PET-CT (Tomografia me Emision Pozitronesh e Fuzionuar me Tomografi të Kompjuterizuar) është një metodë imazherike joinvazive që lejon vlerësimin funksional dhe anatomik të indeve dhe organeve në trupin e njeriut

Msc. Fesal Selimi, PhDc.Ekspert i Fizikës Mjekësore & Ekspert për Mbrojtje nga Rrezatimi


Kjo teknologji përdoret gjerësisht për diagnostifikimin, stadifikimin dhe monitorimin e disa sëmundjeve si: kanceri, patologjitë kardiake dhe çrregullimet neurologjike.

Për këtë procedurë imazherike, përdoret një radiofarmak aktiv 18F-FDG (Fluordezoksidglukozë), që është një kombinim i glukozës me radionukleidin Fluor-18 (¹⁸F). Fluor-18 është një emetues i pozitronit me gjysmë-jete prej 109.77 minutash.

Pas injektimit intravenoz të 18F(FDG), molekula përthithet në mënyrë selektive nga qelizat aktive metabolike, veçanërisht qelizat tumorale që kanë një konsum të lartë të glukozës. Pozitronet e emetuara nga 18F ndërveprojnë menjëherë me elektronet në inde, duke shkaktuar një anihilim një proces fizik gjatë të cilit një pozitron dhe një elektron lirohen, duke prodhuar dy fotone gama me energji të barabartë prej 511 KeV që lëvizin në drejtime të kundërta (180°).

Detektorët rrethorë të PET-it detektojnë këto çifte fotonesh të emetuara në të njëjtën kohë brenda një dritareje kohore të shkurtër, nëpërmjet një procesi të quajtur rekonstruksion tomografik, ku pastaj kompjuteri përcakton vendndodhjen e saktë të burimit të anihilimit në trup, duke krijuar imazhe funksionale tredimensionale.

Në të njëjtën kohë, pjesa e CT (Tomografisë së Kompjuterizuar) e skanuar siguron informata të detajuara anatomike, duke mundësuar bashkimin (fuzionimin) e të dhënave metabolike me hartën strukturore të trupit e cila përmirëson ndjeshëm saktësinë diagnostike.

Udhëzime për sigurinë dhe përgatitjen e pacientit para kryerjes së një ekzaminimi PET-CT

Çdo herë para ekzaminimit me PET-CT duhet të njoftoni stafin mjekësor nëse: keni alergji ndaj barnave ose substancave të tjera, jeni shtatzëne ose dyshoni se mund të jeni shtatzënë, keni diabet, sëmundje të zemrës, sëmundje të veshkave ose çrregullime të tjera kronike. Te sillen të gjitha barnat që përdorni rregullisht. Gjithmonë mateni nivelin e glukozës, uresë dhe kreatininës së paku 2 ditë para ekzaminimit dhe informoni stafin për rezultatet, mateni nivelin e glukozës së paku 24 orë para ekzaminimit, ndaloni konsumimin e ushqimeve me karbohidrate: sheqer, patate, oriz, bukë, alkool, pije të gazuara dhe duhan. Gjatë kësaj kohe lejohet konsumimi i ushqimeve të pasura me proteina dhe pa yndyrë: mish i bardhë (pulë, peshk), mish viçi pa dhjamë, vezë, djathë i freskët. Të keni parasysh se 6-8 orë para ekzaminimit ndalohet konsumoni i ushqimit ose pijeve tjera përveç ujit të thjeshtë.

Mund të merren medikamente rutinë 6-8 orë para ekzaminimit, përveç nëse jeni udhëzuar ndryshe nga stafi. Nëse jeni diabet-ik, ju mund të merrni ilaçin e diabetit së paku 8 orë para ekzaminimit, ju lutem konsultohuni me mjekun një ditë para ekzaminimit nëse përdoreni insulinë.

Në situata të caktuara specifike, mjeku mund të urdhërojë pacientin për analiza laboratorike shtesë përpara se të kryhet ekzaminimi.

Pacientit i ndalohen ushtrimet fizike së paku 48 ore përpara ekzaminimit dhe gjithashtu stomaku duhet te jetë boshë para ekzaminimit, duhet që të mos përdorni çamçakëz, karamele apo ëmbëltues. Mos përdorni pije të gazuara ose lëngje që përmbajnë sheqer.

Ekzaminimi i PET-CT-së në Poliklinikën "Rezonanca"

Përgatitja dhe udhëzimet që duhet dhënë pacientit gjatë kryerjes së ekzaminimit PET-CT

Kohëzgjatja totale e ekzaminimit për një pacient është rreth 2-4 orë. Fillimisht pacienti para ekzaminimit qëndron rreth 30-60 minuta në një dhomë të veçantë, pas kësaj kohe të qëndrimit Infermieri/Tekniku do të vendosë një linjë intravenoze (IV) për injektimin e radiofarmakut dhe kontrastit në nevojë. Pas injektimit të radioizotopit pacientit i rekomandohet të pijë rreth 0,5-2 litër ujë në 45 minuta deri në 1 orë.

Ekzaminimi i PET-CT zgjat 25-40 minuta, varësisht nga gjatësia trupore dhe lloji i ekzaminimit. Pacienti duhet te jetë i pozicionuar në mënyrë të rehatshme dhe do t'ju kërkohet të qëndroni të palëvizshëm gjatë ekzaminimit. Stafi do t'ju informojë dhe asistojë në çdo hap të procedurës.

Përgatitja dhe udhëzimet e pacientit pas ekzaminimit PET-CT

Pas ekzaminimit pacientet rekomandohen:

1. Të pijë sa me shume ujë për të ndihmuar eliminimin e radioizotopit nga trupi.
2. Të shmangnin kontaktin e ngushtë me gra shtatzënë dhe fëmijë për 24 orë pas procedurës, dhe mbajtur distancë së paku 3 metra me anëtaret tjerë të familjes.
3. Të ushqehet normalisht pas ekzaminimit dhe preferoni ushqime të pasura me proteina pas ekzaminimit për rikuperim të shpejtë.
4. Kujdesuni për higjienën personale duke bërë dush pas ekzaminimit.

Rreziqet dhe komplikimet që mund te ndodhin gjatë ekzaminimit të PET CT

Ndërsa ekzaminimet PET-CT janë përgjithësisht të sigurta, ka disa rreziqe dhe konsiderata të mundshme:

• Ekspozimi ndaj rrezatimit: Megjithëse sasia e rrezatimit në një skanim PET është relativisht e ulët, është ende një formë e rrezatimit jonizues. Ekspozimi i rrezatimit nga një skanim i vetëm zakonisht konsiderohet i sigurt për shumicën e individëve, por është e rëndësishme të shmangni skanimet e panevojshme, veçanërisht gjatë shtatzënisë.

• Reaksionet alergjike: Edhe pse janë të rrallë, disa individ mund të kenë reaksione alergjike ndaj radiofarmakve. Simptomat mund të përfshijnë skuqje, kruajtje ose ënjtje. Gjithmonë informoni mjekun tuaj nëse keni ndonjërën nga këto simptoma.

• Klaustrofobia: Disa njerëz mund të përjetojnë ankth ose klaustrofobi nga PET-CT, e cila është një makinë e mbyllur. Nëse ndiheni nervoz, informoni mjekun tuaj paraprakisht, pasi mund të ketë mënyra për t'ju ndihmuar të menaxhoni këto ndjenja.

Ekzaminimi i PET-CT-së në Poliklinikën “Rezonanca”

Pyetjet më të shpeshta që shtrohen nga pacientet për stafin e PET-CT-së

Çfarë është një PET-CT dhe pse kryhet ky ekzaminim?

PET-CT (Tomografia me Emision Pozitronesh) është një ekzaminim imazherike që mat aktivitetin metabolik të organeve dhe indeve në trup e cila përdoret për: diagnostikimin dhe stadifikimin e kancerit, vlerësimin e sëmundjeve të zemrës, diagnostikimin e çrregullimeve neurologjike (si Alzheimeri), monitorimin e efektivitetit të trajtimit pas RT.

Sa kohë zgjat një ekzaminim i PET-CT?

Skanimi në vetvete zgjat 20 deri në 45 minuta. E gjithë procedura (përgatitja dhe pritja për përthithjen e radioizotopit) mund të zgjasë rreth 2 deri në 4 orë.

A është ekzaminimi i PET-CT i dhimbshëm?

Jo. Skanimi është pa dhimbje dhe jo invaziv. Mund të ndjeni vetëm një shqetësim të vogël gjatë vendosjes së kaniles, e cili është e përkohshme.

Si duhet të përgatitem për një ekzaminim të PET-CT?

Agjëroni për 6-8 orë para ekzaminimit (vetëm ujë lejohet), shmangni ushtrimet intensive 24 orë para ekzaminimit, informoni mjekun për të gjitha barnat që përdorni(sidomos barnat që ndikojnë në metabolizmin e glukozës), pacientët diabetikë duhet të marrin udhëzime specifike nga mjeku para ekzaminimit.

A është ekzaminimi PET-CT i sigurt?

Po. Ekzaminimi PET-CT përfshin një dozë të vogël rrezatimi, por konsiderohet i sigurt për shumicën e pacientëve. Përfitimet e diagnozës së saktë i tejkalojnë rreziqet në pjesën më të madhe të rasteve.

A mundet PET-CT të zbulojë të gjitha llojet e kancerit?

PET-CT është shumë i saktë në zbulimin e shumë llojeve të kancerit, megjithatë, disa tumore me aktivitet të ulët metabolik mund të mos shfaqen qartë dhe në raste të caktuara, mund të nevojiten teste shtesë.

Sa i saktë është një ekzaminim PET-CT?

PET-CT ofron saktësi të lartë, por si çdo test tjetër mjekësor mund të ketë anën pozitive ose negativë. Zakonisht kur kemi dyshime përdoret në kombinim me CT, MRI ose analiza të tjera laboratorike për diagnozë më të plotë.

A mund të ha ose pi përpara një ekzaminimi të PET-CT?

Jo, ushqime ose pije (përveç ujit) për 6-8 orë para ekzaminimit, uji i pastër rekomandohet dhe është i dobishëm, shmangni pijet me sheqer dhe kafeinë, të cilat mund të ndikojnë në cilësinë e imazheve.

Çfarë ndodh pas ekzaminimit të PET-CT?

Mund të rifilloni aktivitetet e zakonshme, pini shumë ujë për të ndihmuar trupin të eliminojë radioizotopin, shmangni kontaktin e ngushtë me fëmijët dhe gratë shtatzëna për 24 orë pas procedurës, pastrimi higjenik i rekomandueshëm. /Telegrafi/