LAJMI I FUNDIT:

Eco Guerilla: Deklarata e kryeministrit Zaev për Jugohromin, propagandë parazgjedhore (Video)

Eco Guerilla: Deklarata e kryeministrit Zaev për Jugohromin, propagandë parazgjedhore (Video)

Iniciativa qytetare Eco Guerilla, përmes një njoftimi për Telegrafi Maqedoni ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev, i cili tha se Jugohrom do të fillojë me kapacitet të plotë pune me vendosjen e filtrave në muajin mars.

Nga Eco Guerilla këtë deklaratë të kryeministrit e vlerësojnë si propagandë parazgjedhore dhe shtojnë se klasa politike e cila lejoi helmimin e tetovarëve do të mbanë përgjegjësi.

“Tetova u radhit si qyteti më i ndotur në Evropë. Me mbylljen e Jugohromit u vërtetua bindshëm që qyteti i Tetovës dhe rrethina janë 60% më pak të ndotur. Klasa politike e cila toleroi helmimin masiv të tetovarëve me vite duhet të mbajë përgjegjësinë më të madhe në histori. Siç është i njoftuar edhe vetë kryeministri, një kombinat aq i madh, për të punuar me kapacitet të plotë, vendosja e filtrave kërkon një afat minimum prej dy vitesh. Deklaratat se mund të fillojë me punë në muajin mars i cilësojmë si joserioze. Çdo improvizim kozmetik do të jetë i papranueshëm. Kërkojmë fuqishëm një inspektim të rreptë me përmbushjen e të gjitha standardeve ekologjike me zero tolerancë. Në të kundërtën reagimi qytetar do të jetë i ashpër. Kthim prapa nuk ka, shëndeti i qytetarëve mbi të gjitha”, thuhet në reagimin e Eco Guerilla./Telegrafi/