EJU: Kelmendi favorite absolute

Kështu ka shkruar sajti zyrtar i Federatës Evropiane të Xhudos (EJU) në një tekst për Kampionatin e botës në xhudo për seniorë që nis pas pak ditësh.
Botërori i xhudos, ngjarja më e madhe e këtij viti në këtë sport luftarak, mbahet në Astana të Kazakistanit nga 24 deri më 30 gusht. Garat në kategorinë e Kelmendit, atë deri 52 kilogramë, zhvillohen më 25 gusht, të martën e ardhshme, shkruan koha ditore.
"Majlinda Kelmendi (KOS) është favorite absolute në kategorinë deri 52 kilogramë.
E pamposhtur për dy vite, Kelmendi ka seri të fitoreve që mund të krahasohet vetëm me atë të Teddy Rinerit. Për të vënë në pah rolin e favorites, Kelmendi ka bilanc 5:0 ndaj rivales më të afërt Andrea Chitu.
Gjasat më të mëdha për një befasi janë ndoshta kundër japonezes Yuki Hashimoto, apo ruses Natalia Kuziutina", ka shkruar EJU-ja.
Majlinda Kelmendi (24) është kampione në fuqi dhe e dyfishtë e botës. Titujt e botës i ka fituar vitin e kaluar dhe në vitin 2013.



















































