Inigo Martinez ka pretenduar se Barcelona e di ku duhet ta sulmojë Real Madridin para finales së Superkupës së Spanjës.
Dy skuadrat do të ballafaqohen të dielën pasi Barcelona mposhti Athletic Bilbaon në gjysmëfinale teksa Real Madridi e kaloi Mallorcan.
Kjo ndeshje do të jetë përballja e tyre e tretë radhazi në finale të këtij kompeticioni dhe e dyta këtë sezon mes dy gjigantëve spanjollë, pas fitores së blaugranasve me rezultat 4-0 në ‘Santiago Bernabeu’.
Tani në sezonin e tij të dytë në klub, Martinez pritet që të luajë finalen e tij të parë për Barcelonën dhe shpreson se do të arrijë ta fitojë trofeun.
“Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë, ku ta sulmojmë Real Madridin. Ne do t’i sulmojmë ata, me besim të plotë dhe me një ekip më shumë se të gatshëm”.
“Ne jemi shumë të motivuar dhe të emocionuar. Është trofeu i parë i vitit dhe ne duam ta fitojmë atë, mund të na shtyjë edhe në garat e tjera”, ka thënë Martinez.
Real Madridi momentalisht është në krye të La Ligas teksa Barcelona ka rënë në pozitën e tretë pas një serie zhgënjyese të rezultateve./Telegrafi/