Site icon Telegrafi

Elvira Diamanti: Dy momentet e dhimbshme që më kanë shenjuar

Me suksese të panumërta dhe një karrierë të gjatë e plot role që kanë shenjuar kujtesën e të gjithë shqiptarëve, Elvira Diamanti është tërhequr nga skena.

Aktorja e famshme për interpretimin e magjishëm përkrah Robert Ndrenikës dhe Hajrie Rondos në filmin “14 vjeç dhëndër”, ka treguar se si i ka hyrë rastësisht aktrimit. 

“Nuk kisha dëshirë të isha në xhirime, por që mund të lija shkollën. Xhirimet ishin një arsye për të mos shkuar në shkollë dhe ishte shumë bukur”, tregon aktorja, ndërsa thotë se aktualisht i duket vetja “shumë e paaftë për të qenë në skenë”.

Në rrëfimin e saj për ‘Thurje’ Marigoja aq shumë e dashur e shqiptarëve. na zbulon edhe dy nga momentet më të fuqishme e dramatike të jetës së saj.

Ke dashur të bëhesh aktore kur ke qenë e vogël? Ndodhi natyrshëm?

Ndodhi natyrshëm. Ka magji aktrimi, sigurisht, në momentin e parë që e prek, pastaj është e vështirë të shkëputesh, sidomos për faktin se atëherë nuk mund të ishe e shpërqëndruar si sot, pra të bësh këtë gjë dhe diçka tjetër. Në atë kohë ishe aktore dhe ishe vetëm aktore.

Cili ka qenë sheshxhirimi i parë që e kujton me emocion dhe ndoshta ka qenë edhe më i rëndësishmi për ty?

Shfaqja e parë ka qenë “Shi në plazh”, ndërsa sheshxhirimi i parë ka qenë me filmin “Radiostacioni” dhe isha ende pa mbushur 17 vjeç. Nuk kisha dëshirë të isha në xhirime, por që mund të lija shkollën. Xhirimet ishin një arsye për të mos shkuar në shkollë dhe ishte shumë bukur. Edhe atje kam qenë me profesor Birçe Haskon. Ndërsa shfaqja “Shi në plazh” për mua ka qenë magji, nga fillimi deri në fund.

Kishe momente pasigurie, apo frikë se nuk do pritej mirë?

Jo, këtë jo, sepse ne ndjeheshim shumë mirë që në provat e tavolinës. Kur kemi dalë në skenë karakteret ishin të formuara. Që do kishte sukses ndoshta e prisja, por të kishte sukses aq gjatë në kohë nuk e kisha menduar.

Cili ka qenë momenti më i vështirë që Elvira ka kaluar?

Gjëja që më ka prekur më shumë është kur një doktoreshë më tha për motrën time që ka kancer dhe është i pashërueshëm. Mbase ma tha pak ashpër dhe prerë. Ky është një moment aq i dhimbshëm dhe i fuqishëm, saqë unë ende sot kur shikoj në ëndërr motrën time Diana them: Sa mirë është, sa e lumtur është, por nuk e di që është e sëmurë. Ky ka qenë momenti më i vështirë në jetë.

Sigurisht, Elvira ka pasur edhe momente të bukura. Cili prej tyre ka qenë më i bukuri?

Kur i kam dhënë për herë të parë vajzës sime gji. Vajza lindi nën peshë dhe në atë kohë rregullat ishin të rrepta, nuk mund ta ushqeje. Ta merrnin fëmijën e vendosnin në inkubator, që të rritej në kushtet speciale. Unë qaja vazhdimisht sepse vajzat ishin binjake dhe nuk arritën dot që të jetonin të dyja. Mbeti vetëm Edra, vajza që kam sot. Drini duke parë që unë isha vazhdimisht e shqetësuar, qaja dhe dihet që shqetësimi ta heq qumështin, më çoi në maternitet dhe fshehurazi, duke thyer të gjitha rregullat, e mori Edrën nga inkubatori dhe unë i dhashë gji. Ai ka qenë një moment i magjishëm për mua dhe thashë se nuk mund të ketë gjë më të bukur se kaq. Lumturia ishte shumë e plotë.

Çfarë pëlqen të bëj Elvira në kohën e lirë, cilat janë pasionet?

Sikur të kisha kohë… Në fakt tani që fëmijët janë rritur kam kohë dhe jam vazhdimisht duke lexuar. Është e vetmja marrëdhënie që nuk më ka tradhtuar dhe që nuk e kam tradhtuar, leximi. Nuk më shijon një film sa më shijon një libër, ndoshta sepse këtë librin e bëj film në kokën time, nuk e di. Nëse kam parë një film pëpara se të kem lexuar një libër, supozojmë “Pianisti”, që të gjithë e dinë që është një film i jashtëzakonshëm dhe një aktor i jashtëzakonshëm, libri më pëlqen më shumë, sepse atmosferët e marr më të plotë.

Ke ndonjë zhanër, apo libër të preferuar?

Jo, është në varësi të kohës. Në verë që është vapë më pëlqen të lexoj thriller. Tani më pëlqejnë më shumë librat historik apo biografik, në raport me romanet. Pra ka ndryshuar shija, por jo dëshira për librin.

Ka Elvira një rol që ka dashur gjithmonë ta bëj, por që nuk i është ofruar dhe do doje ta ofronin sot?

Jo, sot nuk do doja (qesh). Sot nuk do doja të më ofronin asgjë, sepse më duket vetja shumë e paaftë për të qenë në skenë, madje po filloj të trembem sepse më duket vetja edhe e paaftë për të qenë në sheshxhirim. Kam pasur role, si Elektra, apo Lady Makbeth, të cilat kanë qenë role të fuqishme. Thonë që nëse nuk je futur në oqean nuk e di sa not bën, ndaj do doja të kisha pasur role të kësaj natyre gjatë karrierës sime, por tani jo.

Exit mobile version