Nga: James Kynge (Londër), Jude Webber (Dublin) dhe Christine Murray (Meksiko-Siti) / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Një zyrë me shërbim të papërshkrueshëm në katin 24 të një blloku jo të njohur në Singapor, mund të duket vend modest për të vendosur një degë të konglomeratit gjigant të minierave kineze. Por, në rastin Yuxiao Fund, të një kompanie kineze me bazë në Singapor që u përpoq të merrte kontrollin e aseteve minerale për përdorim ushtarak në Australi, kjo ishte krejtësisht e qëllimshme. Në vend që të ndiqte nga selia në Kinë interesimin e saj për Northern Minerals – për një kompani australiane të mineraleve të rralla – pronarët e konglomeratit minerar Jinan Yuxiao Group zgjodhën të krijonin një entitet të profilit të ulët në Singapor.
Qëllimi i vendosjes në Singapor ishte ndryshim i këndit të sulmit. Oferta me origjinë nga një shtet neutral i Azisë Juglindore, me sistem shumë të vlerësuar ligjor, synonte të reduktonte dyshimet në Australi mbi blerjet kineze të industrisë së ndjeshme, thonë analistët. Është strategji që korporatat kineze po përdorin për t’u përshtatur me botën armiqësore rreth tyre.
Në fund, përpjekja e saj për të rritur aksionet në Northern Minerals, u bllokua nga qeveria australiane “e kujdesshme për të lejuar një entitet të huaj, veçanërisht me lidhje të forta me Partinë Komuniste kineze, për të kontrolluar një burim kritik kombëtar”, thotë analisti John Coyne i Institutit Australian të Politikave Strategjike, një think-tank me qendër në Kanberë.
Por, përdorimi i Singaporit nga Fondi Yuxiao flet për prirjen shumë më të madhe gjeopolitike dhe më komplekse. Rivaliteti në rritje midis Kinës dhe Perëndimit të udhëhequr nga ShBA-ja, po nxit fragmentimin e rendit ekonomik të botës. Pekini, Uashingtoni, Brukseli dhe kryeqytetet e tjera kanë vendosur një sërë tarifash, kontrollesh eksporti dhe masa të tjera për të mbrojtur tregjet e tyre të brendshme dhe për të penguar përparimin teknologjik të konkurrentëve.
Analistët dhe drejtuesit e kompanive thonë se korporatat kineze po krijojnë baza në një mori vendesh të treta, relativisht të paangazhuara, duke shpresuar se mund të kapërcejnë hendekun gjithnjë e më armiqësor që ndan Kinën nga Perëndimi. Motivimi kryesor prapa zhvendosjes së investimeve në këto vende relativisht të izoluara – të cilat përfshijnë Singaporin, Vietnamin, Irlandën, Hungarinë dhe Meksikën ndër të tjera – ka qenë anashkalimi i masave proteksioniste të vendosura nga fuqitë perëndimore kundër kompanive me bazë në Kinë.
Investimet kineze po derdhen në vende të tilla, dhe kjo kuptohet nga të dhënat që The Financial Times ekskluzivisht i siguroi nga kompania hulumtuese Rhodium Group. Por, derisa më shumë eksporte ë Kinës ridrejtohen përmes këtyre juridiksioneve, zyrtarët në ShBA dhe Evropë po shqetësohen gjithnjë e më shumë për shfaqjen e dyerve të pasme në tregjet e tyre.
“Kompanitë globale kineze padyshim që po përballen me kohën më sfiduese”, thotë Frank Pieke, profesor në Institutin e Azisë Lindore të Universitetit Kombëtar të Singaporit. “Por, janë gjithashtu shumë më të përparuara se në të kaluarën për të përballuar këto sfida. Janë më të mëdha, më të sofistikuara dhe kanë shumë më tepër për të ofruar te vendet ku operojnë”.
Shfaqja e Kinës si superfuqi ekonomike gjatë katër dekadave të fundit, është nxitur në masë të madhe nga globalizimi. Tregjet e hapura dhe tregtia e lirë mbështetën bumin e gjatë të eksporteve të Kinës dhe ndihmuan në lehtësimin e transfertave të mëdha të kapitalit, njohurive dhe teknologjisë nga Perëndimi në kompanitë kineze. Shumë prej këtyre kompanive kanë vazhduar të bëhen liderë botërorë në sektorët e tyre: shembuj janë BYD dhe CATL te automjetet elektrike dhe bateritë, Huawei në telekom dhe ByteDance në mediat sociale.
Të ballafaquar me mallrat e importuara që nuk përputhen me operatorët vendas në aspektin cilësor, dhe duke u bërë gjithnjë e më të shqetësuara për çështjet e sigurisë kombëtare, fuqitë perëndimore janë lodhur nga globalizimi.
Sipas një studimi të fundit të FMN-së, tregtia dhe investimet midis dy blloqeve të veçuara – njëri me qendër në ShBA dhe tjetri në Kinë – kanë rënë sidomos pas fillimit të luftës në Ukrainë. Sipas FMN-së, të ashtuquajturat vende lidhëse po kërkojnë të futen mes tyre dhe po “fitojnë shpejt rëndësi dhe po shërbejnë si urë lidhëse”. Flukset e tregtisë dhe investimeve në vendet e tilla janë rritur në mënyrë dramatike, qëkur ShBA-ja, Evropa dhe të tjerët filluan të krijojnë barrierat tregtare me Kinën.
Për kompanitë kineze, investimi në vendet e tilla sjell disa të mira. Njëra është qasja në zona të mëdha të tregtisë së lirë me tarifa minimale dhe lehtësi rregullatore. Tjetra është se qëndrimi në një gjeografi të re mund t’i lejojë kompanitë kineze të zbehin identitetin duke mbetur nën kufirin tregtar që kalon midis Kinës dhe Perëndimit të udhëhequr nga ShBA-ja, thonë analistët.
Aq e theksuar është kjo në Singapor, sa ka fituar një emër të veçantë. “Spastrimi i Singaporit” përshkruan një proces përmes të cilit kompanitë kineze krijojnë një filial ose riinkorporohen në qytetin-shtet për të zbutur rreziqet gjeopolitike dhe kontrollin e drejtuar shpeshherë ndaj subjekteve me bazë në Kinë.
Chen Zhiwu, profesor në Universitetin e Hong-Kongut, thotë se ai “është gjithmonë i impresionuar nga zgjuarsia njerëzore kur bëhet fjalë për t’iu përgjigjur rritjes së forcave të deglobalizimit”. “Për sa kohë që ka institucione të ndryshme politike midis kombeve në tokë, disa vende do të përpiqen të ofrojnë një platformë për bizneset e globalizuara për t’u përfshirë në një arbitrazh ndërinstitucional”, shton ai.
Ndoshta shembulli më i njohur është Shein, grupi i rrobave të lira që aktualisht kërkon të listohet në Londër ose Nju-Jork. Filloi në vitin 2008 në qytetin lindor të Nanxhingut dhe zinxhirët e tij të furnizimit, magazinat dhe inventari mbetën në Kinë. Por, në vitin 2021, themeluesi i saj enigmatik Sky Xu, i cili gjithashtu njihet me emrat Xu Yangtian dhe Chris Xu, e zhvendosi veten dhe selinë e kompanisë në Singapor. Shein, që është vlerësuar në 66 miliardë dollarë, sipas faqes në internet e përkufizon veten si “shitës global i modës dhe stilit të jetesës me seli në Singapor”.
Ende do të ketë nevojë për miratim nga autoritetet rregullatore kineze përpara listimit të saj të planifikuar jashtë shtetit, thonë shumë njerëz të njohur me situatën. Administrata e fuqishme e Kinës për Hapësirën Kibernetike të Pekinit, po analizon gjithashtu nëse ekziston rreziku që disa nga të dhënat e Shein-it të bien në duar të huaja. Por, klientët, partnerët e biznesit dhe investitorët e mundshëm të kompanisë e analizojnë Singaporin dhe shohin një juridiksion të respektuar që ofron një rrugë transparente drejt kontesteve ligjore nëse gjërat shkojnë keq, thonë analistët.
Identitetet e Singaporit përdoren gjithashtu ndonjëherë për të hyrë në treg në Indi, duke anashkaluar antipatinë e qartë të Nju-Delhit ndaj investimeve kineze. Në një përplasje që filloi në vitin 2020, pas përleshjeve midis trupave kineze dhe indiane përgjatë kufirit të tyre të përbashkët në Himalaje, India ka ndaluar më shumë se njëqind media sociale kineze dhe aplikacione të tjera, duke përmendur shqetësimet për mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë. Ajo gjithashtu ka nisur disa hetime rregullatore kundër kompanive kineze të teknologjisë. Por, kjo nuk e ka ndalur kompaninë Shunwei Capital të Kinës – krijuar nga Lei Jun, themeluesi i prodhuesit të telefonave inteligjentë Xiaomi – që të investojë në platformën e automatizimit të tregut indian, WebEngage, si dhe në markën e produkteve të qumështit, Country Delight, në vitin 2022. Ato marrëveshje u bënë përmes SWC Global, e cila e përshkruan veten si “degë e Singaporit e një firme lidere në kapital sipërmarrës prej shumë miliardave, me bazë në Azi”.
Joyy, një biznes teknologjik i listuar në ShBA me rrënjë në Kinë, është riformuluar gjithashtu si kompani globale me bazë në Singapor, pasi themeloi një njësi ekonomike në vitin 2021.
“Ekzistojnë të dhënat se Singapori po bëhet mbulesë për kompanitë me lidhje të dyshimta me Kinën dhe madje edhe me shtetin kinez”, thotë Ja-Ian Chong, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Kombëtar të Singaporit.
Kina gjithashtu ka rezerva për spastrimin në Singapor. Një zyrtar i lartë kinez, i cili nuk pranoi të identifikohej, thotë se Pekini ka një ndjenjë shqetësimi me prirjen e disa kompanive kineze për “de-kinezim”, kur ato i ngritën zyrat jashtë shtetit. “Ngre pyetje të besnikërisë ndaj Kinës, gjë që disa në Pekin e shohin si të pakëndshme”, thotë ai.
Chong beson se shqetësimet e tilla janë pasqyruar në Singapor. “Nëse ka grumbullim të rasteve të tilla, veçanërisht për kompanitë me lidhje [me Partinë Komuniste kineze] duke përdorur marrëveshjet preferenciale të Singaporit me vendet e tjera, ose duke përdorur gjithnjë e më shumë entitetet e tyre këtu për të anashkaluar kufizimet, kjo mund të përfundojë me spekulime negative dhe rreziqe politike për Singaporin”, thotë ai.
Grupi Jinan Yuxiao është rast i tillë. Ajo ka lidhje të kapitalit me kompaninë shtetërore kineze Shenghe Resources, thotë Mary Hui, studiuese me bazë në Hong-Kong për strategjitë industriale të Kinës.
Përveçse që kanë marrëdhënie të qëndrueshme si me Kinën ashtu edhe me Perëndimin, shumëkush nga grupi i vendeve të treta priren të jenë anëtarë të zonave të tregtisë së lirë që garantojnë qasje në tregjet e mëdha perëndimore me tarifa zero ose të ulëta. Singapori dhe Vietnami janë anëtarë të Partneritetit Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal (RCEP), një grupim prej 15 vendeve të Azisë-Paqësorit që përbën rreth 30 për qind të PBB-së botërore. Për më tepër, të dy vendet kanë marrëveshje dypalëshe të tregtisë së lirë me ShBA-në.
“Vendosja në Singapor ka një sërë përfitimesh për një kompani kineze”, thotë nënkryetari i një kompanie teknologjike kineze me bazë në Singapor, i cili nuk pranoi të identifikohej. “Nëse bëjmë biznes nga Kina, goditemi nga një mur i tarifave dhe dyshimeve për gjithçka që duam të bëjmë në tregun amerikan … Nga Singapori nuk ka tarifa dhe dyshimi është shumë më i vogël”.
Konsideratat e ngjashme vlejnë për Irlandën dhe Hungarinë. Të dy këto shtete janë anëtare të BE-së, tregu i vetëm i të cilit siguron unitet rregullator dhe tarifa zero në 27 shtete anëtare dhe 450 milionë njerëz. Tarifat e vendosura nga blloku për produktet e importuara nga Kina, nuk zbatohen nëse të njëjtat produkte prodhohen dhe shiten brenda BE-së.
Përvoja e Irlandës tregon dividentët e qartë komercialë që një vend mund të korrë nga lidhja e Kinës me Perëndimin. Tregtia dypalëshe me Kinën është trefishuar në pesë vitet e fundit dhe ka dëshirë të qartë, nga të dy palët, për të rritur investimet, tha kryeministri i atëhershëm i Irlandës Leo Varadkar, teksa mirëpriti homologun e tij kinez Li Qiang, në një vizitë në fillim të këtij viti.
Investimet e mëdha kineze në Irlandë përfshijnë ato nga ByteDance që zotëron aplikacionin e videove të formës së shkurtër TikTok, pastaj WuXi Biologics, një kompani ilaçesh, Huawei, gjiganti kinez i pajisjeve të telekomit, si dhe Banka e Kinës, një bankë e madhe shtetërore kineze. Në total, rreth 40 kompani kineze që punësojnë 5100 njerëz janë klientë të agjencisë irlandeze të promovimit të investimeve – IDA.
Drejtuesit e IDA-s thonë se agjencia “e konsideron patjetër” TikTok-un si kompani kineze. Por, vetë TikTok-u mundohet të theksojë kredencialet jokineze. Zëdhënësit e saj në Irlandë thanë se selia ndërkombëtare e kompanisë është në Singapor, ndërsa në Evropë ajo është e inkorporuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë dhe i nënshtrohet ligjeve të Mbretërisë së Bashkuar, Irlandës dhe BE-së, jo atyre kineze. Ata shtuan se megjithëse ByteDance, e cila e ka selinë në Pekin, mbetet pronare e TikTok-ut, se rreth 60 për qind e ByteDance zotërohet nga investitorët institucionalë globalë si Carlyle Group, General Atlantic dhe Susquehanna International Group.
Nga WuXi Biologics thonë se “preferon të mos merrte pjesë në një histori të fokusuar në mënyrë specifike” në vendin e origjinës. “Besojmë se ndikimi ynë pasqyrohet më saktë si pjesë e arritjeve kolektive brenda sektorit të shkencave të jetës në Irlandë”, shtojnë nga kompania.
Hungaria, një tjetër vend kyç për investimet kineze në Evropë, ka marrëdhënie dukshëm më të ngrohta me Pekinin se shumë të tjerë. Në një vizitë në Budapest në fillim të këtij viti, presidenti kinez Xi Jinping i përshkroi lidhjet dypalëshe si “po aq të ëmbla dhe të mira sa Tokaji”, duke iu referuar një vere hungareze. Presidenti autoritar i Hungarisë, Viktor Orbán, kreu më jetëgjatë i një qeverie në BE, e vlerësoi Kinën sepse e do paqen dhe se është një “forcë e rëndësishme stabilizuese” në botë. Hungaria ka marrë 44 për qind të të gjitha investimeve të huaja direkte kineze në Evropë, në vitin 2023, duke kapërcyer ekonomitë e “treshes së madhe” të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, sipas një studimi nga think-tank Merics me qendër në Berlin.
Meksika është anëtare e Marrëveshjes ShBA-Meksikë-Kanada (USMCA), që përfshin 510 milionë njerëz dhe përbën një tjetër 30 përqindësh të ekonomisë globale. Gjatë dekadave të fundit, kompanitë kineze kanë fituar në heshtje një terren të konsiderueshëm si investitorë në Meksikë. Marrëveshja e tregtisë së lirë USMCA e Amerikës së Veriut, nënkupton se bizneset kineze që prodhojnë gjithçka, nga frigoriferët dhe televizorët e deri te tekstilet në Meksikë, kanë qasje të privilegjuar në tregun amerikan.
América Móvil, grupi i telekomit i kontrolluar nga miliarderi Carlos Slim, mbështetet në teknologjinë Huawei. Prodhuesi meksikan i pajisjeve dhe frigoriferëve, Mabe, është me 48 për qind në pronësi të grupit kinez Haier. Një në pesë makina të blera në Meksikë në vitin e kaluar, ishte prodhuar në Kinë, ku gjysma e tyre vinin nga prodhuesit kinezë. Prodhuesit e automjeteve elektrike si BYD dhe Chery po kërkojnë tani për vendet e fabrikës në Meksikë, në mënyrë që të mund të eksportojnë në ShBA dhe të shmangin tarifat për automjetet e importuara në ShBA nga Kina, të cilat u rritën me 100 për qind në fillim të gushtit.
Megjithatë, tashmë është pakësuar durimi i ShBA-së për rolin e Meksikës si zonë pa tarifa për kompanitë kineze në tregun amerikan. Përfaqësuesi i Tregtisë i ShBA-së i cili mbikëqyr politikën tregtare dhe negociatat e Amerikës, ka qortuar gjithashtu Meksikën për mungesën e transparencës në importet e saj të çelikut dhe aluminit nga vendet e treta si Kina. Por, disa në Meksiko-Siti thonë se Kina është shumë e ngulitur në Meksikë për të ndryshuar kursin. Në çdo rast, ka pak gjëra që secili vend mund të bëjë për të kufizuar shtrirjen e Kinës.
“Në Uashington ata sapo e kanë kuptuar”, thotë Enrique Dussel Peters, drejtor i Qendrës për Studime Kineze-Meksikane në UNAM – Universiteti Kombëtar Autonom i Meksikës. “Ata mendojnë se diskutimi është: ‘Të hënën nuk dua ta shoh Kinën në Meksikë’. Ky ishte ndoshta një opsion 20 vjet më parë. Sot nuk është”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëTë gjitha dënimet që UEFA ia shqiptoi Rumanisë për ndeshjen Kosovës
Ukraina me raketat britanike Storm Shadow ka goditur bunkerët e Putinit në Kursk
Ukraina për herë të parë godet Rusinë me raketat britanike Storm Shadow
UEFA merr vendim, Kosova humb me rezultat zyrtar ndeshjen ndaj Rumanisë
Avokati i FFK-së reagon pas vendimit të UEFA-s: Nuk do të ndalemi me kaq – do ta apelojmë në CAS
Lucescu qesh dhe mbron tifozët racistë rumunë kur mori vesh për gjobën që mori Rumania
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
"Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e play-offit" - Muriqi flet pas fitores
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian