E detektuan që ishte aty, restoranti lëshon tetë herë radhazi këngën e Bebe Rexhës - artistja publikon videon duke u ndjerë 'në siklet'

Ylli shqiptar me famë botërore, Bebe Rexha, ka ndarë me ndjekësit e saj në TikTok një moment sa të papritur aq edhe paksa të sikletshëm që i ka ndodhur së fundmi gjatë një darke në një restorant.
Teksa kishte zgjedhur të shijonte një mbrëmje të qetë, stafi i restorantit duket se e ka vënë re prezencën e saj dhe ka vendosur ta “nderonte” në mënyrën më të zhurmshme të mundshme – duke lëshuar këngën e saj hit “I’m Good (Blue)” jo një, por tetë herë radhazi, pa ndalesë.
Në videon e publikuar, Rexha shfaqet e ulur në tavolinë, duke buzëqeshur me ndrojtje, teksa në sfond dëgjohet sërish e njëjta këngë. Me humor e sarkazëm, ajo shkroi mbi video: "Kur restoranti lëshon këngën tënde tetë herë rresht përgjatë darkës", ndërsa fytyra e saj tregonte qartë se po e ndiente veten në siklet.
@beberexha It’s flattering and sweet but get so embarrassed.
Në seksionin e komenteve, ajo shtoi: “Ata e lëshuan fjalë për fjalë tetë herë radhazi kur e dinin që isha atje. U ndjeva shumë në siklet”.

Videoja ka marrë mijëra pëlqime dhe komente nga fansat që e përgëzuan për reagimin e saj modest dhe të natyrshëm, ndërsa të tjerë nuk i kursyen batutat, duke thënë se “vetëm një superyll si Bebe Rexha mund të ketë një darkë me soundtrack-un e vet personal”.
Kujtojmë që “I’m Good (Blue)” është një nga këngët më të suksesshme të Bebe Rexhës në bashkëpunim me David Guettan, e cila ka dominuar toplistat globale dhe është dëgjuar miliarda herë në platformat muzikore. /Telegrafi/




























































