LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia joformale po dëmton bizneset në Kosovë

Ekonomia joformale po dëmton bizneset në Kosovë

Ekonomia joformale është sfidë në Kosovë.

Arbërore Riza, pronare e kompanisë që merret me prodhimin e produkteve higjienike thotë se produkte të ngjashme sikur të saj, gati me të njëjtin emër, qarkullojnë po ashtu në treg.

Sipas saj, kjo ka shkaktuar konfuzion te klientët, por edhe dëme financiare për kompaninë që udhëheq.


“Gjatë pandemisë [COVID-19], pamë kompani me emër shumë të ngjashëm, ndryshim vetëm me një shkronjë. Dhe njerëzit, duke menduar se jemi ne, kanë filluar të marrin produkte të tjera [prej saj]. Me sa e di, kompania tjetër nuk funksionon si biznes; punon në kushte shtëpie… Kjo [na] ka sjellë dëme të mëdha financiare, njëkohësisht është dëmtuar edhe emri kompanisë”, thotë Riza.

Kompania, për të cilën Riza pretendon se i ka bërë konkurrencë joligjore, nuk figuron e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, por është aktive në rrjetet sociale me shitje online.

Ekonomia joligjore apo “e fshehtë”, përfshin aktivitete, si: shmangie nga tatimi, mungesë regjistrimi, mosfiskalizim, kontrabandim i mallrave, e të tjera.

Në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të publikuar më 11 janar, thuhet se “niveli i lartë i ekonomisë joligjore në Kosovë ndikon negativisht në konkurrencën, kushtet e punës dhe madhësinë e firmës, duke kufizuar rritjen ekonomike”.

Kjo konkurrencë dëmton dhe dekurajon bizneset e formalizuara, thotë për Radion Evropa e Lirë Arian Zeka, shef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës.

“Është me rëndësi që bizneset ta kuptojnë se kanë rol të rëndësishëm në luftimin e ekonomisë joformale, rrjedhimisht krijimin e kushteve të barabarta për veten e tyre, sidomos tatimpaguesit e rregullt. Të gjitha bizneset duhet t’i njoftojnë organet përgjegjëse të shtetit për ndonjë aktivitet ilegal ekonomik, që ndodh qoftë brenda sektorit të tyre, ose në ekonominë e përgjithshme të vendit”, thekson Zeka.

Sipas tij, ekonomia joligjore dëmton jo vetëm bizneset, por edhe buxhetin e shtetit.

Për këtë nevojitet angazhim më serioz nga Administrata Tatimore e Kosovës, duke i fuqizuar aktivitetet e brendshme të kontrollit tatimor, në mënyrë që të klasifikohen sektorët, ku mund të ketë shmangie më të madhe të tatimeve, thotë ai.

“Aktivitetet joformale ekonomike janë shumëdimensionale, natyrisht që ndikojnë me më pak të hyra në buxhetin e Kosovës edhe ashtu shumë të vogël. Kjo pamundëson edhe përmirësimin e shërbimeve publike dhe vonon realizimin e projekteve kapitale të vendit”, thotë Zeka.

Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, thotë se angazhimi kundër ekonomisë joligjore nuk mungon. Ai beson se ka një ulje të shkallës se ekonomisë joformale, por, siç thotë, jo në nivel të kënaqshëm.

“Në kompetencat tona kemi dy vegla; njëra përmes ngritjes vullnetare që të përmbushen obligime tatimore, dhe në anën tjetër përmes veglës së kontrollit dhe vlerësimit tatimor. Përmes këtyre veprimeve identifikojmë fillimisht rreziqet tatimore, pastaj edhe shmangien tatimore. Nëse i referohemi [vitit] 2021, atëherë rezulton se kemi identifikuar mbi 60 milionë euro të shmangies tatimore”, thotë Murteza.

Në raportet ndërkombëtare vazhdimisht theksohet se ekonomia joligjore në Kosovë përbën më shumë se 30 për qind të Bruto Produktit Vendor(BPV), që, përkthyer në shifra, është rreth 1.8 miliard euro në vit.

Kosova nuk ka ndonjë mekanizëm që e mat nivelin e ekonomisë joligjore.

Me qëllim të luftimit të këtij aktiviteti, Qeveria e Kosovës, në programin e saj për vitet 2021-2025, ka thënë se do t’i fuqizojë kapacitetet e inspektorëve tatimorë, aftësitë hetimore, inteligjencën dhe koordinimin më të mirë ndërmjet institucioneve përgjegjëse për parandalimin dhe ndalimin e punës së padeklaruar.

Për të mbrojtur emrin e kompanisë dhe produktet e saj, Arbërore Riza është pajisur me markën tregtare.

“Tashmë kemi mbrojtur markën tregtare, emrin e kompanisë dhe logon tonë. Së shpejti do të ndërmarrim masa përmes rrugëve ligjore, për shkak të dëmit që i është bërë kompanisë sonë”, thotë Riza.

Marka e regjistruar tregtare i ofron mbrojtje ligjore pronarit të kompanisë, duke i siguruar të drejtën ekskluzive për ta përdorur atë, me qëllim identifikimin e mallrave ose shërbimeve, apo ta autorizojë dikë tjetër për ta përdorur atë në këmbim të pagesës.

Mbrojtja e markës tregtare zbatohet nga gjykata, e cila ka kompetencë për t’i bllokuar shkeljet e markave tregtare./REL