Megjithatë, lajmi për vdekjen e tij mbetet ende i pakonfirmuar zyrtarisht, ashtu siç ka ndodhur edhe me rastet e shqiptarëve të tjerë që janë vrarë duke luftuar përkrah ISIS-it në Siri apo Irak.  

Vështirësia për konfirmimin e vdekjes së një shtetasi shqiptar qëndron në pamundësinë e marrjes së informacionit direkt nga vendi i ngjarjes, pasi gjithçka ndodh brenda territorit të Kalifatit Islam.


Megjithatë, burime nga Drejtoria e Antiterrorit kanë thënë dyshimi për vdekjen e shqiptarit ka ardhur duke iu referuar deklarimeve të prindërve dhe familjarëve të Dorian Kuqos. Ndonëse të afërmit pohojnë se Doriani ka humbur jetën, autoritetet kanë dyshime për vërtetësinë e këtij informacioni, pasi mendojnë se kjo është një strategji e familjarëve, “për të hequr qafe” agjentët dhe oficerët e agjencive ligjzbatuese, të cilët interesohen për këtë rast.

Dorian Kuqo, banues në fshatin Rëmenj, vetëm një kilometër larg Pogradecit, është larguar drejt Sirisë më 4 korrik të vitit 2013 dhe rezulton si person i pakthyer në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ai është rreth 25 vjeç dhe para se të largohej ka marrë leksione direkt nga Genci Balla, imami i vetëshpallur i xhamisë së Unazës së Re, i cili po gjykohet tashmë nga Krimet e Rënda për rekrutimin e luftëtarëve dhe dërgimin e tyre në luftë. Prej asaj kohe ai nuk është kthyer më në shtëpinë e tij, teksa herë pas here komunikonte me familjarët e tij. Por kohët e fundit, të afërmit u kanë treguar strukturave përgjegjëse për këto raste se nuk kanë marrë më lajm për Dorianin.

Referuar dëshmive të tyre, dikush u kishte telefonuar për t’u dhënë lajmin për vdekjen e Dorian Kuqos, në frontin e luftimeve në Siri. Por duket se këto deklarime nuk i kanë bindur autoritetet, të cilat dyshojnë se është një taktikë e të afërmve për të mos kontaktuar më me strukturat mbikëqyrëse. Deri më tani ky informacion po trajtohet me të dyja anët e medaljes, qoftë asaj të së vërtetës absolute, ashtu edhe asaj të manovrës familjare. /Telegrafi/