LAJMI I FUNDIT:

E djathta serbe paralajmëron tubim ndërkombëtar në veri të Kosovës

E djathta serbe paralajmëron tubim ndërkombëtar në veri të Kosovës

Organizata ndërkombëtare Aleanca për Paqe dhe Liri (The Alliance for Peace and Freedom – APF), e cila mbledh të djathtët ekstremë, po planifikon një tubim në veri të Kosovës.

Siç ka thënë në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, udhëheqësi i lëvizjes me orientim të djathtë “E djathta serbe nga Serbia”, Misha Vaciq, qëllimi i tubimit do të jetë ofrimi i mbështetjes ndërkombëtare për serbët në Kosovë.

“Që ta shohin (serbët) se nuk janë vetëm vëllezërit tanë tradicional – të tipit rusët dhe grekët – por, që ekzistojnë në të gjithë popujt e Evropës njerëz që kanë qëndrim politike se Kosova është Serbi”, tha Vaciq në një deklaratë përmes telefonit.


Aleanca për Paqe dhe Liri (APF) bashkon partitë dhe lëvizjet politike të ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën. Anëtarë të Aleancës, ndër të tjerë, janë edhe Partia Forza Nuova nga Italia, Fronti Kombëtar Francez, ndërkaq që bashkëpunon edhe me organizatën greke të ndaluar neo-naziste, Agimi i Artë.

Aleanca, më 26 shtator mbajti konferencën “Kombet e Evropës”, në Hotel Moska në Beograd , në të cilën, sipas një raporti nga faqja e internetit e kësaj organizate, u dëgjuan mesazhe që mohonin pandeminë, por edhe pavarësinë e Kosovës.

Nikoqir i tubimit ishte Misha Vaciq, i cili më parë ka qenë udhëheqës i lëvizjes së krahut të djathtë Nashi 1389 (Tanët 1389), ndërkaq që në vitin 2017 ai e themeloi lëvizjen E djathta Serbe.

Kjo lëvizje, siç thuhet në faqen e saj të internetit, promovon tradicionalizmin, atdhedashurinë, shoqërinë e shëndoshë dhe integrimet euro-aziatike.

Në faqen e internetit të kësaj lëvizjeje gjithashtu përmendet angazhimi për të hyrë në një aleancë ushtarake me forcat e Lindjes, si dhe mohon pavarësinë e Kosovës.

Në tubimin e 26 shtatorit, i cili nuk tërhoqi shumë vëmendjen e mediave, u përmend edhe mundësia që tubimi tjetër të mbahej në veri të Kosovës, ku në shumicë jeton popullata me kombësi serbe.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Vaciq konfirmoi se planifikon që në mes të nëntorit të organizojë në Kosovë një tubim të partive politike të krahut të djathtë, të mbledhura rreth Aleancës për Paqe dhe Liri.

“Ende nuk janë të njohura detajet se ku saktësisht do të mbahet mbledhja, sidomos për shkak të situatës së sigurisë. Nuk është e sigurt nëse ky do të jetë një samit i formatit që u mbajt në Beograd. Plani im është që t’i sjell të gjithë ata politikanë evropianë dhe t’i vizitojnë serbët në barrikada. Por, pasi që barrikada nuk ka, plani është ende duke u pritur”, ka thënë Vaciq.

Siç tha ai, formati i tubimit do të vendoset në përputhje me situatën në terren.

“Çështja është t’i japim popullit serb (në Kosovë) mbështetjen e patriotëve ndërkombëtarë”, u shpreh Vaciq.

Ai nuk pret që për shkak të autoriteteve të Kosovës të ketë ndonjë problem me rastin e organizimit të tubimit të tillë.

I pyetur nëse mendon se do të ketë probleme me autoritetet e Kosovës kur ai të hyjë në vend, Vaciq konsideron që vetëm ai personalisht mund të ketë probleme.

“Mund të jetë problem vetëm për mua, sepse kam pasur një ndalim të hyrjes që kur kam qenë këshilltar për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Por, unë nuk e respektoj atë ndalim, sepse nuk i pranoj vendimet e institucioneve të përkohshme, që për mua janë institucione terroriste dhe jo organe e autoritete”, tha Vaciq për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson që nuk pret që të ketë probleme kushdo nga delegatët e huaj gjatë hyrjes në Kosovë.

“Kohë më parë ka qenë në vizitë një ekip i Forza Nuove-s, pasi që Italia është vend që e njeh Kosovën. Mund të ketë probleme me delegatët rusë dhe delegatët nga vendet që nuk e kanë njohur shtetin e rrejshëm të Kosovës”, theksoi Vaciq.

Ai shtoi se anëtarët e Forza Nuove-s kanë shkuar në Kosovë që të dorëzojnë ndihmat “me ushqime dhe para, për serbët më të rrezikuar”, por ai nuk deshi që të japë detaje të tjera lidhur me këtë vizitë.

“I kemi dërguar në veri dhe kanë hyrë pa asnjë problem. Njerëzit tanë është dashur të kenë testet PCR-së (për koronavirus), në mënyrë që të mund të hynin”, tha Vaciq.

Serbia si eksportuese dhe importuese e së djathtës

Tubimi ndërkombëtar i të djathtëve në veri të Kosovës mund të provokojë tensione shtesë, në dritën e ngjarjeve aktuale në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë, Predrag Petroviq, hulumtues në Qendrën për Politikat e Sigurisë në Beograd.

“Në një perspektivë ky është një kërcënim serioz (për sigurinë) sepse bashkimi, zgjerimi i së djathtës në nivel evropian, mund të kontribuojë në rritjen më të madhe të ekstremizmit në skenën politike dhe polarizimin e forcave politike në Evropë”, tha Petroviq.

Sipas tij, një nga qëllimet kryesore të së djathtës, si vendase ashtu edhe evropiane, është vendosja e identitetit të kombit në qendër të politikës.

“E djathta serbe, por unë do të thosha edhe pushteti nga Beogradi, i cili qëndron prapa të djathtës serbe, dëshiron të dërgojë porosi që çështja e Kosovës nuk është vetëm çështje e Kinës dhe Rusisë, të cilat rrinë prapa qëndrimit të Beogradit, por që bëhet fjalë për një çështje më të gjerë – për mbrojtjen e identitetit dhe të Serbisë, por edhe Evropës më gjerë”, theksoi Petroviq.

Kina dhe Rusia, të cilat janë ndër pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, ndërkaq që nga gjithsej 27 anëtarë të BE -së, 22 prej tyre e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Petroviq thekson se Serbia, nga njëra anë është eksportuese e të djathtëve në rajon, por nga ana tjetër, ajo edhe importon të djathtët, në mënyrë që të tregojë se është pjesë e një “rrëfimi më të madh të identitetit”.

“Për Beogradin zyrtar dhe për të djathtën serbe është shumë e rëndësishme që të lidhet me të djathtën euro-perëndimore, që të dëshmojë se ajo për të cilën po lufton e djathta ekstreme në Serbi, nuk është vetëm çështje e Rusisë dhe se Serbia nuk është ‘Rusia e vogël në Ballkan’, por se ajo në të vërtetë është në mbrojtje të Evropës nga pushtimi mysliman në Evropë”, u shpreh Petroviq.

Se cila do të jetë përgjigja e autoriteteve të Kosovës ndaj tubimit të të djathtëve, sipas Petroviqit, është vështirë që të parashihet.

“Por, përgjigjja e tyre me siguri që do të orientohet në kuptimin të asaj që të tregojnë që politika e Serbisë është anakronike dhe se e gjithë kjo që po ndodh ka ndërlidhje me politikën e Sllobodan Millosheviqit (ish-president i Republikës Federale të Jugosllavisë) të viteve 90, dhe se është vazhdim i një politike nacionaliste që pësoi humbje”, përfundon Petroviq.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjet se a kanë autoritetet e Kosovës informata për tubimin e paralajmëruar dhe cili është qëndrimi i tyre lidhur me këtë çështje. Por, deri në publikimin e këtij teksti, qeveria nuk ka kthyer përgjigje.

Ibishi: Qëllimet e të djathtës serbe, të njëjta me të Beogradit zyrtar

Paralajmërimin e një tubimi në veri të Kosovës të përfaqësuesve të ekstremit të djathtë në kuadër të Aleancës për Paqen dhe Lirinë, njohësi i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, nuk e sheh si të shkëputur nga politikat aktuale të Beogradit zyrtar ndaj Kosovës.

Sipas tij, presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, pas incidenteve në veri të Kosovës, që u ndërlidhen me masat e reciprocitetit për targat, kishte paralajmëruar se Serbia do të ndërmarrë masa, pa i specifikuar ato masa.

Tubimi i paralajmëruar, në rast se ai eventualisht mbahet, sipas Ibishit, ka qëllim të dyfishtë.

“Ka qëllim të dyanshëm. Së pari, që ta injorojë sovranitetin e Kosovës, duke i ftuar në tubim në një pjesë të Kosovës ku ka probleme, pra në pjesën veriore dhe kësi soji duke u përpjekur që ta paraqesë Kosovën si pjesë integrale të Serbisë. Çështja tjetër është që shtetin e Kosovës ta paraqesë si një element fetar, pra të ekstremit fetar islamik”, tha Ibishi.

Ibishi tha se marrë parasysh që Aleanca për Paqen dhe Lirinë nuk është në regjistrin e partive politike në bazë të vendimit të Autoritetit për Partitë Politike Evropiane, atëherë veprimi i saj eventual dhe i çfarëdo forme në Kosovë, duhet shihet si jolegal.

“Në aspektin e legalitetit, nuk mund t’i lejohet që të paraqitet në një pjesë të territorit të Kosovës, në rast se nuk e dorëzon një kërkesë për një konferencë apo tubim, si dhe t’i shihet sfondi i saj, se a është e regjistruar, çfarë është programi dhe qëllimet e saja në bashkëpunim me këtë asociacionin simotër në Serbi”, tha Ibishi.

Ai shtoi se programi, qëllimet dhe orientimi i Aleancës për Paqen dhe Lirinë tashmë janë të njohura dhe sipas tij, mbajtja e një tubimi në Kosovë të përfaqësuesve të kësaj organizate, është rrezikshme. Për këtë shkak, sipas tij, autoritetet e Kosovës nuk duhet të lejojnë mbajtjen e këtij tubimi, qoftë edhe për shkak të çështjes së ligjshmërisë së kësaj organizate, qoftë për shkak të programit të saj, si dhe për atë që paraqet në Evropë.

Çfarë është Aleanca për Paqe dhe Liri?

Aleanca për Paqe dhe Lirinë (Alliance for Peace and Freedom – APF) u themelua në vitin 2015 dhe bashkon partitë dhe lëvizjet politike të ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën. Ajo u regjistrua si një parti politike brenda institucioneve të Bashkimit Evropian (BE) për vetëm shtatë muaj, nga shkurti deri në shtator të vitit 2018.

APF-ja, me vendimin e Autoritetit për Partitë Politike Evropiane dhe fondacionet politike evropiane, që nga 9 shkurti i vitit 2018 u regjistrua në regjistrin e partive politike evropiane.

Nga ky regjistër është larguar me vendimin e të njëjtit organ, më 13 shtator të po atij viti, në të cilin vendim autoritetet i janë referuar, ndër të tjera, Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian.

Siç thuhet në shpjegimin e vendimit, APF-ja nuk e paraqiti brenda afateve të përcaktuara dokumentacionin që do të plotësonte kriteret e regjistrimit.

Ato kritere janë në përmbajtjen e Rregullores 1141/2014 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit. Ajo që APF-ja nuk arriti të përmbushë, ndër të tjera, është se një parti politike ose anëtarët e saj duhet të jenë të pranishëm ose të përfaqësuar në të paktën një të katërtën e shteteve anëtare dhe se partia ose anëtarët e saj duhet të kenë fituar të paktën 3 për qind të votave në së paku një të katërtën e shteteve anëtare, në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

APF-ja ka tentuar sërish në vitin 2020 që të regjistrohet si parti politike evropiane, por në nëntor të atij viti, kërkesa e saj për regjistrim u refuzua.

Siç thuhet në faqen e internetit të Parlamentit Evropian, në vitin 2016, ky institucion evropian kreu një hetim nëse APF-ja është në përputhje me parimet themelore mbi të cilat bazohet BE-ja. Por, rezultatet e hetimit nuk janë të qasshme për publikun.

Siç ka shkruar BBC-ja, në maj të vitit 2016, disa eurodeputetë e kanë dënuar faktin që BE-ja ka dhënë grante në vlerë totale prej gati 600,000 euro për bllokun e krahut të djathtë ekstrem, për partinë APF dhe për fondacionin e saj, Europa Terra Nostra.

Siç thuhet në tekstin e botuar nga shërbyesi publik britanik, kritikën e quajnë APF-në si “lëvizje neo-naziste”.

Konkluza e samitit “Kosova është Serbi”

Lideri i së djathtës serbe, Misha Vaciq, i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë tri ditëve të samitit në Beograd, të nisur më 26 shtator, u arrit në përfundimin se “Kosova është Serbi dhe se në Srebrenicë nuk ka ndodhur gjenocidi”.

Më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Deklaratën për pavarësi, me të cilën e shpalli pavarësinë e vendit.

Zyrtarët në Serbi ende vazhdojnë të refuzojnë të njohin Kosovën si shtet të pavarur, ndërkaq që kjo temë është gjithashtu baza e retorikës së të djathtëve serbë.

Së bashku me Kosovën, Srebrenica është gjithashtu në agjendën e partive dhe grupeve të krahut të djathtë, të cilat e mohojnë gjenocidin.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, me vendimin e shkurtit të viti 2007, konfirmoi se gjenocidi në Srebrenicë ka ndodhur, ndërkaq Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i dënoi 14 ish-pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë së Republikës Serbe për gjenocid ndaj rreth 8,000 civilëve boshnjakë në zonën e mbrojtur në Srebrenicë dhe rreth saj, në korrik të vitit 1995.

Parullat si “Kosova është Serbi”, deklaratat kundër emigrantëve dhe ato që drejtohen kundër pasaportave COVID, por edhe kundër masave të marra nga qeveritë e BE-së për të frenuar përhapjen e koronavirusit, janë mesazhe të dërguara nga një foltore në Hotel Moska në Beograd, më 26 shtator nga përfaqësuesit e partive evropiane të ekstremit të djathtë.

Aty u përfaqësuan organizatat e djathta dhe lëvizjet politike nga Greqia, Spanja, Italia, Franca, Gjermania, Rusia, Rumania dhe Serbia.

Siç deklaruan ata, qëllimi është që të ripërtërihet lëvizja pan-evropiane Aleanca për Paqe dhe Liri, e cila mbledh lëvizjet dhe partitë politike të djathta në të gjithë Evropën.

Shkuarja në Kosovë, së bashku, ishte një nga temat në tubim.

“Nuk janë vetëm serbët kundër fuqisë së rreme të Kosovës, por është e gjithë Evropa, e gjithë Evropa nacionaliste, e cila po shkon kundër Kosovës”, tha Roberto Fiore nga organizata e ekstremit të djathtë italian, Forza Nuova (Forca e Re).

Siç ka shkruar gazeta britanike “The Times”, në vitin 1985, ai u dënua në mungesë, si anëtar i grupit terrorist fashist Nuclei Armati Rivoluzionari, ndërkaq që në disa raste ai e përshkroi veten si një neo-fashist.

“Unë mendoj që është shumë mirë ajo që e ka thënë Roberto Fiore, që të gjithë nacionalistët evropianë mund të shkojnë së bashku në Kosovën serbe, që së bashku të ndërmarrim disa aksione”, ka teksuar Vaciq në fjalimin e tij, si nikoqir i tubimit.

“Ajo që ka ndodhur dje dhe tash në Kosovë, po ndodh në Francë… shteti i thellë po përdor migrantët për të shpërbërë dhe shkatërruar të gjitha kombet historike”, ka thënë Yvan Benedetti nga partia franceze e ekstremit të djathtë Fronti Kombëtar, në krye të së cilës qëndron Marine Le Pen, e cila e bazon politikën e saj, ndër të tjera, në mesazhet kundër migrantëve.

Benedetti gjithashtu ka thënë se të gjithë “duhet të ngrihen dhe të thonë që Kosova është Serbi”.

Në deklaratat e tyre, pjesëmarrësit gjithashtu mohuan gjenocidin në Srebrenicë, gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, në vitet e 90-ta.

I pranishëm në këtë tubim ishte gjithashtu edhe Branislav Puhalo, një ish-pjesëtar i ushtrisë serbe dhe për shumë vite edhe pjesëtar i personelit për siguri të Ratko Mlladiqit. Mlladiq, në Tribunalin e Hagës, u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Në vitin 2006, Puhalo si oficer i rangut të lartë në ushtrisë e atëhershme të Serbisë dhe Malit të Zi, u përfshi në hetimin lidhur me ndihmën për të fshehur Ratko Mlladiqin. Megjithatë, hetimi kundër tij dhe katër oficerëve të tjerë të lartë ushtarakë u pezullua shpejt, për shkak të presionit politik nga zyra e kryeministrit të atëhershëm të Serbisë, Vojisllav Koshtunica.

Në tubim u lexua mesazhi njërit prej anëtarëve të Agimit të Artë, organizatë kjo neo-naziste greke, drejtuesi dhe anëtarët e së cilës u dënuan nga një gjykatë e Athinës në tetor të vitit 2020 për udhëheqjen e lëvizjes kriminale.

Pas një gjyqi që zgjati më shumë se pesë vjet, dënimet u shpallën për gjithsej 68 anëtarë të Agimit të Artë, i cili dikur ishte grupim në parlamentin grek.

Forcat serbe të sigurisë duhet të sigurojnë popullin serb

Përfaqësuesit e partive dhe lëvizjeve të krahut të djathtë në Beograd, siç shpjegon Vaciq, u pajtuan që dëshirojnë tërheqjen e përfaqësuesve të ushtrive të tyre nga Kosova.

“Ata, nacionalistët përfaqësues të vendeve të veta, konsiderojnë se ushtritë e tyre nuk e kanë vendin në NATO, nuk duan të jenë pushtues dhe besojnë se forcat serbe të sigurisë duhet të sigurojnë për popullin serb”, tha Vaciq për Radion Evropa e Lirë.

Kush është Misha Vaciq?

Misha Vaciq, që nga fillimi i karrierës së tij, është angazhuar për ideologji të krahut të djathtë ekstrem.

Pas vetes ka disa vendime gjyqësore për vepra që, ndër të tjera, përfshijnë armëmbajtje pa leje dhe kërcënime me dhunë.

Ai u arrestua për herë të parë në shtator të vitit 2009, pas anulimit të Paradës së Krenarisë dhe pasi që Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ndaloi tubimet publike në Beograd, për arsye sigurie, të cilën ndalesë Vaciq nuk e respektoi.

Për atë arsye, po të njëjtin vit, ai u dënua me 30 ditë burg.

Si zëdhënës i lëvizjes SNP 1389, në korrik të vitit 2013, ai u dënua me një vit burg me kusht, për shkak të përhapjes së ideve diskriminuese, për armëmbajtje pa leje dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave të tij, si dhe për shkak se kërcënoi me dhunë në qoftë se mbahej Parada e Krenarisë.

Gjatë gjykimit, prokuroria theksoi se ishte vërtetuar se Vaciq bëri thirrje për linçim dhe dhunë kundër anëtarëve të popullatës LGBT, ndërsa mbrojtja deklaroi se nuk kishte prova që ai kishte kryer ndonjë vepër penale.

Në shkurt të vitit 2015, Gjykata e Apelit e ndryshoi atë vendim, duke e ulur dënimin për Vaciqin nga një vit në shtatë muaj me kusht.

Në shkurt të vitit 2008, pasi që Kosova shpalli pavarësinë e saj, ai mori pjesë në tubimin “Kosova është Serbi”, kur u dogj Ambasada amerikane në Beograd, në tubimet për të mbështetur të dënuarit e Hagës, Radovan Karaxhiq në vitin 2008, si dhe në shumë manifestime mbështetëse për të akuzuarin e Hagës, Ratko Mlladiq.

Pas kësaj, siç e pati konfirmuar, në vitin 2016, ish -drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, i cili është aktualisht ambasador i Serbisë në Uashington, Vaciqi ishte i angazhuar në atë zyrë.

Duke reaguar ndaj kritikave publike në lidhje me angazhimit të Vaciqit, Gjuriq shpjegoi në vitin 2017 se Vaciqi nuk ishte i punësuar përgjithmonë në atë organ qeveritar, por se ai kishte një kontratë ligjërisht më pak detyruese.

“Misha Vaciq është e punësuar në Zyrën për Kosovën, në bazë të një kontrate për mbështetje në mbledhjen e fondeve dhe organizimin e ndihmës për familjet e rrezikuara në aspektin social në Kosovë, për rinovimin e kishave dhe manastireve, funksionimin e kuzhinave të vogla dhe aktivitete të tjera humanitare në krahinë” pati theksuar Gjuriq për agjencinë Tanjug, në vitin 2016, thuhet në faqen e internetit të portalit Istinomer.

Gjuriq, në një deklaratë më 24 janar të vitit 2017, tha se po atë ditë Zyra e ndërpreu kontratën me Vaciqin.

Dhjetë ditë më herët, më 15 janar, Vaciq ishte në trenin që u nis nga Beogradi për në Mitrovicën e Veriut, i cili u ndal në Rashkë, pranë kufirit serb me Kosovën, me vendim të kryeministrit të atëhershëm, sot presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, dhe që më pas u kthye në Beograd për arsye sigurie.

Siç raportuan mediat asokohe, Vaciq në tren u shpërndau gazetarëve vizitkartat, duke deklaruar se ai ishte këshilltar i Marko Gjuriqit, drejtorit të atëhershëm të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Vaciq gjithashtu ka lidhje me djathtistin britanik, Jim Dowson, i cili ishte mysafir në një nga takimet themeluese të lëvizjes së tij në janar të vitit 2018, së bashku me intelektualin rus, Leonid Savin, i cili redakton faqen e internetit të Konstantin Malofeyev, të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës e sanksionuan për shkak të mbështetjes që u kishte dhënë separatistëve pro-rusë në Ukrainë.

Gjithashtu, Millenko Jovanov, një zyrtar i lartë i Partisë Progresive Serbe në pushtet, ishte i pranishëm në takimin themelues të së djathtës serbe. /rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Policia kërkon nga shoferët që nga data 15 nëntor t'i vendosin pajisjet dimërore në veturat e tyre

Policia kërkon nga shoferët që nga data 15 nëntor t'i vendosin pajisjet dimërore në veturat e tyre

Lajme
Vajza e kryeshefit të policisë në Medvegjë i quajti shqiptarët minj, Lutfiu i dërgon shkresë institucioneve ndërkombëtare

Vajza e kryeshefit të policisë në Medvegjë i quajti shqiptarët minj, Lutfiu i dërgon shkresë institucioneve ndërkombëtare

Lugina
Mosmarrëveshje në komunikacion, policia publikon videon e arrestimit kur një person sulmoi fizikisht një tjetër

Mosmarrëveshje në komunikacion, policia publikon videon e arrestimit kur një person sulmoi fizikisht një tjetër

Kronika e Zezë
John Ratcliffe, drejtor i ri i CIA-s dhe lidhjet e forta me komunitetin shqiptar në SHBA

John Ratcliffe, drejtor i ri i CIA-s dhe lidhjet e forta me komunitetin shqiptar në SHBA

Lajme
Rama vë në dyshim deklaratat në Samitin e Klimës në Baku

Rama vë në dyshim deklaratat në Samitin e Klimës në Baku "nëse ndotësit më të mëdhenj vazhdojnë si zakonisht"

Lajme
Voziti më shumë se dyfishi i shpejtësisë së lejuar, shoferit në Gjilan i merret patentë-shoferi dhe gjobitet me 200 euro

Voziti më shumë se dyfishi i shpejtësisë së lejuar, shoferit në Gjilan i merret patentë-shoferi dhe gjobitet me 200 euro

Lajme
Kalo në kategori