E ardhmja e Zenunajt ende e paqartë pas largimit nga Drita, oferta nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Melos Zenunaj është larguar nga Drita pas një sezoni të suksesshëm, ku ishte pjesë e skuadrës që fitoi titullin kampion të Kosovës.
Mbrojtësi qendror 24-vjeçar mori vendimin për t’u larguar, pasi dëshiron të ketë më shumë hapësira dhe rol më të madh në ekipin e ri, edhe pse kishte kontratë edhe për dy vite të tjera me gjilanasit.
E ardhmja e Zenunajt mbetet ende e paqartë, megjithatë interesimi për të nuk mungon nga shumë klube.
Ai ka oferta nga disa skuadra të Superligës së Kosovës, Kategorisë Superiore të Shqipërisë dhe kampionatit të Maqedonisë së Veriut.
Në Maqedoni, Struga dhe Rabotnicki kanë shprehur interes për ta afruar në skuadrat e tyre dhe e kanë kontaktuar tanimë.
Ndërkohë, ai është në bisedime edhe me tre skuadra nga elita e Shqipërisë dhe dy ekipe të Superligës së Kosovës.
Sezonin e fundit me Dritën, Zenunaj zhvilloi 17 ndeshje dhe dha kontribut në arritjen e objektivave të klubit.
Pavarësisht moshës së re, ai ka një përvojë të gjatë në futbollin kosovar, duke qenë pjesë e skuadrave si Dukagjini, Flamurtari, Liria dhe Kukësi. /Telegrafi/






















































