zgjidhur qyshkur. Andej nga mesi i viteve ’60, kur mori vesh se në Shqipëri Radio Londrën e dëgjonin vetëm ca të pjerdhur që prisnin zbarkimin, Radio Londrën në Gjuhën Shqipe e mbylli fare. Atë të bëjmë dhe ne. Faleminderit Angli për leksionin.

Na nevrikosin shpesh këta mutërit që u duket sikur kanë lindur për të punuar o nëpër OJQ-ra o rash e vdiqa. Tash e tutje s’do jenë problem. Të armatosur me guximin e Anglisë që doli nga Europa, bëjmë një ligj që, si krejt të panevojshme, OJQ-ve tu vërë drynin, dhe ojqirët vetvetiu do përfundojnë në hale të gomerëve.

Është përhapur ideja sikur stafetën duhet ta marrin dorë më dorë të rinjtë, ndërsa të vjetrit që s’dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të fshijnë qurrat, duhet të shtrëngojnë ushkurët që të mos u bien brekët. Për fat ekziston Anglia e cila me brexit e dha shembullin se si të vjetrit e shëndetshëm që nuk votojnë si u thotë guglli por mendja e tyre, e kthejnë rrotën e Historisë nga është më mirë për të gjithë, edhe për të rinjtë ngordhalaqë të stakanovizmit të stafetave.

Nuk durohen këta që vetë vjedhin, vetë garojnë në politikë, vetë bëjnë sondazhet, vetë i bëjnë të gjitha. Rasti i Anglisë ku sivëllezërit anglezë të biçimsëzëve tanë, ndërkohë që ishte e kundërta, për të ndikuar votuesit, e shpallën papaprakisht 52 % me 48 % në favor të tyre, është një përvojë e vyer që duhet të dimë ta mjelim me efikasitet maksimal për të na bërë më syçelët me kakat në fjalë.

Si gjithë bota, edhe shqiptarët u janë vërsulur punëve rë kollajta, me kompjuter, me klika me gisht mbi taç skrina. Ka disa zëra që po thonë se tani që vuri ment nga Europa, parazitët e vet, disa qindra mijëra, ndoshta miliona, Anglia do t’i syrgjynosi nëpër ishuj. Edhe ne e kemi një ishull, Sazanin. Atje mes gjerpërinjve të helmatisur dhe lepujve t’i hedhim shakaxhinjtë e rehatllëkut, dashuronjësit e shiltes, pasonjësit e Haxhi Qamilit që na mbahen për moderna.

Na e kanë shpif makinat me timon majtas. Për shkak të tyre na ndodhin gjithato aksidente vdekjeprurëse. Të marshojmë nën tingujt e marshit konservativ anglez që na dha provën se s’ka më të rrezikshëm se timonat majtas, timonat duhen kthyer të gjithë djathtas.

Duket sikur gjërat ngatërrohen, filli humbet, çfaqet gremina, nis frika.

S’ësht për tu dëshpëruar. Për të mos u mërzitur dhe kapitulluar ne, është lodhur dhe ka rrezikuar dikush tjetër. Vazhdojmë të sigurtë përpara si Anglia, duke u kthyer pak prapa.

Mafia na vjen nga Italia, frika nga Rusia, minaret nga Arabia, frutat nga Korça, drithi nga Myzeqeja, hashishi nga kahmosi. Të mos tutemi. Jeta është e gjatë, bota është e madhe, koha është e pafundme. Kemi mbajtur me vite nën jastëk “Essential English”. Ndjehemi të lumtur që Essential English Lessons i marrim nga Anglia.

Në trend

Më shumë
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria

Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria

Përfaqësuesja e Kosovës
“Më mirë të më shajnë nënën, sesa të këndojnë “Serbi, Serbi”” - Llullaku shpjegon për mediat rumune se pse lojtarët e Kosovës vendosën të largohen

“Më mirë të më shajnë nënën, sesa të këndojnë “Serbi, Serbi”” - Llullaku shpjegon për mediat rumune se pse lojtarët e Kosovës vendosën të largohen

Përfaqësuesja e Kosovës
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë armët amerikane në Rusi, reagon Zelensky

Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë armët amerikane në Rusi, reagon Zelensky

Evropa
Franca dhe Britania e Madhe lejojnë Ukrainën të sulmojë Rusinë me raketat SCALP dhe Storm Shadow

Franca dhe Britania e Madhe lejojnë Ukrainën të sulmojë Rusinë me raketat SCALP dhe Storm Shadow

Evropa
“E dimë si ke shkuar në finale” - përplasje në mes të Edona James dhe Santianës live gjatë emisionit

“E dimë si ke shkuar në finale” - përplasje në mes të Edona James dhe Santianës live gjatë emisionit

Magazina
“Do thyejmë të gjitha rekordet”, Ronaldo thotë se mysafiri i tij i radhës në YouTube është më i famshëm se ai

“Do thyejmë të gjitha rekordet”, Ronaldo thotë se mysafiri i tij i radhës në YouTube është më i famshëm se ai

Ndërkombëtare
Kalo në kategori