LAJMI I FUNDIT:

E kaluara traumatike e JD-së nuk e shpjegon bulizmin e tij ndaj Ukrainës!

E kaluara traumatike e JD-së nuk e shpjegon bulizmin e tij ndaj Ukrainës!
Volodymyr Zelenskyy, Donald Trump dhe JD Vance në Zyrën Ovale më 28 shkurt 2025 (foto: ABACA/Rex/Shutterstock)

Nga: Karolina Wigura and Jarosław Kuisz / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Edhe përpara trajtimit tronditës të Volodymyr Zelenskyyt në Zyrën Ovale, ShBA-ja kishte votuar njëjtë si Rusia në OKB. Alarmet për kërcënimin e sigurisë, me të cilin po përballet Evropa, kishin filluar të bien që gjatë fjalimit të JD Vanceit në Munih, në shkurt, kur ai vuri në pikëpyetje domethënien e mbrojtjes nga Rusia të demokracive liberale të Evropës.

Për vendet që rrethojnë Rusinë, kjo nuk ka të bëjë thjesht me paturpësi apo dështim diplomatik, por me rrezikun potencial të zhdukjes nga harta.


Por, po kuptojnë gjithashtu se, në vend të një “Perëndimi” të vetëm – një ideal të cilin e kemi mitizuar prej kohësh, madje edhe përpara rënies së komunizmit – në një nga zhvendosjet më të rëndësishme gjeopolitike të dekadave të fundit ne po shohim lindjen e dy Perëndimeve.

Shumë njerëz anembanë botës u mahnitën nga Elegjia e Malësisë [vepra Hillbilly Elegy] e Vanceit. Kujtimet e tij bestseller treguan se dëshira për të rindërtuar një jetë normale, pas një fëmijërie të trazuar, mund të shërbejë si një terren pjellor për populizmin.

Por, Vance sillet sikur e kaluara e vështirë dhe mes vështirësive në rripin industrial të Amerikës, justifikon trajektoren e tij shkatërrimtare politike. Në fund të fundit, ai është krejtësisht i pabindshëm. Dhe, jo vetëm sepse, pavarësisht se ku ka lindur, ai përfundoi në shkollën e drejtësisë në “Yale” dhe tani është zëvendëspresident i ShBA-së.

Pasojat politike të traumës nuk duhet të nënvlerësohen. Megjithatë, si individë dhe si shoqëri, ne kemi mundësinë të zgjedhim si t’i përballojmë përvojat negative: mund të vendosim të promovojmë ndasi dhe mllef, ose të kultivojmë solidaritet dhe dhembshuri.

Ish-blloku lindor dikur ishte një Elegji e madhe e Malësisë. U desh një përpjekje e jashtëzakonshme për të ngritur kombet e rrënuara nga falimentimi komunist – politikisht, ekonomikisht dhe shpesh moralisht – dhe për t’i shndërruar ato në anëtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Sigurisht, modernizimi i suksesshëm pas vitit 1989 nuk ishte pa gabime politike dhe pa vuajtje.

Por, ndarja e kontinentit në vitin 1945 u imponua nga fuqitë e mëdha – Britania e Madhe, ShBA-ja dhe BRSS-ja. Vendet tona nuk u pyetën. Trashëgimia e dekadave të stagnimit politik dhe ekonomik, e imponuar ndërkombëtarisht nga lart, për ne nënkuptonte varfëri, infrastrukturë të rrënuar, institucione të dobëta shtetërore dhe miliona njerëz që përballeshin me pasiguri të thellë për vetëvlerësimin. Shpesh ishin të varur nga alkooli, gjithashtu si pasojë e inxhinierisë sociale të epokës sovjetike. Të mbetur me këtë trashëgimi të padëshiruar, nuk na pengoi që shpesh të quheshim të prapambetur apo më pak të civilizuar se fqinjët tanë perëndimorë, teksa përpiqeshim të ecnim përpara.

Megjithatë, qëllimi ynë ishte i qartë: së pari, duhej të riafirmonim shtetet tona demokratike kombëtare dhe më pas të niseshim në një garë të madhe për të arritur standardet perëndimore. Perëndimorizimi ynë ishte plot entuziazëm, por edhe naivitet. Në njëfarë mënyre, ishim si Eneu, heroi i mitologjisë greko-romake, i detyruar të linte pas botën që kishte njohur për të ndërtuar diçka të re.

Më shumë se tri dekada pas vitit 1989, transformimi i Evropës Qendrore dhe Lindore është i jashtëzakonshëm. Megjithëse frika e humbjes së sovranitetit tonë nuk është zhdukur kurrë plotësisht, në Talin, Vilnius apo Bratislavë, moderniteti i sigurt dhe i ndritshëm sot ndërthuret me mbetjet e së kaluarës komuniste. Rrugë të pastra, tramvaje të rinj e elegantë dhe një ethe e pandalshme për të rinovuar gjithçka, reflektojnë jo vetëm rritjen ekonomike, por edhe një ambicie më të thellë për përkatësi – për të dëshmuar se ishim të denjë për këtë Perëndim, kryesisht të imagjinuar.

Ky rrugëtim përkoi me pjekurinë tonë si demokraci. Por, përvoja e shikimit të sundimit populist që zë rrënjë në shumë vende – Brexit-i në Mbretërinë e Bashkuar, sulmi i plotë rus ndaj Ukrainës – solli një qartësi të re.

Duket sikur historia është rikthyer. Ne u perëndimorizuuam për të arritur pjekurinë demokratike. Tani është Evropa Perëndimore ajo që duhet të “lindorizohet” për të arritur pjekurinë në siguri dhe mbrojtje.

Por, Perëndimi global, të cilit aspironim t’i bashkoheshim, po ndahet më dysh; po copëzohet mes kampeve liberaldemokratike dhe populiste, midis fyerjeve dhe solidaritetit. Ata që janë në pushtet në Uashington duket se mbështesin shpërbërjen e vetë parimeve dhe idealeve demokratike që na ndihmuan të kapërcenim mjerimin tonë të kaluar. Të njëjtat parime dhe ideale i kanë lejuar Ukrainës t’i rezistojë agresionit brutal rus dhe të mbajë shpresën për t’iu bashkuar institucioneve perëndimore.

Njëri nga dy Perëndimet e reja i përket Vanceit, Donald Trumpit dhe ndjekësve të tyre evropianë në Hungari, Sllovaki dhe gjetkë.

Perëndimi tjetër ende kujdeset për kushtetutshmërinë dhe të drejtat universale të njeriut. Dhe, ky Perëndim demokratik, për herë të parë, ka filluar të ndajë shqetësimet e Evropës post-komuniste për sovranitetin. Njerëzit në rajonin tonë kanë jetuar me frikë ekzistenciale për një kohë të gjatë. Për këtë arsye, Polonia dhe vendet baltike shpenzojnë shifra rekord të PBB-së së tyre për ushtrinë – në kurriz të nevojave të tjera.

Tani, më në fund, Emmanuel Macron, Keir Starmer dhe kancelari i ardhshëm gjerman Friedrich Merz, janë të gatshëm ta shohin situatën nga perspektiva e Ukrainës. Samiti në Londër, të dielën, e konfirmoi këtë. Kujtojmë se ankthi nuk ishte e ndarë në mënyrë të barabartë përpara shkurtit 2022, kur paralajmërimet e Ukrainës shpesh përçmoheshin si “rusofobi” ose “luftënxitje”.

Që atëherë, shumë është shkruar për zhvendosjen e qendrës së gravitetit të BE-së nga Franca dhe Gjermania drejt vendeve baltike dhe Polonisë. Nëse kjo është e vërtetë, është sepse fqinjët e drejtpërdrejtë të Rusisë ishin të gatshëm të merrnin një pjesë të tepruar të barrës së kundërshtimit të saj dhe pastaj të fillonin punën për mbrojtjen e vërtetë të Evropës.

Por, zgjedhjet në Gjermani, ku e djathta ekstreme pro-ruse, Alternativa për Gjermaninë (e mbështetur nga Vance) doli në vend të dytë, na kujtojnë se edhe në këtë Perëndim të ndarë, Evropa është gjithashtu e përçarë: vetëm një pjesë e saj i qëndron besnike vlerave liberaldemokratike. Ajo e kupton se solidariteti nuk është një çështje e thirrjeve drejtuar ndërgjegjes së botës apo e britmave për përgjegjësi historike, sakrificë dhe kosto të mëdha. Përkundrazi, është një çështje e interesit vetjak.

Trajtimi poshtërues i Zelenskyyt nga Vance në Zyrën Ovale simbolizoi diçka tjetër. Vance dikur ishte një kritik i ashpër i Donald Trumpit, pastaj papritmas ndryshoi anë. Në Zyrën Ovale, Elegjia e Malësisë u shndërrua në një panegjirik për bulizmin ndaj atyre që kanë nevojë për solidaritet dhe dhembshuri. Stili i tij i neokonservatorizmit duket si konformizëm i zakonshëm ndaj doktrinës se i forti ka të drejtë, se vendet e forta përçmojnë ose sulmojnë ato më të voglat.

Me Perëndimin që po ndahet më dysh, shpëtimi i një Ukraine të lirë dhe mbrojtja e demokracisë liberale duken të vështira. Por, është më e qartë se kurrë që këto të dyja ecin dorë për dore. /Telegrafi/