LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia globale gjatë 2008ës

2008-ta mund të hyjë në histori si viti më më i rëndë në disa dekada për ekonominë globale. 2008-a filloi me një rënie të lehtë ekonomike, që më pas u përshpejtua, duke sjellë një krizë të sistemit të kredive dhe financiare, me të gjitha karakteristikat e saj, e cila u përhap në të gjithë botën.

2008 filloi me disa shenja, sipas të cilave ekonomia amerikane po ngadalësohej, por nuk pati asnjë lloj paralajmërimi për krizën e thellë financiare që po afronte. Në shkurt, Kongresi miratoi një paketë stimujsh në formën e çeqeve që iu dhanë një pjese të familjeve amerikane, për të zbutur ndikimet e asaj që shumica e ekonomistëve mendonin se do të ishte një rënie ekonomike e parëndësishme.

Por në muajin mars u vunë re një sërë dështimesh të institucioneve më të mëdha investuese të Amerikës, ato që jepnin hua për shtëpitë, bankat dhe korporatat e sigurimeve. Të gjitha këto institucione kishin lidhje me investimet në tregun e shtëpive, që pati shënuar një rritje të jashtëzakonshme. Kësaj gjendjeje ekonomike iu shtua edhe rritja e madhe e çmimit të naftës.


Ekonomisti Jeffery Kling në insitutin Brookings të Washingtonit, e krahason ekonominë me një pacient në sallën e reanimacionit.

“Në tetor pati një lloj ngecjeje, si pushim zemre, kur përjetuam një ngrirje të jashtëzakonshme të qarkullimit të parave. Ishte një moment, kur bankat kishin frikë të jepnin hua, as edhe për afat të shkurtër … Pikërisht në këto momente pati një panic që nuk e kishim parë këtu në Shtetet e Bashkuara që nga vitet 30-të”.

Tkurrja e kredive u përhap shumë shpejt në Evropë, Azi dhe gjetkë. Bankat Qendore u përpoqën të injektonin para në sistemin financiar dhe të shpëtonin kompanitë financiare, që po falimentonin.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ishte mes shumë udhëheqësve që shprehën shqetësim.

“Gjendja e kredive nuk është aspak e kënaqshme. Qeveritë kanë ndërhyrë, por përsëri na duhet të bëjmë më tepër punë bindëse me bankat, që ato të bëjnë atë që pritet prej tyre, të japin kredi”.

Në tetor, Kongresi amerikan autorizoi 700 miliardë dollarë për të ndihmuar kompanitë financiare në krizë. Këto fonde po i mbikqyr Sekretari i Thesarit, Henri Paulson, i cili pranoi se situata është e vështirë, ndërsa theksoi disa nga zgjidhjet.

“Ne vazhdojmë të punojmë në kushtet e një krize të rëndë financiare. Ndërsa po bëjmë përparim, përpara kemi shumë vështirësi”.
Por problemet më të mëdha ekonomike për amerikanët dhe për konsumatorët në mbarë botën mund të mos kenë filluar ende, ndërsa shumë ekonomistë parashikojnë një recesion të gjatë global me ritme edhe më të larta papunësie. Një industri e tërë, ajo e prodhimit të makinave, konsiderohet në rrezik për të falimentuar.

Disa ekonomistë e kanë krahasuar situatën aktuale me një fatkeqësi të mëparshme të ekonomisë globale, me depresionin e viteve 1930. Por ekonomisti Jeffri King thotë se ky krahasim është i parakohshëm.

“Aktualisht niveli i papunësisë është 6,5 për qind, pra jo aq keq sa në më 1981 dhe as që mund të krahasohet me vitet 30-të”.

Presidenti i zgjedhur Barak Obama ka premtuar një program agresiv për hapjen e vendeve të punës për të stimuluar ekonominë amerikane. Plani mund t’i shtojë qindra miliarda dollarë borxhit tashmë të madh të Amerikës. Ironikisht, ishte pikërisht ky borxh, në formën e kredive të rrezikshme për shtëpitë, që krijoi kushtet për krizën e tregut të shtëpive dhe që shihet si shkaku kryesor për krizën ekonomike aktuale. /woa/